Fokus

Kryeministri i të ‘papriturave’

Autori: Sylejman Sylejmani 20:33 | 19 July 2019

Në mënyrë të papritur, në një kohë kur kundërshtonte ashpër qeverisjen e kaluar PDK-LDK, Ramush Haradinaj vendosi që në zgjedhjet e reja të futej në koalicion parazgjedhor pikërisht me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ky ishte vetëm fillimi i shumë vendimeve të ‘papritura’, të cilat Haradinaj do t’i merrte më pas si Kryeministër i zgjedhur me votat e PDK-së, AAK-së, Nismës e Listës Serbe, shkruan Gazeta inFokus.

Përkundër shumë partive të cilat u bënë pjesë e Qeverisë, Haradinaj nuk ia doli të bëhej Kryeministër, deri sa në skenë nuk doli Behgjet Pacolli, i cili me votat e partisë së tij ia mundësoi këtë gjë.

-Advertisement-

Pak muaj pas ardhjes në pozitën që e deshi aq shumë, Haradinaj papritur ia ngriti vetes pagën.

Nga dy mijë e 300 euro sa e kishte pagën kryeministri, ai e ngriti atë në dy mijë e 900 euro, shkruan Gazeta inFokus.

Mirëpo, ai nuk i la keq as kolegët e tij në Qeveri, të cilët gjithashtu përfituan rritje të konsiderueshme të pagave.

Në një kohë kur gjendja ekonomike në Kosovë është e rëndë, ky vendim i Kryeministrit u konsiderua si një goditje e rëndë për qytetarët.

Ditët, javët e muajt e parë në pozitën e re, Haradinaj i kaloi edhe me disa vendime të tjera ngutshme.

Falja e borxhit për ambalazhuesit e ujit e shpronësimi i tokave në Shipitullë ishin vetëm dy prej tyre.

Vendimet e rëndësishme për taksën e ushtrinë

Pas dështimit për t’u pranuar në INTERPOL, Qeveria Haradinaj vendosi që t’i kundërpërgjigjej Serbisë e cila loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Fillimisht, u mor vendim që të vendosej një taksë prej 10 për qind ndaj produkteve që futen në vend nga Serbia e Bosnja.

Mirëpo, papritur kjo taksë pas pak kohësh shkoi në 100 për qind dhe përkundër shumë presioneve për ta larguar, Haradinaj vendosi që ta mbajë atë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm, por që u mor në shpejtësi ishte ai për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, shkruan Gazeta inFokus.

‘Vendimet e papritura’ e shoqëruan përgjatë tërë kohës Haradinajn, një prej të cilave edhe vendimi për ta paguar borxhin ndaj Bechtel Enkas, e ato për shpërndarjen e parave për kategori të ndryshme sociale.

E ashtu si erdhi në pushtet, në mënyrë të papritur gjatë pasdites së të premtes në mbledhjen e Qeverisë, Haradinaj njoftoi për dorëheqjen e tij.

Pas një ftese të Gjykatës Speciale, kryeministri tha se vendosi të hiqte dorë nga pozita e Kryeministrit, por theksoi se do të provojë të rikthehet sërish në zgjedhjet e reja.

Vendimin tha se e mori pasi nuk dëshiron që ta vendosë Kosovën në një pozitë, ku kryeministri i saj përballet me një proces gjyqësor.

Kjo është hera e dytë që Haradinaj jep dorëheqje nga Kryeministri, për t’u ballafaquar me aktakuzat për krime lufte.

Në dy proceset e kaluara, ai ishte shpallur i pafajshëm. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera