Fokus

Ekskluzive: Gjykata Kushtetuese i’a rrëzon Albin Kurtit edhe ligjin për Fondin Sovran

Autori: Gazeta inFokus 17:09 | 04 April 2024

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin në lidhje me ligjin për Fondin Sovran.

Gazeta Infokus nga burime të mirë informuara brenda Gjykatës Kushtetuese merr vesh ekskluzivisht se është vendosur për rrëzimin e këtij ligji. Sipas këtij burimi, vendimi në lidhje me rrëzimin e ligjit për Fondin Sovran pritet të publikohet brenda pak ditësh nga Gjykata Kushtetuese.

Me shumicë votash të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është rrëzuar ky ligj bazuar në ankesat që kanë bërë dy partitë më të mëdha opozitare në vend.

-Advertisement-

Fondi Sovran ishte njëri ndër premtimet kryesore të kryeministrit, Albin Kurti i cili u miratua në Kuvend në dhjetor të vitit 2023, mirëpo tri ditë më pas, partitë opozitare, ashtu si edhe për disa vendime tjera të pushtetit, kërkuan interpretim të ligshmërisë.

Kështu dy partitë opozitare vendosën që Ligjin për Fondin Sovran të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Fillimisht, Lidhja Demokratike e Kosovës me 22 dhjetor e më pas edhe Partia Demokratike e Kosovës, me 26 dhjetor të cilat këtë ligj e quanin të rrezikshëm sepse sipas tye cenon parimet themelore të organizimit ekonomik të shtetit.

Kryeministri Albin Kurti, pas miratimit të Ligjit për Fondin Sovran, mes tjerash kishte thënë se ai do t’i forcojë ndërmarrjet publike, do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend.

“Me themelimin e këtij fondi do të kalojmë nga një sistem i privatizimit të aseteve shtetërore”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, me këtë i jepet fund sistemit i cili më shumë u ka shërbyer interesave të individëve të pushtetshëm.

Por çfarë është Fondi Sovran?

Fondi Sovran nga qeveria Kurti është vlerësuar si projekti më i madh ekonomik ndonjëherë në vend.

Fondit Sovran pritej t’i barteshin pasuritë më të rëndësishme publike të Kosovës.

Në këtë pasuri, me të cilën synohej të menaxhonte Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë ishin 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barteshin Fondit Sovran.

Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: Miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.

Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë: Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik “Trepça”, Trainkos-iInfrakos-i.

Fondi Sovran do t’i merrte nën pronësi asetet strategjike të Kosovës pra në përgjegjësi ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëheshin.

Fondi Sovran, sipas projektligjit, po ashtu ka në funksion edhe themelimin e ndërmarrjeve të reja si dhe mund të investojë në tregje financiare dhe tregje të kapitalit brenda dhe jashtë vendit.

Projektligji për Fondin Sovran, u publikua më 13 mars dhe deri me 2 prill të vitit 2023, ka qenë në konsultim publik.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synonte “zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.​/Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera