Fokus

Çfarë ndodhi në Gjykatën Speciale, nga akuzat për Thaçin e Veselin deri te arrestimet

Autori: H. Smajli 16:55 | 30 September 2020

Që kur Gjykata Speciale ia preu rrugën Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për në Washington, reagimet për punën e këtij institucioni u rritën në vend.

Por edhe aktiviteti i prokurorëve të speciales u shtua, shkruan Gazeta Infokus.

Ani pse ende e pa konfirmuar, me 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi për aktakuzën për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

-Advertisement-

Në këtë komunikatë thuhej se Thaçi e Veseli akuzohen për rreth 100 vrasje e që në aktakuzë ka edhe emra të tjerë të cilët nuk u bënë publik në atë kohë.

E aty thuhej edhe se Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm që të nxjerrët njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit e Veselit për të penguar e sabotuar punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Aktakuza për Thaçin e Veselin ende nuk është konfirmuar të paktën jo publikisht, e si duket aktakuza të konfirmuara nga Gjykata Speciale kishte edhe para kësaj të fundit por që nuk u publikuan deri në momentin e arrestimit të personave të akuzuar.

I pari që u arrestua ishte Salih Mustafa, ish eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u mor nga shtëpia e tij nga njësi të EULEX-it për tu transferuar në Hagë.

Në njoftimin nga Gjykata Speciale u tha se aktakuza e Mustafës ishte konfirmuar me 12 qershor ndërsa u arrestua me 25 shtator, shkruan Gazeta Infokus.

Mustafa sipas aktakuzës së Speciales akuzohet për vepra penale, torturën përfshirë edhe vrasjen.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa aty po ashtu thuhet se aktakuza e konfirmuar “përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”.

Po ashtu pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999, shkruan Gazeta Infokus.

Arrestimi i dytë i Speciales erdhi menjëherë ditën tjetër. Përsëri nga njësi të EULEX-it u arrestua kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i cili po të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.

E po në të njëjtën ditë me 26 shtator u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Haradinaj u arrestua pasditen e të premtes derisa po priste jashtë ndërtesës të një televizioni për një intervistë.

I pari që u paraqit para Gjykatës në Hagë ishte Salih Mustafa, me 28 shtator, tre ditë pas arrestimit të tij, e që në seancën e parë nuk pranoi të deklarohej pa praninë e avokatit.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë shkurt ai.

E paraqitjen e parë në Hagë pas Mustafës e pati Nasim Haradinaj, shkruan Gazeta Infokus.

Për Haradinajn në seancën e parë u tha se po akuzohet për frikësim dhe shpërndarje të dokumenteve konfidenciale.

Sipas fletarrestimit, ekziston dyshimi i bazuar se Nasim Haradinaj mbajti tre konferenca për shtyp ku ai shpërndau informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përmendi disa dëshmitarë të mundshëm, kjo sjellje përbën kërcënim të rëndë, ekziston dyshimi se Haradinaj është përgjegjës për kryerjen e veprës penale të hakmarrje…

Arrestimi i tij sipas Gjykatës u konsiderua i domosdoshëm kjo sepse ekziston rreziku i arratisjes së tij dhe se ai mund të përsërisë këto vepra penale.

E Haradinaj në Hagë e theksoi edhe një herë se nuk e njeh këtë Gjykatë të cilën sipas tij e votuan deputetët faqezinj të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

“Këtë gjykatë nuk e njoh, tash jeni me afat të skaduar më 2 gusht, nëse nuk më leni të bisedojë, unë nuk flas më. Kjo ka qenë gjithherë publike, keni 150 mijë nënshkrime nga popullata, që janë kundër kësaj gjykate, e faqezinjtë tanë deputetët tanë e kanë sjell situatën këtu që me na arrestu edhe pas skadimit të afatit”

“Jam padrejtësisht këtu, keni thyer çdo ligj, keni shkelur Kushtetutën e vendin tim. Nëse për këtë për mendim të lirë dënohet, unë në moshën 15-vjeçare jam arrestuar nga regjimi i Millosheviqit, jemi arrestuar për të drejtën minimale për mendimin e lirë”, tha Haradinaj.

Ndërsa i revoltuar ai nuk pranoi të lexonte atë që kishte shkruar pasi tha se po shihet që nuk ka disponim për tu dëgjuar ajo se çfarë do të thotë ai.

Kujtojmë se Gjykata Speciale u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me 3 gusht të vitit 2015.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët votuan pro kësaj Gjykate./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera