Fokus

Kështu komunikon me gazetar kjo Ndërmarrje Publike në Kosovë! (VIDEO)

Autori: Sylejman Sylejmani 22:10 | 12 February 2019

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë, shkurt KOSTT, në shekullin 21 ka filluar të aplikojë një mënyrë të çuditshme të komunikimit.

Kjo kompani publike, ka vendosur që të mos pranojë pyetje, ankesa e sugjerime nga Gmail, MSN, Yahoo e formate të tjera të komunikimit elektronik, shkruan Gazeta inFokus.

KOSTT pranon emaile vetëm nga emailat zyrtare, siç do të ishte për shembull një email ‘[email protected]’.

-Advertisement-

Një problem të tillë e kanë hasur gazetarët e Gazetës inFokus, kur kanë tentuar të marrin disa përgjigje nga kjo kompani.

KOSTT ka kërkuar që pyetjet t’u dërgohen me zarf.

Këtë gjë e ka bërë edhe gazetari, që ka printuar pyetjet, i ka futur në zarf e ka shkuar deri në KOSTT për ta dërguar atë.

Diku kah fundi i ditës, erdhi telefonata në redaksi që tashmë përgjigjet janë gati dhe mund të shkojmë e t’i marrim ato.

Sërish gazetari është detyruar që të shkojë e t’i marrë përgjigjet në zarf, në objektin e KOSTT-it.

Arsyetimi i kësaj kompanie ka qenë që gjithë këtë punë po e bëjmë për shkaqe të sigurisë kibernetike.

Megjithatë, këtë veprim Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka konsideruar skandaloz e absurd.

Arsim Halili, anëtar i bordit të AGK-së ka thënë se është banale që në një kohë të zhvillimeve teknologjike e dinamizmit të jetës, të kërkohet që pyetjet të dërgohen me zarf.

“Sa i përket kësaj çështje ky veprim konsideroj se është skandaloz dhe absurd, i paparë dhe i padëgjuar për një shoqëri demokratike çfare aspirojmë, ku e drejta e lirisë së informimit është e shenjtë. Mendoj se gazetarët dhe mediat kanë të drejtë për qasje të papenguar në informacionet dhe burimet dhe çdo veprim kundër këtij parimi na i kujton sistemet e errëta të së kaluarës ku nuk ka pasur qasje të duhur në informacion. Në këtë kohtë të zhvillimeve teknologjike dhe dinamizmit të jetës, konsideroj se një kërkesë e tillë për të dërguar pyetje me zarf, është më tepër se banale dhe e papranueshme dhe e paarsyeshme”, ka thënë Halili.

Ai ka shtuar se nuk beson që kjo ka të bëjë me rregulla të brendshme të kompanisë, por me një tendencë të hapur për të penguar punën e gazetarëve.

Edhe për gazetarin kosovar me shumë përvojë, Nehat Islami ky veprim është primitivizëm.

Islami i cili raportoi nga shumë luftëra nëpër botë thotë kjo gjë nuk guxon të ndodhë.

“Kjo është vështirësi e cila nuk guxon me ndodhë. Kjo është një ndërmarrje e njohur e cila nëse dëshiron për dy minuta e rregullon emailin e vet. Emaili sot është një rrugë shumë moderne e komunikimit, nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Ata e kanë obligim me e rregullu emailin e vet”, thotë Islami.

“Nuk është e thënë që çdo njeri të shkojë në këmbë. Është primitive sepse ajo është një kompani e fort që nëse dëshiron për dy minuta mundet me e rregullu emailin”, tregon ai. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera