Fokus

Ku shkojnë miliona euro të Ministrisë së Shëndetësisë të ndara për spitalet private?

Autori: Doresa Geci 19:18 | 17 May 2019

Miliona euro të buxhetit të vendit Ministria e Shëndetësisë ndanë për pacientët që trajtohen jashtë institucioneve shëndetësore publike të vendit.

Këto para i marrin spitalet private brenda dhe jashtë Kosovës.

Shërbimet shëndetësore të cilat duhet të trajtohen në Pediatri, Ortopedi, Oftalmologji, ORL, e të tjera kryhen në spitale private.

-Advertisement-

Për këtë Ministria e Shëndetësisë ka të ndarë para të majme, shkruan Gazeta inFokus.

Vetëm brenda vitit 2018, Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Uran Ismaili ka shpenzuar 9.2 milion euro për kurimin e pacientëve jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike në Kosovë.

Me arsyetimin se mungojnë kushtet adekuate në spitalet publike paratë kanë shkuar tek spitalet private.

Në bazë të dhënave që Gazeta inFokus ka siguruar nga Ministria e Shëndetësisë vetëm në vitin 2018, 1,432 pacientë kanë aplikuar për të përfituar nga ky fond. E nga ky numër 1, 395 pacientë e kanë fituar këtë të drejtë.

Ndërsa në periudhën janar – mars 2019 kanë aplikuar 344 pacientë, por vetëm 200 prej tyre kanë marre  para nga shteti për shërim jashtë QKUK.

Sipas përgjigjeve të cilat Gazeta inFokus ka marrë nga zyra për informim përzgjedhja e vendit për tu shëruar bëhet nga vetë pacientët.

“Në bazë të përzgjedhjes së vendit/shtetit të trajtimit nga vetë qytetarët/pacientët, shtetet që ata kanë preferuar të trajtohen janë: Kosova, Turqia, Shqipëria, Maqedonia, Gjermania, etj”, thuhet në përgjigjet e MSH për Gazetën inFokus.

Por në ministrinë e drejtuar nga Uran Ismaili nuk kanë dhënë informacione se cilat spitale nga sa para kanë përfituar nga ministria e shëndetësisë.

Përkundër kësaj fondin të cilin MSH-ja e ndanë, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë e quan si të pamjaftueshëm.

“Sa i përket fondit për trajtim jashtë institucioneve publike konsiderojmë  se është shumë i vogël për faktin se një numër i madh i shërbimeve  shëndetësore nuk kryhen brenda institucioneve publike dhe janë shumë  pacientë që kanë nevojë për mbështetje”, thuhet në përgjigjet e kësaj shoqate.

Sipas Shoqatës së Pacientëve , mohimi I të drejtës për tu financuar, vonesa të mëdha deri në financim, pastaj edhe burokracia janë vetëm disa nga ankesat që pacientet kanë.

Për të larguar këto problem të cilat i kanë pacientët kjo shoqatë ka një sugjerim.

“Zgjidhja e vetme që mund të bëhet sa i përket këtij problemi është fillimi i implementimit të Skemës së Sigurimeve Shëndetësore”, ka thënë zyrtaret e kësaj shoqate për Gazetën inFokus.

Por sipas kryetarit të Odës së Mjekeve të Kosovës, Pleurat Sejdiut tek ky institucion nuk ka pasur ndonjë ankesë lidhur më këtë fond.

“Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë ankesë që ka ardhur në Oden e Mjekeve” ka thënë Sejdiu./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera