Fokus

Norvegjezi i UÇK-së që u plagos ditën e parë që erdhi në Kosovë – “Me aparatin e Kadri Veselit bëra shumë fotografi”

Autori: Sylejman Sylejmani 21:12 | 14 June 2024

Gazetari norvegjez Paul Refsdal, është rikthyer përsëri në Likoc të Skënderajt.

Këtu ai takohet me dy shokët e luftës, Bali Berisha e Hazir Balaj.

Që të tre për muaj të tërë qëndruan së bashku në spitalin ushtarak të Zonës Operative të Drenicës.

-Advertisement-

Rikthimi në Likoc, e bën nostalgjik gazetarin Refsdal.

Në luftë, Paul Refsdal morri nofkën “Pitër”. Historia e tij është e jashtëzakonshme. Ai u plagos në ditën e parë që u nis për në Kosovë.

“Unë nuk kam pasur shumë njohuri për Kosovën, derisa kam dëgjuar për masakrën ndaj familjes Jashari. Unë kam punuar edhe në Bosnje më parë dhe vendosa të shkoj në Kosovë. I kam njohur mirë serbët, kështu që e kam ditur se UÇK-ja ishin djemtë e mirë. Kështu që unë doja të shkoja me ta. I bëra disa kontakte me shqiptarët në Norvegji. Ata më dërguan në Shqipëri dhe më lidhën me UÇK-në. Unë po shkoja me grupin përmes Pashtirkut në qershorin e vitit 1998. Përgjatë natës kur ne po ecnim, serbët e kishin përgatitur një pritë dhe kështu unë u plagosa nga një eksplodim që ndodhi afër meje. Kështu që ditën e parë unë u plagosa, isha pak i pafat… Ka qenë pak shok për prindërit dhe gruan time. Mirëpo, ata e kanë ditur se isha në duar të sigurta”, tregon Refsdal për Infokus.

Plagosjen, Pitër e konsideron si një përvojë të mirë, pasi njohu UÇK-në nga brenda.

“Unë u takova me Lulin. Dhe i tregova që dua të punoj si gazetar. Jam i plagosur, mirëpo akoma mund të eci dhe mund t’i bëjë disa gjëra. Atëherë ai ma ka lënë aparatin e tij, e ka pasur një fotoaparat. Gjithashtu mi dha disa para që t’i blej filmat, dhe kështu fillova të punoj pak nga pak, duke shkrepur fotografi…Fillimisht po bëja fotografi në spital. Sigurisht, ju duhet të ishit shumë të kujdesshëm, që të mos bëni fotografi të doktorëve, sepse ata ktheheshin në Prishtinë dhe serbët po thonin në atë kohë se nëse i fotografoni këta mjekë, do t’i detyrojmë të hanë gjithë atë që ndodhet në sallë të operacionit. Ka qenë e rrezikshme pjesa e doktorëve, kështu që nuk i kam fotografuar. Gjithmonë më është dashur të kërkoj leje për të shkrepur fotografi. Pastaj kam kërkuar leje që të shkrepi disa fotografi me UÇK-në dhe kam shkuar me Mujë Krasniqin, ia kam bërë disa fotografi”, rrëfen ai.

Pasi iu përmirësua shëndeti, Paul nisi të dal edhe në vijë të frontit me ushtarët e UÇK-së.

Këto janë disa nga xhirimet ekskluzive të tij në Koshare.

“I kam sjellur të gjitha videot dhe fotografitë e mija, të gjitha që nga viti 1998-1999 dhe ia kam dorëzuar Institutit të Krimeve të Luftës. U kam thënë që dua që këto fotografi të jenë në duart tuaja dhe ju duhet të jeni të gatshëm që t’ia jepni kujtdo që i kërkon. Janë materiale historike, janë evidenca të krimeve të luftës, masakrave dhe të tjerave, pra pjesa më e madhe është historike. Unë mendoj se njerëzit e Kosovës duhet të kenë qasje në të”, thekson Refsdal për Infokus.

Shokët e luftës, Hazir Balaj e Bali Berisha, tregojnë historitë e tyre me norvegjezin.

“Gjatë kohës sa ishim duke qëndru në Likoc në spital ushtarak, na vinin gazetat e pakta, “Koha Ditore” ose “Bujku”, edhe me një shkrim shënohej që kërkohet gazetari Paul Refsdal nga shoqata e gazetarëve norvegjezë, të cilët nuk kishin informacione për jetën e tij apo se çka ka ndodhë me të. Unë ja transmetova i thashë kqyre po të kërkojnë këta për me u lajmëru dhe me u tërheq ti bashkë me ta, ai më tha unë ilegalisht kam hy dhe ilegalisht do të dal. Nuk shkoj përmes kryqit të kuq apo përmes shoqatave që kanë qenë atëherë”, kujton Balaj.

“Ne e kemi pranu si njeri tonin duke e ditë që ky ka pas kontakte me njerëz të mëdhenjë të UÇK-së. Në atë kohë ne nuk e kemi ditë se kush është gjarpëri. E kemi ditë si emër gjarpëri, mirëpo nuk e kemi ditë kush është. Edhe ky kur vike prej Abrisë me u taku në Likoc, thojke po shkoj me u taku me “Gjarpërin”. Na i thojshim kush është gjarpëri, ai thojke “sekret ushtarak”, se qata e ka ditë shqip. Edhe e ka përmend që kamerën ja ka jep Luli. Që ne nuk e kemi ditë as atëherë kush është Luli”, rrëfen Berisha.

“Luli”, “Gjarpëri”, “Dhjetëshi” e ish-zëdhënësi i UÇK-së, 25 vite pas luftës janë duke u përballur me një proces gjyqësor në Hagë.

Për Paul Refsdal e gjithë kjo është vështirë e pranueshme.

“Mendoj se është e çuditshme sepse serbët kryen me mijëra krime lufte. Dhe janë qindra serbë kriminel të luftës në Kosovë dhe në Serbi dhe askush nuk po i kërkon ata. Ndoshta disa anëtarë të UÇK-së kryen disa krime, por problemi me UÇK-në ishte që ajo nuk ishte një ushtri e organizuar. E kujtoj që Luli po më tregonte, kur serbët po e sulmonin Rezallën, ai më thoshte se unë ju kam thënë që duhet të siguroheni që kjo rrugë është e mbyllur, mirëpo ata nuk më dëgjuan mua. Kjo do të thotë se edhe Kadri Veseli nuk mund t’i thoshte një komandanti në Rezallë që ta mbyllë këtë rrugë të cilën serbët po e përdornin për ofansivë. Pra ata i merrnin vet vendimet”, thotë ai.

Përveç Kosovës, Paul Refsdal ka punuar si gazetar edhe në shumë luftëra të tjera në botë.

Ka mbuluar luftërat në botën arabe, luftërat në kontinentin afrikan, e tash është duke punuar në Ukrainë./Gazeta Infokus/

Më poshtë gjeni rrëfimin e tij të plotë:


Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera