Fokus

A mund ti bëjë ballë Kosova vërshimeve eventuale?

Autori: Gazeta inFokus 18:37 | 14 May 2019

Reshjet e mëdha të shiut kanë përfshirë rajonin.

Përderisa në Kosovë gjendja nuk është ende alarmante, Bosnja e Kroacia, po përballen me vërshime të mëdha.

Kroacia po përballet me erëra të forta dhe rajone të tëra janë bllokuar plotësisht.

-Advertisement-

Situata më e mirë nuk është as në Serbi. Edhe atje disa pjesë të vendit janë vërshuar pas reshjeve të mëdha të shiut.

E rrezik nga vërshimet është paralajmëruar se mund të ketë edhe në disa zona në Kosovës.

Eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, në një prononcim për InFokusin ka thënë se nuk do të ketë vërshime të fuqishme siç është paralajmëruar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) por do të ketë vërshime vetëm në pjesët anësore të lumenjëve, e kjo ndodh për shkak se nuk janë ndërtuar shtretërit e lumenjëve.

“Nuk do të ketë vërshime të fuqishme por do të jenë vërshime vetëm në pjesët anësore të lumenjve  që janë shkatërruar nga dora e njeriut. Lumenjtë do të vërshohen për shkak se nuk janë ndërtuar shtretërit e tyre e ku ka degradim shumë të madh të tyre”, tha Tahirsylaj.

Ndërsa njohësi i çështjeve të emergjencave Tahir Ahmeti thotë se vërshimet paraqesin një gjendje të jashtëzakonshme ku përveç dëmeve të mëdha në tokat bujqësore mund të përkeqësohet edhe cilësia e ujit,  të kontaminohen puset e në raste më ekstreme mundë edhe të rrezikohet jeta e qytetarëve.

Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të reagojnë më herët dhe atë para sezonës së reshjeve, të merren masa parandaluese, të bëhet rregullimi i shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo përrockave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit, të kontrollohen dhe ndalohen prerjet e pakontrolluara të pyjeve në afërsi të zonave vërshuese.

Zëdhënësi i MMPH Leutrim Sahit për gazetën inFokus ka thënë se janë duke bërë investime në mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve, veprim ky që bën parandalimin e vërshimeve.

“MMPH vetëm gjate këtij viti ka realizuar realizon dhjetëra projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve në komuna të ndryshme të Kosovës”, bëri me dije Sahiti.

Por nëse ndodhë që nga vërshimet të dëmtohen kulturat bujqësoret, drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në MBPZHR  Isuf Cikaqi ka deklaruar se ky institucion nuk ka fond të veçantë të mjeteve për kompensimin e dëmeve që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore.

“MBPZHR ka punuar në mënyrë intensive së bashku me IFC – Bankën Botërore, por edhe me projekte të tjera më qëllim të përgatitjes së një sistemi për sigurimet bujqësore, projekt i cili tashmë e ka marrë formën finale dhe pritet që të fillon të implementohet këtë vit vetëm si pilot-projekt për disa kultura bujqësore dhe vetëm për disa nga dëmet që shkaktohen nga disa fatkeqësi natyrore”, ka theksuar Cikaqi për Gazetën inFokus./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera