Fokus

Rëndohet situata: Edhe 17 specialistë të tjerë lënë punën në QKUK, largohen nga Kosova

Autori: Gazeta inFokus 17:13 | 15 August 2022

Kushtet jo të mira në punë e mos pagesa e ndërrimeve, dhe pritja e gjatë për zgjidhjen e këtyre problemeve ka bërë që specializantët të heqin dorë dhe të lënë punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Situata me mungesën e mjekëve është rënduar edhe më shumë pasi edhe 17 specializantë të tjerë janë larguar nga Klinikat e QKUK-së. Gazeta Infokus nga burime të saj mëson se 5 specialistë janë larguar nga Klinika e Syrit, 6 të tjerë nga Klinika e Gjinekologjisë dhe 6 nga Klinika e Pediatrisë.

“Sot u informova se në Klinikën e Syve, pesë (5) Specialistë kanë lënë punën, 6 (gjashtë) të tjerë në Gjinekologji dhe po ashtu gjashtë të tjerë në Pediatri”, ka thënë ky burim për Infokus.

-Advertisement-

Gazeta Infokus ka raportuar vazhdimisht për mungesën e stafit në Klinikat e QKUK-së e edhe për largimin e specializantëve për shkak të pakënaqësive e kërkesave të tyre të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër dhe nuk u është ofruar një zgjidhje nga institucionet e shëndetësisë në vend.

E pasi kërkesat e tyre nuk u përfillën, zgjidhjen e vetme specializantët po e shohin largimin nga Kosova e vazhdimin e karrierës së tyre ne vendet Evropiane.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar specializantët  ishin takuar me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Gjatë këtij takimi specializantët kishin prezantuar kërkesat e tyre e për të cilat thanë se ministri ishte shprehur se janë çështje që mund të zgjidhen duke potencuar se i duhet kohë pasi që sapo ka filluar mandatin.

Latifi në fillim të mandatit kishte treguar se edhe vetë e kishte ndërprerë në gjysmë specializimin e tij në Ortopedi në QKUK dhe ishte larguar për në Amerikë, dhe se kjo do të shtynte atë që të krijonte zgjidhje për edukimin post diplomik.

“Pse s’po më pyet mua pse kom ikur unë nga Kosova. Unë kam qenë në specializim në Ortopedi dhe nuk kisha mundësi të specializohem. Prandaj kam shkuar në Amerikë. Nëse ne nuk iu krijojmë kushtet specializantëve për punë, nëse nuk e transformojmë edukimin post-diplomik dhe nuk krijojmë specialist të mirë dhe ata që i krijojmë na ikin”, kishte deklaruar ministri në një intervistë.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit prej kur specializantët i paraqitën kërkesat e tyre, ende nuk është bërë një zgjidhje në këtë drejtim.

Kërkesat e specializantëve të bëra qysh në vitin e kaluar ishin që të paguhen shtesat për COVID-19 të specializantëve me vetëfinancim, të paguhen kujdestaritë për specializantët me subvencione, specializantët me subvencione të kalojnë në paga të rregullta dhe takimi me ministrin për diskutimin e këtyre problemeve.

Këtë kërkesë specializantët e dërguan 2 herë në ministrinë e shëndetësisë, me datën 2 prill të vitit 2021 dhe datën 5 maj të po këtij viti, mirëpo e vetmja kërkesë e plotësuar ishte takimi me ministrin edhe atë pas disa muajsh, por që përsëri nuk u ofrua ndonjë zgjidhje./Gazeta Infokus/

LEXO EDHE: ALARMANTE: Drejtorët e klinikave në QKUK tejet të shqetësuar, pacientët në panik

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera