Fokus

Shpëtuan nga rrënojat katër persona, por a kanë sigurim shëndetësor pjesëtarët e FSK-së në Turqi?

Autori: Elvira Haxhiu 17:57 | 15 February 2023

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 shkallësh të Rihterit shkatërroi pjesë të gjera të Turqisë dhe Sirisë në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.

Po në këtë ditë Forca e Sigurisë së Kosovës, nisi një kontingjent të forcave të kërkim-shpëtimit për në zonat ku ishin prekur nga tërmeti në Turqi, shkruan Gazeta Infokus.

Ky kontingjent i FSK-së i dërguar në Turqi përbëhet nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.

-Advertisement-

Por, a kanë sigurim shëndetësor pjesëtarët e FSK-së që janë dërguar në Turqi?

Në një përgjigje për Gazetën Infokus nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që janë dërguar me mision në zonat e prekura nga tërmeti kanë sigurim shëndetësor.

“Të gjithë trupat e njësisë së Kërkim – shpëtimit të  FSK-së që janë me mision në Turqi kanë sigurim shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Gjithashtu, nga ky dikaster i drejtuar nga Armend Mehaj, kanë thënë se të gjithë pjesëtarëve të FSK-së që dërgohen për operacione jashtë vendit u sigurohen sigurimet shëndetësore.

“Të gjithë pjesëtarëve të FSK-së që janë në udhëtime, operacione, shkollime dhe trajnime të planifikuara jashtë vendit, ju sigurohen sigurimet shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për Infokus.

Që kur kontingjenti i njësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së u dërguan në Turqi, kanë arritur që të shpëtojnë nga rrënojat të gjallë katër persona.

Në mëngjesin e 8 shkurtit pjesëtarët e FSK-së kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat një vajzë dy vjeçare dhe vetëm pas disa orësh ata arritën ta shpëtojnë edhe nënën e vajzës.

LEXO EDHE: FSK e shpëton një fëmijë dy vjeç në Turqi

LEXO EDHE: FSK arrin ta shpëtojë edhe nënën e fëmijës dy vjeçar

Ndërsa, të dielën e 12 shkurtit, përkatësisht pas më shumë se 162 orëve nga rënia e tërmetit, pjesëtarët e FSK-së sërish bën mrekullinë duke nxjerrë nga rrënojat një vajzë të moshës 13-vjeçare dhe një 45-vjeçar.

Nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se në mesin e viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri nuk ka asnjë kosovar.

Ndërkaq të martën u raportua se numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka kaluar shifrën 40 mijë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera