Fokus

Specializanti i QKUK-së i pakënaqur me vendimin e Qeverisë: Me këtë nuk zgjidhet asgjë

Autori: Elvira Haxhiu 18:21 | 08 February 2023

Nga sot specializantët që i përkasin kategorisë së vetëfinancimit në institucionet shëndetësore publike e private në Kosovë, do të paguhen nga shteti.

Kështu u vendos të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kërkoi përkrahjen e ministrave që ky vendim të vihet në fuqi.

LEXO EDHE: Lajm i mirë për specializantët me vetëfinancim: Kalon në qeveri vendimi për paga nga shteti

-Advertisement-

Këtë vendim të ekzekutivit nuk po e sheh si zgjidhje Urim Çerkini, specializant në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, anëtari i Shoqatës së Specializantëve, ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë nuk e përmirëson fare gjendjen e specializantëve në Kosovë.

Kjo pasi sipas Çerkinit, paga e specializantëve me subvencionim mbetet pak më shumë se 500 euro, derisa me Ligjin e Pagave paga e specializantëve është 840 euro.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë nuk e përmirëson fare gjendjen e Specializantëve. Këto janë vetëm Subvencione si deri tani dhe nuk përfshihen në Ligjin e Pagave. Paga e Subvencioneve mbetet pak më shumë se 500 €, deri sa Paga e Specializantit me Ligjin e Pagave është 840€. Se me këtë nuk zgjidhet asgjë. Gjendja mbetet e njëjtë”, ka deklaruar ai për Infokus.

Në mbledhjen e 127-të të Qeverisë u miratua kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri me datë 31 dhjetor 2023.

“Kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri me datë 31 dhjetor 2023.  Vendimi siguron pagesën e 580 specializantëve në programin e Aftësimit Specialistik dhe EVM në vlerë 4 milionë e 129 mijë eurove prej datës 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2023 nga kategoria ekonomike e subvencioneve”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, ministri Vitia tha të mërkurën se çështja e pagesës së specializantëve të cilët deri më tash kanë qenë me vetëfinancim është çështje me prioritet.

“Në ndikimin e këtyre masave Kosova po ndikohet drejtpërdrejtë në ikjen e kuadrove shëndetësore. Prandaj ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse por edhe duke u mundësuar kështu qytetarëve te Kosovës qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbime shëndetësorë”, ka thënë Vitia.

Mirëpo, kushtet jo të mira në punë, mos pagesa e ndërrimeve dhe pritja e gjatë për zgjidhjen e këtyre problemeve bëri që shumë specializantë të heqin dorë dhe të lënë punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndryshe, në muajin gusht të vitit të kaluar Infokus pati raportuar se 17 specializantë të tjerë janë larguar nga Klinikat e QKUK-së.

Gazeta Infokus nga burime të saj mësoi se 5 specialistë ishin larguar nga Klinika e Syrit, 6 të tjerë nga Klinika e Gjinekologjisë dhe 6 nga Klinika e Pediatrisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera