Fokus

Ish-zv. ministri për Integrime Evropiane tregon qëllimin e Vuçiqit: Targat nuk janë problem i Serbisë

Autori: Elvira Haxhiu 17:24 | 23 November 2022

Kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të afatit 48 orësh që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kërkoi nga kryeministri, Albin Kurti, për shtyrjen e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale serbe në Kosovë. Fazë kjo që parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 euro për qytetarët që ende nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre me targa RKS dhe qarkullojnë me ato ilegale.

Mirëpo, sipas ish-zëvendësministrit për Integrime Evropiane, Taulant Kryeziu, problemi i Serbisë nuk janë targat, por përmes çështjes së targave presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka qëllim ndryshimin e planit franko-gjerman.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, Kryeziu thotë se problem për shtetin serb është se kush qeverisë në pjesën veriore të Kosovës.

-Advertisement-

“Nga ajo që kemi pa edhe në deklarimet publike, Kosova ka qenë e gatshme me diskutu për planin, mirëpo duket që Serbia ka tendencë për ta ndryshu kornizën franko-gjermane dhe mënyrën. Targat si të tilla nuk janë problem në vetvete për Serbinë, por problem është që kush është qeveria sovrane në atë pjesë të territorit të Kosovës dhe përmes targave ai ka dy qëllime me tentu me ndryshu kornizën franko-gjermane”, ka thënë ai.

Gjithashtu, sipas ish-zëvendësministrit pala serbe nuk është e interesuar për dialog.

“Mirëpo ajo që po shihet nga pala tjetër nga Serbia që nuk kanë interes për dialog, nuk kanë interes të diskutojnë për planin, qëllimi i tyre është që ta ndryshojnë këtë kornizën franko-gjermane dhe ndërkohë prodhojnë situata të tilla”, ka deklaruar Kryeziu për Infokus.

Derisa ai ka potencuar se është e rëndësishme që të ruhet roli arbitrues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.

“Unë mendoj që Kosova duhet me ngulm dhe patjetër ta ruaj partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët mbesin arbitruesi i vetëm i besueshëm në këtë proces”, shtoi Kryeziu.

Për çështjen e targave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan të hënën e 21 nëntorit në Bruksel, nën monitorimin e nikoqirëve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Mirëpo edhe pas diskutimeve të gjata, nuk u arrit ndonjë marrëveshje mes dy vendeve.

Këtë e konfirmoi Borrell në një konferencë për media pas takimit.

“Fatkeqësisht ata nuk ranë dakord për një zgjidhje sot. Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne parashtruam një propozim që presidenti Vuçiq e pranoi sot ndërsa kryeministri Kurti jo”, u shpreh ai.

Si duket targat dhe situata në veri kanë ndikuar edhe në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ku propozimi këtë çështje është hequr nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Një gjë e tillë u konfirmua nga presidenca çeke për Gazetën Infokus.

Ndryshe të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Ndërsa momentalisht është duke u zhvilluar edhe një takim në mes të dy krye negociatorëve, Zëvendës kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq me ndërmjetësues të dërguarin e posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera