Fokus

ALARMANTE: Drejtorët e klinikave në QKUK tejet të shqetësuar, pacientët në panik

Autori: Ermirë Berisha 21:14 | 30 June 2022

Numri i rasteve me virusin Covid-19 ka filluar të rritet dukshëm, por të shkosh për trajtim në spital e të mos ketë kush të kujdeset për ty padyshim që është shumë shqetësuese, kjo shpeshherë mund të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen shëndetësore të pacientëve, shkruan Gazeta inFokus.

E kjo është një situatë e cila për 7 muaj rresht çdo ditë i ka shoqëruar pacientët të cilët kanë qenë të hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Janë 6 klinika të cilat kanë shprehur shqetësim të jashtëzakonshëm nga mungesa e stafit të mesëm infermieror, ku sipas tyre kjo gjendje mund të ketë pasoja edhe më shumë nëse nuk ndermirën masa nga Ministria e Shëndetësisë.

-Advertisement-

Drejtori i klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, ekskluzivisht për Gazetën inFokus ka treguar se si pasojë e virusit Covid-19, numri i pacientëve është rritur, e ajo çka më shumë po e përkeqëson situatën është se për pacientët e hospitalizuar nuk ka kush të kujdeset.

“Por siç dihet gjatë kësaj kohe të pandemisë nevojat për pulmolog kanë qenë shumë të mëdha edhe nevojat e kërkesat e pacientëve kanë qenë normalisht më të mëdha, problemi më i madh i cili na ka përcjell ka qenë problemi i stafit të mesëm për infermierë edhe gjatë kohës së pandemisë edhe sidomos tash që iu është ndërprerë edhe kontrata stafit infermier që kanë ndihmu në kohen e pandemisë edhe momentalisht nevojat janë shumë më të mëdha për stafin infermier edhe këtu në kliniken e pulmologjisë sidomos në ketë kohë gjatë verës ku do të organizohen edhe pushimet vjetore”, ka thënë Dr. Hoxha.

Me të njëjtën brengë është shprehur edhe drejtori i klinikës së Otorinolaringologjisë Dr. Arsim Behramaj.

“Në aspektin e stafit jemi keq, tek ne ka mungesë mjaftë të madhe sidomos të motrave instrumentare që punojnë në sallë mirëpo edhe stafit tjetër qe janë nëpër reparte mirëpo ka mungesë edhe të stafit mbështetës  p.sh personat që e bartin pacientin personat që pastrojnë që mirëmbajnë d.m.th. krejt janë në mungesë”, ka deklaruar Behramaj.

Kurse drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, ka treguar se aktualisht si pasojë e mungesës së infermierëve, është e pamundur të funksionojnë me kapacitete të plota.

“Kapacitete të plota të resurseve humane nuk kemi, mjeke i kemi 35 motra i kemi 76 dhe duke e ditur që disa kanë probleme shëndetësore e disa janë në pushime të lehonisë dhe të shtatzënisë   atëherë kemi mungesë të stafit sidomos të mesëm”,  është shprehur Jashanica për Gazetën inFokus.

Kërkesa të mëdha për infermierë shtesë vazhdojnë të kenë edhe klinikat tjera të cilat funksionojnë në kuadër të QKUK.

Drejtoresha e klinikës së Neonatologjisë, Hajrie Ismaili, ka potencuar se për të filluar një shërbim të ri patjetër duhet të ketë rritje të stafit të infermierëve.

“Stafi specialistik tani për tani i mbulon nevojat, do të fillojmë edhe me një shërbim te ri te cilin mendojmë ta jetësojmë ketë vit shërbimi i transportit neonatal e kemi nevojë ende për staf shtesë”, ka thënë Ismaili për Gazetën inFokus.

Virusi Covid-19 ka shkaktuar dëme edhe të shëndetit mendor, e cila ka bërë të rritet numri i pacientëve.

Kjo mungesë e madhe e numrit të infermierëve ka përkeqësuar situatën edhe në klinikën  Neuropsikiatrisë, ku sipas drejtorit, Faton Kullovci, situata është shumë e vështirë.

“Numri i infermierëve është vetëm dyfishi kemi d.m.th. 47 infermierë në kuadër të klinikës së psikiatrisë dhe ky në momente të caktume nuk është numër i mjaftueshëm sidomos në repartin e urgjencës dhe intensives psikiatrike ndonjëherë kemi vështirësi për ti menaxhuar situatat për shkak të mungesës së stafit”, ka deklaruar Dr. Kullovci.

E vulën kësaj situate shqetësuese ia ka dhënë një pacient i cili po trajtohet në Klinikën e Pulmologjisë, duke treguar gjendjen reale brenda klinike./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera