Fokus

Punësohet burri i kryetares së Kuvendit në Ferizaj në konkursin e kurdisur

Autori: H. Smajli 10:31 | 26 October 2020

Qëllimi për të punësuar burrin e kryetares së Kuvendit në Ferizaj, Kristina Gashi Bytyci, nga Partia Demokratike e Kosovës, u realizua.

Bëhet fjalë për Gazmend Bytycin, i cili është pranuar në punë si mësimdhënës në lëndën “Makineri”, në shkollën e mesme teknike “Pjetër Bogdani”, në këtë qytet.

Gazeta inFokus ka raportuar më parë se konkursi në fjalë është hapur pikërisht për këtë person dhe se orët në shkollë ishin ndarë për Gazmend Bytycin ende pa u hapur konkursi nga Drejtoria e Arsimit.

-Advertisement-

Përderisa me datën 2 shtator është ndarë orari në shkollë për këtë lëndë, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt ka hapur konkurs tek me 14 shtator.

Gazeta inFokus po ashtu posedon edhe orarin me emrin e Gazmend Bytycin me datën 2 shtator ku u ndanë orët e makinerisë për të ende pa u hapur konkursi.

LEXO EDHE: Drejtoria e arsimit në Ferizaj hap konkurs “sa për sy e faqe”

E me datën 16.10.2020, Drejtoria e Arsimit ka shpallur rezultatin ku thuhet se në punë është pranuar pikërisht Bytyci, i cili sipas vendimit ka fituar me 81,7% të pikëve.

E drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ka thënë për Gazetën inFokus se konkursi është hapur në kohën kur është kërkuar nga Drejtoria e Shkollës.

Sipas Llabjanit ata hapin konkurs në momentin kur njoftohen nga shkolla, shkruan Gazeta inFokus.

Ndërsa Drejtori i Shkollës “Pjetër Bogdani”, Isuf Calaj ka konfirmuar se Gazmend Bytyqi ka qenë më herët punëtor i kësaj shkolle dhe sipas tij më herët dhe ka pas mundësi me mbajt ndonjëherë mësim për të zëvendësuar ndonjë profesor që mungon.

Mirëpo ai nuk ka pranuar që orët janë ndarë për Gazmend Bytycin para se të hapej konkursi, shkruan Gazeta inFokus.

Madje sipas tij është pikërisht ai që i ka kërkuar Bytyqit të shkojë ta aplikojë pas hapjes së konkursit.

“Bile i dëgjova disa fjalë që me thanë është hazër, por unë i thashë o zotëri shko ti konkurro, por nuk e di se nga po rrjedhin disa gjana. Lirisht mundeni me ardhë me pa që nxënësit janë t’u e humb mësimin, nganjëherë zëvendësohet nga mësimdhënës për praktikë profesionale mirëpo absolutisht nuk ka pas asnjë emër në ndarjen e orëve. Për këtë është dashtë me u hap konkursi se është nda edhe një paralele në këtë shkollë. Por absolutisht mësimdhënës i ri nuk është duke mbajt mësim në shkollën teknike”, ka thënë Calaj për inFokus.

Ndërsa Gazmend Bytyci tashmë i pranuar në punën nga konkursi që ishte hapur për të ai ka të drejtë të hyjë në punë si çdo person tjetër në Kosovë po asesi nuk ka pranuar se orët janë ndarë para kohe për të.

“A s’kam të drejtë me u punësu unë a? Edhe unë kam të drejtë të aplikoj për punë si çdo njeri tjetër, jam i papunë për momentin kam apliku. Të tjerat janë dezinformata e paragjykime’, ka thënë ai.

E megjithatë Gazeta inFokus posedon dokumentin i cili tregon se me datën 2 shtator janë ndarë orët e Makinerisë për Gazmend Bytyçin./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera