Fokus

Albin Kurti VS Edi Rama, kush është “dembeli” i qeverisjes?

Autori: H.Smajli 17:04 | 13 February 2023

Askush nuk i tha puna e mbare për një muaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Vetëm një herë u kap në “flagrancë” nga kamerat duke paketuar biskota në një fabrikë, në Ferizaj edhe ato ishte duke i paketuar mbrapsht. Sikurse asnjëherë nuk ju panë gërshërët në duar duke përuruar ndonjë biznes të ri, e as nuk preku asnjëherë lopatë me duar për të hedhur beton në temelet e përurimit të ndonjë projekti kapital që shënon fillimin e një rruge, çerdhe apo fabrike.

Por ndryshe nga Kurti, në anën tjetër Edi Rama që drejton Shqipërinë, vendin e ka kthyer në një kantier ndërtimi.

-Advertisement-

Miliarda euro investime, qindra projekte zhvillimore po realizon qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama gjithandej Shqipërisë, por një gjë e tillë nuk po ndodh edhe këndej kufirit, në Kosovë, nën qeverisjen e Albin Kurtit.

Derisa në gishta dore numërohen projektet e qeverisë së Kosovës, projekte investime në shëndetësi, arsim e infrastrukturë, janë postimet që mund të shohësh çdo ditë në profilin zyrtar në Facebook të kryeministrit shqiptar, Edi Ramës.

Me një buxhet prej 5.4 miliardë euro për vitin 2023, dy miliardë më shumë se në vitin 2022, qeveria në krye me Ramën në bazë të njoftimeve të tij duket se nuk po ndal investimet për përmirësimin e jetës së qytetarëve atje.

Mirëpo ndryshe nga Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në muajin janar e vetmja ‘punë’ që shihet të ketë bërë sipas rrjeteve të tij sociale, është një vizitë në një fabrikë vendore ku sa për të bërë një video ai paketon disa biskota.

Me një buxhet prej 3 miliardë e 212 milionë euro, për vitin 2023 derisa në vitin 2022 ishte 2 miliardë e 748 milionë euro, qeveria e Kosovës, po heziton të investojë, të paktën kështu duket në bazë të njoftimeve të kreut të kësaj qeverie.

Gazeta Infokus ka përcjellë dy profilet e kryeministrave në Twitter dhe në Facebook për muajin janar dhe kryeministri i Shqipërisë lë dukshëm mbrapa atë të Kosovës me punën e tij dhe promovimin që i bën projekteve që tashmë kanë përfunduar, projekte të reja, të nisura e edhe ato të planifikuara që të përfundojnë gjatë mandatit të qeverisjes Rama.

Nga ky hulumtim del se në muajin janar, Edi Rama për 31 ditë, ka shpërndarë në Facebook rreth 196 postime. E prej tyre mbi 80%, janë njoftime për investime në projekte, konkretisht në muajin janar, me fokus të veçantë në infrastrukturë, arsim e shëndetësi. Po ashtu ndihma për qytetarët, gratë e papuna e punësim të rinisë dhe qaje më të lehtë për ta, janë ato që mund të shohësh në këto publikime të kryeministrit.

Vetëm me 30 janar, Rama në profilin e tij ka njoftuar për përfundimin e një ujësjellësi të ri në Gjirokastër, nënshkrimin e marrëveshjes për portin e Durrësit, “Durrës Yacht & Marina”, përfundimin e investimit për qendrën e kompostimit të mbetjeve të gjelbërta dhe fazën e dytë të transformimit të një kantieri në Fier.

E për të gjithë muajin, investime në shkolla më moderne, ndërtim i shkollave të reja, ndërtesa të reja banimi, ujësjellës, kantierë, spitale të reja, punësime në sektorin e shëndetësisë, mundësi pune për të rinjtë në teknologji e të tjera.

Nga ana tjetër i pari i ekzekutivit në Kosovë, Albin Kurti në muajin janar ndryshe prej herave të tjera ka qenë goxha aktiv në llogarinë e tij në facebook. Mirëpo prej 40 postimeve sa ka shpërndarë me ndjekësit e tij për këtë muaj, nuk mund të gjesh as edhe një postim ku tregohet për ndonjë investim konkret të qeverisë në krye me Kurtin.

Homazhe, njoftime për homazhe, ngushëllime, përkujtime të masakrave e heronjve që ranë për liri, njoftime për mbledhje e vendime të qeverisë, njoftime për takime jashtë vendit e reagime sa i përket çështjes së dialogut janë publikimet e kryeministrit për muajin janar.

Ai vitin 2023 e nisi më një postim për njoftimin e vajzës së parë që erdhi në jetë në Kosovë.

Ndërsa më pas e vazhdoi me njoftimet e zakonshme për vizita zyrtare, homazhe e përkujtime.

Së fundmi një postim në faqen e tij është vizita në një fabrikë me prodhime vendore ku Kurti pakton disa biskota gjatë vizitës së tij, gjë që ngjalli goxha reagime dhe kjo video u shndërrua edhe në shakanë e javës nga qytetarët.

Mirëpo një kujdes më të veçantë Kurti, po tregon për llogarinë e tij në Twitter, rrjet i cili përdoret më shumë nga ndërkombëtarët.

Madje Kurti ndryshe nga Edi Rama i cili shkruan në shqip në këtë rrjet social, shkruan në anglisht për tu siguruar që nuk do të ketë nevojë për përkthimin e reagimeve të tij përmes cicërimave.

Në këtë rrjet social, Kurti ka lënë mbrapa të parin e Shqipërisë duke bërë 26 postime, megjithatë përsëri publikimet e tij kanë pothuajse të njëjtën përmbajtje si në llogarinë e tij në facebook. Reagime, urime, homazhe e ngushëllime.

Vitin 2023, kryeministri Kurti, në llogarinë e tij në Twitter e nisi me duke uruar Suedinë që mori presidencën e BE-së.

Këtë urim ai e bëri me 1 janar, në ditën e parë të vitit, ku tha se mezi pret që të punojnë së bashku për të mbrojtur vlerat e Evropës.

“Sot projekti për ta bërë BE-në një bashkim më të përsosur i është kaluar Suedisë. Uroj @SwedishPM  Ulf Kristersson dhe 🇸🇪 një presidencë e suksesshme dhe presim me padurim të punojmë së bashku për të mbrojtur dhe promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për ta bërë Evropën më të sigurt duke e bërë atë të plotë”, kishte shkruar Kurti në Tëitterin e parë për vitin që nisëm.

Nga ana tjetër, Edi Rama, duket se nuk i kushton edhe aq rëndësi postimeve në Twitter. Ai në muajin janar ka publikuar, 13 cicërima dhe të gjitha kanë qenë reagime apo ripublikime të ministrave të tij e arstistëve të Shqiprisë që po prekin majat e suksesit në botë.

Vitin e ri, Rama në twitter e nisi me një reagim duke thënë se nën qeverisjen e tij zyrtarëve të veshur me kostum zyrtar, sistemi i drejtësisë po ua nxjerr “lakrat” në shesh.

“E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!”, ka shkruar Rama.

Rama ka rishpërndarë edhe një video që gjigandi mediatik botëror, BBC, i ka kushtuar Shqipërisë, bukurive natyrore dhe turzimit.

Ndërsa menjëherë në ditën e dytë të vitit, Rama dha një lajm të mirë për nënat e papuna dhe foshnjat e tyre.

“MIRËMËNGJES 😊 dhe me lajmin e mirë se prej 1 janarit nënat me tre e më shumë fëmijë, duke aplikuar në e-Albania, do të përfitojnë nga politika e re e mbështetjes për nënat e papuna me fëmijë nën 18-vjeç, të cilave do t’i garantohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të fëmijës, ju uroj një javë të mbarë🙏 GËZUAR❤️”, kishte shkruar Rama.

Ngjashëm me muajin janar, një vit të tillë, Kurti e Rama e patën edhe në vitin 2022. Përderisa Rama promovonte projekte gjjigande milionëshe si porti i Durrësit, Kurti mburrej me ndërtimin e një ure disa centimetërshe në një fshat të Kosovës.

LEXO EDHE: Edi Rama VS Albin Kurti: Kush punoi më shumë në 100 ditët e fundit të qeverisjes

 

Ky artikull pasqyron punën e dy kryeministrave përmes njoftimeve në dy rrjete sociale, Facebook dhe Twitter për muajin janar të vitit 2023.

/Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera