Fokus

Procesi që fabrikat i bëri diskoteka po kërkohet të ndalet

Autori: Sylejman Sylejmani 15:21 | 10 November 2018

Nga 1888 punëtorë sa kishte dikur ndërmarrja shoqërore “Jatex” në Gjakovë ajo tani numëron vetëm disa dhjetëra.

Fatin e njëjtë të saj e patën edhe qindra ndërmarrje tjera shoqërore në Kosovë të cilat dekada më parë kishin nam të madh.

Disa prej këtyre ndërmarrjeve u është stërzgjatur procesi i privatizimit, përderisa për shumë të tjera privatizimi nuk ka qenë zgjidhje.

-Advertisement-

Ndërmarrjet e privatizuara, në shumë raste kanë përfunduar si depo apo iu është ndërruar veprimtaria.
Ka prej tyre që janë përdorur edhe për qëllime të tjera si për shembull diskoteka.

Se ky proces nuk ka shkuar në mënyrën e duhur, e thonë edhe përfaqësues të partive politike.
Deputetja e PDK-së, Sala Berisha Shala, e cila është edhe kryetare e komisionit për zhvillim ekonomik, në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë se procesi i privatizimit as më herët e as tash nuk po e arrin qëllimin e duhur.

“Mendoj që procesi i privatizimit edhe më herët por edhe tash nuk e ka arritur qëllimin e duhur, që do të thotë se nuk i ka ndihmu sa duhet zhvillimit ekonomik të Kosovës, nuk i ka ndihmu sa duhet hapjes së vendeve të reja të punës, ndërkohë që është dashtë të ndodhë privatizimi, por është dashtë të ndodhë me një analizë më të thellë i cili do t’i kontribuonte edhe buxhetit të Kosovës, do të hapte edhe vende të reja të punës”, thotë Berisha – Shala.

Për ndërmarrjet që kanë mbetur pa u privatizuar, ajo thotë se duhet rishikuar se cila do të ndihmonte në hapjen e vendeve të reja të punës dhe të punohej me to.

Nga ana tjetër, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu thotë se procesi i privatizimit duhet ndalet.
“E para e punës që duhet bërë është të ndalet ky proces i privatizimit me një vendim të qartë, që të bëhet një vlerësim i krejt privatizimeve që kanë ndodhë këtu në Kosovë dhe të shohim prej atyre që kanë mbet se si mund të ndërtojmë një bazë të re industriale për këtë vend. Duhet ta luftojmë disbalancin tregtar dhe besoj që kjo mund të bëhet vetëm me industrializim duke e pa se sa mundemi këto asete shoqërore me shndërru në ndërmarrje të suksesshme”, vlerëson ai.

Mendimi i të gjitha qeverive të pasluftës, sipas tij ishte që të shiten krejt ndërmarrjet.

“Mendimi aktual për ekonomi i qeverive të 18 viteve të pasluftës është i thjeshtë, shiti krejt. Me idenë që vjen një investitorë i huaj i merr dhe i rimëkëmbë. Por ka ndodhë e kundërta. Ato janë shitë dhe janë shndërru në një prej tri gjërave, ose janë shitë për hekur, ose janë shndërrua në hipermarkete ose në diskoteka. Pra pak prej tyre janë rivitalizu si ndërmarrje e fabrika”, thotë Sejdiu.

E deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci vlerëson se për gjithë procesin e privatizimit duhet të bëhet një studim fizibiliteti.

“Ne mendojmë se fillimisht është e nevojshme që të bëhet një studim i fizibilitetit, në secilën prej ndërmarrjeve, të shihet se si mund të vazhdohet. Pastaj të vazhdohet tutje duke u munduar të ruhet destinimi që ato e kanë pasur. Pra, duhet të ketë kujdes që të mos shfrytëzohet objekti apo hapësira për qëllime krejt tjera”, thotë Nagavci.

Ajo si storie suksesi merr Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë.

“Praktika ka tregu se ndërmarrjet publike me një menaxhim të mirë mund të jenë të suksesshme, mund të marrim si shembull Ndërmarrjen e Publike Banesore në Prishtinë, e cila prej një prej ndërmarrjeve me shumë probleme, ka kaluar në një prej ndërmarrjeve më profitabile dhe më të suksesshëm”, tregon ajo.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se problemi i këtyre ndërmarrjeve, është edhe problem i gjithë sektorit privat.

“Problemi i ish-ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë është problem zhvillimor i gjithë sektorit privat në Kosovë. Na duhet stabilitet politik dhe ekonomik për të mundësuar planifikim afatgjatë të investimeve private. Na duhet një ambient i siguritë për investime të jashtë”, thekson Hoti.

Megjithëkëtë nami i këtyre ndërmarrjeve, sipas deputetëve është shumë problem që të kthehet./Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera