Fokus

Mos arritja e marrëveshjes për targat, si ndikoi kjo në heqjen e liberalizimit të vizave nga agjenda e BE-së?

Autori: Elvira Haxhiu 11:50 | 23 November 2022

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është hequr nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Një gjë e tillë u konfirmua nga presidenca çeke për Gazetën Infokus.

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane dhe ish zëvendës ministri për Integrime Evropiane, Taulant Kryeziu, në një prononcim për Infokus e ka quajtur skandaloze lidhjen e dialogut me procesin e liberalizimit të vizave. Kjo pasi sipas tij Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

I pyetur nëse në këtë heqje nga agjenda e sotme ka ndikuar takimi i së hënës në Bruksel, ku nuk u arrit ndonjë marrëveshje për targat, Kryeziu thotë se veprimet e sotme e konfirmuan një gjë të tillë, e cila sipas tij është e padrejtë për qytetarët e vendit.

-Advertisement-

“Mirëpo ajo që pamë sot po duket që po e jep këtë përgjigjen në pyetjen që ju e shtruat dhe mendoj që kjo është një padrejtësi shumë e madhe që i bëhet qytetarëve të Kosovës. Kosova vazhdon të mbetet vrimë e zezë në mes të Ballkanit Perëndimor, ku gjitha vendeve për rreth u janë liberalizu vizat, ka më shumë se një dekadë, Kosova mbetet vendi i vetëm, përkundër asaj që ka pasë udhërrëfyesin më sfidues se të gjitha këto vende”, ka thënë Kryeziu për Infokus.

Edhe nga presidenca çeke e BE-së për Infokus kanë thënë se çështja e vizave për Kosovën është hequr nga agjenda për shkak të mos arritjes së një marrëveshjeje për targat.

Kjo çështje parashihte lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Mirëpo sipas zëdhënëses Eva Hrncirova, çështja e vizave do të jetë në agjendën e javës së ardhshme derisa ka thënë se “Tema u hoq nga rendi i ditës së COREPER (Ambasadorëve) sot”.

Presidenca çeke bën thirrje për “deeskalim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë në lidhje me targat e veturave”.

Ndryshe të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Derisa, kujtojmë se vendimi për shqiptimin e gjobave për targat ilegale serbe është shtyrë për 48 orë në mënyrë që të arrihet një zgjidhje dhe ky afat përfundon nesër (e enjte) në mëngjes./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera