Fokus

Tetë vite burgim për serbët që kultivuan kanabis në laboratorë në veri, një tjetër akoma në arrati

Autori: Sylejman Sylejmani 19:00 | 10 May 2024

Ivan Slaviq dhe Redenko Keseroviq janë dënuar me gjithsej tetë vite burgim, për kultivim të kanabisit në disa laboratore në veriun e Kosovës.

Slaviq u dënua me pesë vite burgim dhe dhjetë mijë euro gjobë, kurse Keseroviq u dënua me tri vite burgim, shkruan Gazeta Infokus.

I akuzuar nga Prokuroria Speciale është edhe Dusan Slaviq, mirëpo ai ndodhet në arrati.

-Advertisement-

Në seancën që është mbajtur gjatë se premtes, me 1 vit e tre muaj burgim është dënuar edhe Nikola Fidjokiq, për moslajmërim të veprës penale.

Në shpalljen e aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu Selimi, ka treguar se Slaviq dhe Keseroviq do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, lënda narkotike e llojit “kanabis” kultivohej në tri lokacione.

Një prej tyre ndodhej në shtëpinë e Ivan dhe Dusan Slaviq, në garazhën e Vladica Radivojeviq, si dhe në një laborator tjetër që ndodhej në fshatin Serbovac.

Për arrestimin e këtyre personave, kishte informuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili në një shkrim në “Facebook” të datës 12 shkurt 2023, pati thënë se këta persona janë të përfshirë edhe në sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, vendosjen e barrikadave, si dhe në kërcënimin e serbëve.

Në një rast pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, Sveçla ka theksuar se këta serbë ishin vizituar në spital edhe nga tani kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, si dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë në Serbi.

Për këtë, ministri Sveçla kishte publikuar edhe dy fotografi. /Gazeta Infokus

 

No photo description available.

 

No photo description available.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera