Fokus

Ligji i ri për paga: AAK-ja tregon hapin që duhet të ndërmarrë Qeveria Kurti

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 01 February 2023

Pasi  sot qeveria e Kosovës më në fund bëri publik koeficientin për ligjin e ri të pagave i cili u miratua në vitin 2022, pati reagime të shumta nga opozita në vend, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me këtë çështje.

Deputetja e Aleancës per Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytqi, ka thënë për Gazetën inFokus se Qeveria Kurti, me këtë vendim ka përbuzur qytetarët e Kosovës, madje sipas saj ky ligj do të rrëzohet.

“Absolutisht jo. Është një koeficient i varfërisë, një koeficient përbuzës e nënçmues.  E ka ngrit nivelin politik dhe i ka dhënë shkelm shërbyesve civilë. Pakënaqësia veçse ka filluar që nga momenti që u bë publik ky koeficient qesharak. Tash edhe mund ta proklamojnë që kanë bërë nivelizim e ka ngrit paga por realisht me inflacionin  e tanishëm, asgjë nuk e mbulon. Unë nuk besoj që ky Ligj do të zbatohet pasi duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe sigurisht që Kushtetuesja do ta rrëzojë pasi i njëjti ligj e ka degraduar administratën publike”, ka thënë Bytyqi.

-Advertisement-

Deputetja gjithashtu ka theksuar se ky koeficient prej 105, është vetëm një tallje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Nuk e di së çfarë synime ka, veçse e di që punë të mirë nuk ka bë aspak sado që ata tashmë thonë se kjo është rritja më e madhe në historinë e pavarur të Kosovës dhe kjo është një tjetër tallje që kryeministri po e bën ndaj qytetarëve të tij. Ne kemi kërkuar e thënë se koeficienti duhet të jetë 129 e më shumë sepse me këtë koeficient të paktën do të ndiheshin më të vlerësuar zyrtarët publikë dhe do t’ua lehtësonte pak më shumë jetën në aspektin financiar.”, ka deklaruar deputetja për inFokusin.

Bytyqi në fund të këtij prononcimi për Gazetën inFokus, ka treguar edhe hapin që qeveria Kurti duhet të bëjë pas këtij vendimi.

“Qeveria Kurti duhet të pajtohet me faktin se e ka bërë një Ligj të kot, dhe i cili nuk do të zbatohet dhe këtë duhet ta pres që do të ndodh”, ka potencuar deputetja e AAK-së./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera