Fokus

Drejtoria e arsimit në Ferizaj hap konkurs “sa për sy e faqe”

Autori: H. Smajli 10:15 | 07 October 2020

Drejtoria e Arsimit në Ferizaj ka hapur konkurs për një mësimdhënës në Shkollën e Mesme teknike “Pjetër Bogdani” për lëndën Makineri, shkruan Gazeta inFokus.

Por Gazeta inFokus mëson se me datën 2 shtator ende pa u hap konkursi për këtë vend pune, është ndarë orari për këtë lëndë, dhe atë për Gazmend Bytyqin që është burri i kryetares të Kuvendit në Ferizaj, Kristina Gashi-Bytyqi.

Derisa konkursi për këtë lëndë nga Drejtoria e Arsimit është hapur tek me 14 shtator, orët tashmë janë të ndara për Bytycin.

-Advertisement-

Drejtori i arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ka thënë për Gazetën inFokus se ata e kanë hapur konkursin në momentin që janë kontaktuar nga Drejtoria e SHMU “Pjetër Bogdani”, në Ferizaj.

“Në momentin kur neve na ka ardhur kërkesa nga Drejtoria e Shkollës ne e kemi hap konkursin. Sepse aty pas formimit të paraleleve janë shtuar orët. Shkollat profesionale kanë ka pak telashe me numrin e nxënësve sepse nëpër paralele kanë vetëm nga 24 nxënës për shkak të praktikave që i mbajnë. Tash është mbyll konkursi nëse nuk gaboj. Jemi në proces të përzgjedhjes së kandidatëve, se cili do të shkon aty tani”, ka thënë Llabjani për inFokus.

Ndërsa sa i përket orarit që është ndarë për Bytyqin, Llabjani ka thënë se është krijuar hapësirë për këtë lëndë për profesorin që do të vijë mirëpo që nuk ka pasur asnjë emër.

“Unë kam folur me drejtorin e shkollës dhe ai më ka thënë se orari u nda për shkak se profesori do të vijë mirëpo në ndarjen e orëve te kjo lëndë nuk ka pasur emër të profesorit vetëm ka qenë X dhe Y profesori se kush do të shkojë aty”, ka thënë drejtori i arsimit në Ferizaj për Infokus.

Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës në fjalë, Isuf Calaj i cili ka konfirmuar se Gazmend Bytyqi ka qenë më herët punëtor i kësaj shkolle dhe sipas tij më herët dhe ka pas mundësi me mbajt ndonjëherë mësim për të zëvendësuar ndonjë profesor që mungon.

Sipas Calajt nuk është e vërtet që emri i tij ka qenë në orarin e shkollës për lëndën “Makineri” dhe se Bytyqit i janë ndarë ato orë ende pa u hapur konkursi.

“Nuk është absolutisht e vërtet. Gazmend Bytyqi ka qenë punëtor i shkollës teknike ma herët, dhe ka mundur vetëm deri në hapjen e konkursit me mbajt mësim siç bëjmë ne të gjithë në mënyrë që të mos e humbin nxënësit mësimin. Mirëpo ne nuk kemi nda orë për të” ka thënë ai.

Madje sipas tij është pikërisht ai që i ka kërkuar Bytyqit të shkojë ta aplikojë pas hapjes së konkursit.

“Bile i dëgjova disa fjalë që me thanë është hazër, por unë i thashë o zotëri shko ti konkurro, por nuk e di se nga po rrjedhin disa gjana. Lirisht mundeni me ardhë me pa që nxënësit janë t’u e humb mësimin, nganjëherë zëvendësohet nga mësimdhënës për praktikë profesionale mirëpo absolutisht nuk ka pas asnjë emër në ndarjen e orëve. Për këtë është dashtë me u hap konkursi se është nda edhe një paralele në këtë shkollë. Por absolutisht mësimdhënës i ri nuk është duke mbajt mësim në shkollën teknike”, ka thënë Calaj për inFokus.

Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me Gazmend Bytyqin për të cilin janë ndarë këto orë para se të hapej konkursi nga Drejtoria e Arsimit.

Bytyqi për Gazetën inFokus ka thënë se ai ka të drejtë të hyjë në punë si çdo person tjetër në Kosovë po asesi nuk ka pranuar se orët janë ndarë para kohe për të.

“A s’kam të drejtë me u punësu unë a? Edhe unë kam të drejtë të aplikoj për punë si çdo njeri tjetër, jam i papunë për momentin kam apliku. Të tjerat janë dezinformata e paragjykime’, ka thënë ai.

E megjithatë Gazeta inFokus posedon dokumentin i cili tregon se me datën 2 shtator janë ndarë orët e Makinerisë për Gazmend Bytyçin, përderisa konkursi për të cilin ai thotë se ka aplikuar është hapur tek me 14 shtator./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera