Fokus

Detaje nga tenderi 38 milionësh, shkak i të cilit u intervistua si i dyshuar zëvendësministri Hysen Durmishi

Autori: Gazeta inFokus 17:51 | 08 May 2024

Hedhja e firmës në një tender në vlerë rreth 38 milionë euro, është bërë shkak që zëvendësministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi, të ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale.

Organi i ndjekjes ka nisur hetimet për tenderin milionësh të ndërtimit të rrugës Podujevë – Prishtinë.

Hetimet nisën, pasi Durmishi e nënshkroi kontratën, përkundër që në proces akoma ishte një ankesë e patrajtuar. Në këtë mënyrë, Durmishi dyshohet se ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik.

-Advertisement-

Ankesa nga kompania “Sallahu” ishte deponuar në OSHP më 13 qershor, përderisa pesë kontratat për pesë LOT-et e këtij tenderi janë nënshkruar më 19 dhe 20 qershor të vitit të kaluar.

“Sallahu” ishte ankuar për njërin LOT, të cilin e fitoi kompania “Bageri”, kompani e cila për pronar e ka një shok të Hysen Durmishit. Faktin se ka një miqësi të mirë me pronarin e kompanisë, e ka pranuar edhe vet zëvendësministri.

Pas intervistimit tre orësh, të mërkurën, Durmishi nuk dha detaje për deklarimin e tij.

Ai tha se Organi Shqyrtues i Prokurimit u ka dhënë të drejtë që të vazhdojnë me punimet. Megjithatë, ai nuk e theksoi faktin që OSHP-ja i nuk e anuloi kontratën vetëm “për shkak të interesit publik”.

“Thjeshtë ishin disa sqarime të prokurorit të cilat ai i mori, e tash po presim se çka do të ndodhë. E keni vendimin e OSHP-së për këtë rast i cili e ka shpallur ankesën e tij të pabazuar dhe na ka dhënë të drejtë neve si Autoritet Kontraktues, thjesht ai i ka konstestu procedurat në të cilët është zhvillu i gjithë ky proces”, theksoi Durmishi.

Punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë rinisën më 3 korrik të vitit 2023. Rruga është planifikuar të përfundoj brenda 365 ditëve të punës. /Gazeta Infokus

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera