Fokus

“Ma tmerr ma për nana nuk ka” – Dy nënat kosovare rrëfejnë tmerrin që përjetuan pasi humbën 8 fëmijë

Autori: Gazeta inFokus 17:49 | 07 April 2024

Ky shkrim është bazuar në reportazhin e realizuar nga Gazeta Infokus “Krahët e vegjël që iu këputën Kosovës”,  ku për herë të parë është prezantuar historia e trishtë e dy nënave të cilat kanë humbur 8 fëmijët e tyre në luftën e Kosovës të vitit 1999!

Nata e 1 prillit të vitit të 1999, do mbetet një nga momentet më të kobshme për të dy motrat nga Rahoveci.

Si të gjithë kosovarët, edhe Zyrafete e Sebahate Berisha, ishin munduar të gjenin një vend më të sigurt për fëmijët e tyre, kështu ato u strehuan në bodrumin e një shtëpie në fshatin Nagavc në komunën e Rahovecit.
Edhe pse rreth asaj zone, kishte pasur numër të madh të forcave serbe, por atyre iu kishin dhënë siguri se askush nuk do guxone t’i prekte “Na kanë thanë rrini qitu, se kërkush nuk iu nguc”, tregon Zyrafetja teksa kujtonte momentet e asaj nate.

-Advertisement-

Zyrafetja atë kohë kishte qenë 29 vjeçare dhe në bodrum ishte strehuar me tre fëmijët e saj, djalin Shqipronin 12 vjeçar, Dafinën 9 vjeçare dhe Valmirën 7 vjeçare.

Edhe pse Shqiproni çdo natë tjetër kishte fjetur me gjyshen, por atë natë ai po insistonte të flinte afër nënës dhe dy motrave të tij.

“Atë natë Shqiproni hyri ndërmjet dy motrave të veta, pse bre thash Shqipron nuk po flen me gjyshen, tha jo bre nanë ma mire te ju, e ka ngreh ndoshta exheli me hi te motrat e veta”, po rrëfente Zyrafetja me plotë trishtim.

Mesnata po kalonte, Zyrafeten ende nuk po e zinte e gjumi, ndërsa të tjerët ishin thelluar në gjumë, ajo para se të flinte doli në oborr, pa se ishte një natë e ngrohtë prilli, ishte qetë, nuk lëvizte asgjë, madje e ushqeu edhe vajzën e saj Dafinën “Fati jem ia dhashë bukën cikës, se mos të ia kisha dhanë bukën zdi qka kisha ba”, tregon ajo.

Sapo ato u rehatuan, disa minuta më vonë Zyrafetja u zgjua nga një shpërthim i fuqishëm, shtëpia po shembej dhe kati i dytë i shtëpisë po binte sipër tyre.

Ajo ishte e lënduar rëndë, nuk po arrinte të shihte asgjë pasi ora shënonte 02:00 në mesnatë dhe ishte gjithqka errësirë.

Pas këtij bombardimi mbeten të vrarë 13 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë këtu edhe 8 fëmijët e Zyrafetes dhe Sebahates.

KU I KOM MOTËR FËMIJËT?

Sebahatja kishte shpëtuar, por ishte e plagosur rëndë, madje edhe sot nuk e kujton shumë mirë atë natë. Ndërsa 5 vajzat e saj kishin vdekur.

Mëngjesin e 3 prillit, ajo hapi sytë në spitalin e Kukësit në Shqipëri, Sebahates kishte filluar t’i kthehet vetëdija.

“Kur më ka dalë vetëdija po i thom motër ku kom fmit, kjo tha asnjë moter se ki krejt fmija t’u kanë mbyt”, kujton ajo.

Kurse në tu kthyer në shtëpi, ajo po përjetone një makth, madje mendoi se kishte filluar të çmendej pasi që vajzat e saj asnjëra nuk ishin më gjallë (Adelina 9, Njomza 7 Shkurtesa 5, Lezia 3 dhe Elhamja ishte vetëm 6 muajshe)

“Kur kem ardh në shpi, kur hina brenda e pash vetëm djepin e çikave e mora po e përkuni, thojsha ku i kom motër fmijët, më thoshte oj motër asnjë nuk e kemi, o si çmendur nuk disha asgjë” rrëfen ajo.

“NUK SHËROHEM NË BEOGRAD, SE ATA MI KANË MBYT FËMIJËT”

Vite më vonë, ato përsëri u bekuan me fëmijë, Sebahatja me tre fëmijë dhe Zyrafetja me dy fëmijë.

Por pasojat e asaj nate nuk mbeten me aq, pasi Zyrafetja lindi vajzen e saj, menjëherë pas 6 muajve ajo filloi të kishte probleme me shikimin.

Kjo pasi lëndimet e Zyrafetes në kokë ishin shumë të rënda, por ajo kishte vetëm një rrugë për shërim atë të Beogradit.

“Mjeku më tha nëse don me tu shëru sytë, duhet me shku në Beograd, aty i kom thanë me ditë që kurr nuk shoh nuk shkoj”, shpjegon ajo.

Fatkeqsisht, muaj më vonë Zyrafetja humbi tërsisht shikimin, ndërsa Sebahatja e ndihmoi që t’i rrisë fëmijët.

Pas humbjes së 8 fëmijëve të tyre, Zyrafetja dhe Sebahatja, u bënë krahë i hekurt për njëra-tjetrën.

“Ma tmerr ma për nana nuk ka, po s’paske qka me ba”

Reportazhi i plotë:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera