Fokus

Dokumentar: Rrëfimi për çlirimin e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 10:10 | 14 June 2024

Çlirim Rama këtë 12 qershor mbushi 25 vjet jetë. Datëlindjet e të riut nga Prishtina, kanë një lidhje të veçantë me historinë e Kosovës.

Saktësisht, 25 vite më parë Kosova u çlirua përfundimisht nga Serbia.

Një kapitull i ri nisi në qershorin e vitit 1999. Këtu fillon historia e re e Kosovës.

-Advertisement-

“Kam lindë më 12 qershor, kur ka qenë dita e Clirimit, diku te ora 05:20, ku ka qenë ajo koha që serbët vec kanë qenë duke ikë prej qytetit, duke u largu. Madej kanë bërë dëme duke u largu. Tregojnë që familjarët kanë dal me kërku doktor nëpër qytet, por ka qenë shumë e vështirë se ka qenë shumë kaos, presion, e kështu…Pjesën e lindjes e kanë kry familjarët. Ka qenë vajza e axhës që ka qenë në kërkim të një doktori nëpër qytet, edhe prindi gjithashtu ka qenë jashtë. E pjesën e lindjes e ka kry familja. Ka qenë një komandant i KFOR-it britanik. Në moment që kanë qenë në lagje, kanë gjujtë e kështu, ka hy brenda dhe na ka vizitu. E ka bo një foto me mua në krah dhe ideja ka qenë që pasi është cliru Kosova me i mbetë emri Clirim. Normal me përkthim që me i ra “Clirim”… Ndjehem shumë mirë që e mbaj këtë emër mas pari. Ndihna mirë që kam lindë në atë ditë. Është ndjenjë e mirë sepse më lidhë shumë me vendin tem”, ka thënë Çlirim Rama.

 

 

Sikur Çlirim Ramën, lufta e UÇK-së, e intervenimi i NATO-s më pas, frymëzoi një Kosovë të tërë.

Po ato ditë, gjenerali Agim Ceku, po përballej mbase me sfidat më të vështira në gjithë jetën e tij.

I ngarkuar me përgjegjësinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, Çeku ishte në epiqendër të gjithë këtyre zhvillimeve

“Më kujtohet si sot momenti kur ka kapitulluar Serbia, nënshkrimi i marrëveshjes së Kumanovës. U pa qartë që e fituam luftën. Edhe Serbia e pranoj që të tërhiqet nga Kosova. Normal që ishte një moment gëzimi, por ajo që më ka bërë përshtypje, gëzimi shumë më shumë ishte në palën serbe, në ushtrinë e tyre, e festonin shumë qysh janë mësu ata cdo humbje me e festu, me e shndërru në fitore. Atë natë, morrëm një informacion nga shtabi i NATO-s në shtabin e përgjithshëm tek unë, thanë një ekip ndërlidhës i NATO-s do të vij tek ju në selinë e shtabit të përgjithshëm dhe do të ju informoj për cfarë do të ndodhë tash se cka është marrëveshja e Kumanovës dhe cka pritet të ndodhë dhe cilat janë obligimet apo detyrimet tona si palë partnere e NATO-s. Dhe më kujtohet shumë mirë na thanë që ne ta zgjedhim një vend ku mund të zbresë helikopteri, ta ndezim një zjarr që të shihet dhe ashtu e bëmë. Edhe i dërguam koordinatat dhe po prisnim me padurim, po vjen ekipi i NATO-s. Nuk dëgjojshim as helikopterë as asgjë, prit prit, ishim diku nja dy kilometra larg selisë së shtabit të përgjithshëm, në malet e Berishës, kur po marrë një thirrje nga shtabi i përgjithshëm, po më thonë kanë ardhë oficerët e NATO-s. Diku ata kanë zbritë, akoma ishin forcat serbe. Momenti ma i gëzueshëm i jemi, kur e kam kuptu që misioni përfundoj është kur një majori britanez ja kam shtri dorën, edhe ai mua, dhe ma ka uru fitoren. Edhe unë e kam falënderu atë për fitore. Kështu që nga ora tre e mëngjesit NATO vec ka qenë në Kosovë. Këta janë ushtarët e parë që e kanë shkelë Kosovën dhe pikërisht në selinë e Shtabit të Përgjithshëm”, ka rrëfyer gjenerali Agim Çeku

Përgjatë kësaj kohe, gjenerali Çeku ishte shpesh në “objektivin” e fotoreporterit, Visar Kryeziu.

Ndonëse vetëm në fillim të njëzetave, Kryeziu u bë autor i disa prej fotografive më ikonike të Ditëve të Çlirimit të Kosovës.

“Kjo është fotografi e realizuar në Prishtinë menjëherë pas clirimit. Unë jam kthy më 13 qershor dhe sa e di unë, këto janë njësitet e para të KFOR-it britanik, para trupës kanë qenë njëfar njësie. Edhe dojshim me tregu prezencën e tyre që janë vendosë, janë ardhë dhe e kanë marrë Prishtinën… E qikjo foto për mua ka qenë fotoja ma e vecantë për shkak se këtu shihet një nanë me një qikë të vet duke dal, tash shihet që është rregullu, e ka marrë vajzën, e ka veshë mirë dhe në prapavijë i ki ushtarët britanez të cilët janë në gjendje gatishmërie në gjendje të luftës sepse faktikisht ashtu ka qenë”, ka treguar Kryeziu.

“Kjo foto është bërë në Prizren menjëherë pas clirimit. Tash na ja fillum me dal nëpër qendra të Kosovës me e gjetë këtë ndërrimin e realitetit, këtë kapitullin e ri të clirimit të Kosovës, edhe kjo është realizu në Prizren… Kjo ka ndodhë në qendër të Prizrenit. Unë e pashë një kamion me atë mbulojën e plastikës (ceradë që i thojshim përpara), edhe e nijsha njëfar zhurme, njëfar energjie, edhe për një moment po qelet anash dhe po i shoh disa uniforma që nuk kanë qenë standarde dhe ndryshojshin njëra prej tjetrës, edhe unë qaty dyshova që janë këta të UCK-së. Edhe jam hypë prapa në kamion edhe e kam qelë atë (ceradën) dhe kjo është ajo skena që e kam pa në momentin që e kam qelë ceradën. Unë i gëzum që i pashë këta, këta të lumtur që më panë mu, edhe e pata shkrepë këtë foto dhe ka qenë një prej fotove që unë hala sot e kësaj ditë e cmoj më së shumi”, ka vazhduar rrëfimin e tij fotoreporteri Visar Kryeziu.

Këta ushtarë të lirisë krah të fortë gjatë luftës i kishin gratë që iu bashkuan UÇK-së.

Në këtë album të fotografive, ushtarja Mirvete Hasani, ka mbledhur të gjitha kujtimet e luftës.

Fotografitë i ka realizuar vet. Fotoaparati u kthye gjatë luftës si armë e dytë për të.

“Kjo fotografi është bërë në Prekaz në lagjen Lushtaku, kemi nejtë atë ditë me Xhevën (Lladrovci). Ka qenë njëfar armëpushimi, kemi pas kohë me bisedu edhe për luftë edhe ajo fotografi atë ditë është bo. Xheva (Lladrovci) të vetmen fotografi e ka atë që e kemi bërë prej aparatit tim, nuk ka pas të tjera të luftës. Të vetmet ato tri fotografi jam… Ta them të drejtën, para një viti që e pata fatin që ta hap atë ekspozitë me ato fotografi, se i kam rujtë më shumë se fëmijët e mij dhe nja një vit kam bërë deri sa i kam selektu, sepse cdo fotografi ma kujton një ngjarje të vërtetë, sepse prej frontit, e kam pas mjaft të vështirë. Dy-tri fotografi në ditë dhe më shumë nuk mujsha sepse menjëherë u thellojsha në mendime edhe më vike vështirë se e disha se në cfarë rrethana janë bërë e cfarë fjalësh kemi fol në atë kohë”, kujton Mirvete Hasani.

Deri në ditën e çlirimit të Kosovës, gjërat nuk ishin të lehta.

Dikush e dha jetën, e dikush gjymtyrë të trupit. Ndër ta është Ylber Selmani, koreografi nga Ferizaj, që në luftë u bë ushtar i UÇK-së.

“Mua më shkojke shumë për dore vëzhgimi dhe deminimi. Unë shokëve të mij ua heksha minat kur kishin nevojë ata, hysha unë e pastrojsha terenin i largojsha minat. Ato minat nuk kanë qenë shkollë e jemja, nuk ka qenë zanat i jemi po m’shkojshin për dore. Më ka mjaftu me e pa dikënd duke e hekë minën edhe unë e kam hekë i dyti… Është plagosë Fadil Shurdhaj. Fadili është sot kryetar i invalidëve të luftës, përndryshe atëherë ka qenë bashkëluftëtar i yni. Fadili është plagosë, unë jam hy fillimisht me ja shpëtu jetën Fadilit, Fadili sot është fatmirësisht gjallë, edhe ai është me protezë. Fadili ka mbetë, Fadili ka qenë me dy shokë të vet, unë kam qenë vetëm me Enverin. Pseudonimi jem në luftë ka qenë sheherlija, e pseudonimi i Enverit ka qenë zorragjia. Këtu sheherli zorragji është një anekdotë në atë kuptimin. Me Enverin gjithmonë kemi keshë ti sheherli unë zorragji. Unë kam qenë me Enverin, Enveri më ka ndihmu shumë me e shpëtu Fadilin, ja kemi shpëtu jetën e kemi bartë, kur jemi kthy në të njëjtin vend ku u plagosë Fadili, jam plagosë unë. Unë jam plagosë me Xhevdetin, Xhevdet Limanin e Belincit, edhe ai është me protezë. Unë kam qenë dy metra para tij. Do të thotë për me e përshkru, unë e kam kapërcy minën e tij, e kam kalu, e kam kalu minën kam ra në tjetrin, qaty ku kam ra unë, dy metra pas meje ka ra Xhevdeti. Edhe qaq i bindun kam qenë që nuk ka mina, qaq i bindur kam qenë që është territor shumë i pastër, se i kisha pas hekë minat vet, po pa e ditë, nuk ka pas kush me na njoftu që serbët e kanë riminu gjatë ditës, kanë vendosë mina të reja. I kanë vendosë më mirë sesa që kanë qenë. Se qysh kanë qenë i kam gjetë unë, e tash kësaj here i kanë mendu pak ma me shkollë. Dhe unë jam plagosë. Pa e ditë që jam ra në mina, sepse kam mendu që kemi ra në pritë…. Xhevdeti më ka tregu, më tha Ylber, në fakt më tha “sheherli” jemi ra në mina, këmbën e këputa. Ai e ka ditë që e ka këputë këmbën, unë nuk e kam ditë”, rrëfen Selmani.

Kur kanë kaluar 25 vite nga përfundimi i luftës, tash Selmani ushtron një profesion larg uniformës.

Bashkë me gruan punojnë në paketimin e sheqerëve.

“Me trajtimin që na e ka bërë shteti nuk jam i kënaqur hic. Asnjëherë nuk kam qenë i kënaqur e as nuk jam. E me punën që e bëj jam i kënaqur, sepse kam arritë që me e majtë veten, me e majtë gruan, me e majtë familjen dhe kam arritë mos me u bo i 45-ti apo i 46-ti veteran që e ka varë veten. Pra unë vazhdoj me jetu, e shokët e mij që e kanë varë veten për kushte ekstreme, unë falë Zotit nuk kam ardhë deri në atë gjendje hala, përndryshe nja dy herë tri e kam pru veten deri në atë gjendje”, thekson Selmani.

Arton Hoti është një tjetër veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

UÇK-së, Hoti i ishte bashkuar si 17 vjeçar, duke u bërë një prej ushtarëve më të rinj.

Në mendjen e tij, akoma qëndron i freskët kujtimi, kur bashkë me shokë të luftës parakaluan në Skënderaj, për të treguar se liria ka mbërritur.

“Ishte ditë e jashtëzakonshme. Personalisht për vete po tregoj, atë gëzim që e kam pas, atë ditë vetëm kam qajtë. Nuk kam qajtë nga e keqja, por nga e mira, sepse i shifsha gjithkah flamurat kombëtar që valvitshin. Më kujtohet nga marshi këtu, i kam pas fëmijët tek miqtë që i kam në fshatin Novosellë të Magjunit, kah kam ardhë prej atje, gjithë kohën vec kam kajtë. Kam kajtë nga lumturia dhe gëzimi për lirinë e vendit, duke i mendu sakrificat dhe vuajtjet që i kemi pas. Duke i mendu gjithë ata bashkëluftëtarë që tashmë nuk janë në mesin tonë, sakrificën dhe vuajtjen e tyre, të cilët e dhanë edhe jetën dhe gjakun e tyre për lirinë e Kosovës, ne tash e gëzojmë këtë liri”, rrëfen Hoti.

“Nuk kemi pas ne gëzim. Po e them nga zemra se shumë bashkëluftëtarë tonë kanë pas qejf me e gëzu lirinë, kështu që ata shkuan dhe unë nuk mund ta përshkruaj, gëzim unë për veti nuk di, ndoshta gjeneratat e tjera, sepse ka pas bashkëluftëtare e bashkëluftëtarë shumë të fortë, mirëpo ne kemi humbë edhe shoqe e shokë të mirë. Kështu që nuk e kam ndje fort gëzimin”, ka shtuar Mirvete Hasani.

Ditët e çlirimit, kosovarët i kaluan me emocione të përziera. Dekada në përpjekje për liri, dhimbje për viktimat e luftës, e gëzim për qëllimin e arritur.

Çlirimi po vinte pas një sërë masakrash të përgjakshme që ndodhën gjithandej Kosovës. Krimet makabre të Serbisë e bindën NATO-n që t’i thyente rregullat dhe të intervenonte.

“Krejt këtë proces të menaxhimit të krizës në Kosovë, të luftës në Kosovë, e ka bërë “Grupi i Kontaktit”. Që do të thotë ministrat e jashtëm të vendeve të QUINT-it plus Rusia. Edhe kanë shku me kujdes. Në pesë faza është planifiku operacioni i NATO-s. Faza e parë ka qenë goditja e sistemit të komandimit dhe kontrollit mbi njësitë ushtarake policore. Kështu që nëse ju kujtohet në radhë të parë janë goditë qendra si Goleshi, sikur maja e Panqiqit në Kopaonik, ku janë ato nyjet e ndërlidhjes dhe komunikimit. Janë goditur postat, si posta në Prishtinë, aeroportet, kazermat. Gjithë ai sistemi i komandimit dhe kontrollit të forcave që të krijoj një kaos, një pasiguri në mesin e tyre. Kjo ka qenë faza e parë dhe është mendu që nëqoftëse faza e parë nuk jep rezultat, nuk dorëzohet Serbia, atëherë shkojmë në fazën e dytë. Faza e dytë ka qenë shkatërrimi i shtyllave të pushtetit të Millosheviqit, sic ishin Radio Televizioni i Serbisë, rafineria e naftës në Panqevë, fabrika e armatimit në Kragujevc, disa shtylla në të cilat mbështetet pushteti i tij. Faza e tretë ka qenë izolimi i forcave, që të dëmtohen akset rrugore, goditja e urave, hekurudhave, rrugëve, që t’i pamundësohet lëvizja dhe manovrimi i forcave serbe edhe brenda Kosovës por edhe nga Serbia në Kosovë”, ka treguar Çeku.

Dhe faza finale nga kujtimet e gjeneralit Çeku, është ajo kur pilotët nisën t’i bombardojnë vet caqet.

“Dhe faza e katërt ka qenë sic quhet “gjueti e lirë”, ku deri në këtë fazën e tretë të gjitha caqet kanë qenë statike, do të thotë nuk kanë qenë të lëvizshme, por të gjitha kanë qenë nga harta dhe goditjet kanë qenë të 100 për qinta. Faza e katërt ka qenë që aeroplanët kanë bombardu zonat e caktuara. I ka marrë dy tre pilotë dhe ju ka thënë ju sot do të operoni hajde të themi të Dukagjinit, të tjerët në zonën e Gjilanit apo Podujevës, në zona të ndryshme plus në Serbi. Aty pilotët kanë vendosë vet, kanë detektu caqe dhe në këtë fazë kanë ndodhë disa gabime, sikur goditja e kolonës së të zhvendosurve në Korishë, jemi goditë edhe ne në disa vende si në Koshare dhe në këtë fazë ne kemi pasur koordinim të drejtpërdrejtë, unë personalisht si shef i shtabit me komandën e KFOR-it në Kumanovë”, kujton Çeku.

Më në fund, pas 78 ditë bombardimesh, më 9 qershor “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç do ta të dorëzohej. Në Kumanovë nënshkruhet kapitullimi i Serbisë.

Mirëpo, vetëm dy netë më vonë, në Prishtinë ekzistoi rreziku real që të niste lufta e tretë botërore.

Në natën mes 11 dhe 12 qershorit të vitit 1999, trupat ruse zbarkuan në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, duke marrë nën kontrollën pikën më strategjike.

Pak orë pas tyre mbërrijnë edhe britanikët e francezët, mirëpo nuk u lejuan nga trupat ruse që hyjnë në aeroport

“Kanë qenë tensione edhe në nivelin e NATO-s. Konkretisht gjenerali Clark i ka kërkuar gjeneralit Jackson, komandantit në teren këtu, që t’i sulmoj të mos i lejoj që të futen në aeroport, sepse aeroporti ka qenë i paraparë të jetë komanda e KFOR-it. Në planin e shtrirjes së KFOR-it në Kosovë, komanda e KFOR-it duhet të jetë në aeroport. Aeroportet janë objekte të rëndësisë strategjike për cdo vend dhe ka pasur tensione në mesin e tyre. Është ajo fjalia e famshme e gjeneralit Jackson ku thotë “unë nuk dua të jem ai që e fillon luftën e tretë botërore”. Unë nuk e kam për atë pjesë të tensioneve mes tyre, mirëpo gjenerali Jackson ka kërkuar nga unë që për forcat ruse të mos shqetësohemi. Nuk janë forca relevant, nuk ndryshon asgjë për synimet e NATO-s, as planin e tërheqjes së forcave serbe, më ka garantu që kurfar ndryshimi nuk do të ndodhë pasi që ata janë hy, edhe ashtu doli, ashtu sic ka thënë gjenerali Jackson”, tregon Çeku.

25 vjet pas çlirimit, KFOR-i vazhdon të jetë prezent në Kosovë edhe pse me trupa te reduktuar. Mirëpo jo edhe forcat ushtarake ruse.

Në luftën e fundit në Kosovë u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.

Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999, ku u vranë 4 mijë e 82 persona.

Masakrat në Likoshan dhe Qirez të Drenicës  ku u ekzekutuan 24 civil, shënojnë fillimin e luftës së Kosovës, në shkurt të vitit 1998.

Vetëm pak ditë më vonë, në Prekaz të Skënderajt, pas një rezistence të lavdishme, mbi 50 anëtarë të familjes Jashari do të flijoheshin heroikisht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera