Fokus

Xhafer Tahiri i le shkollat pa ngrohje, i dha tender 152 mijë euro kompanisë se dënuar për falsifikim

Autori: Doresa Geci 15:12 | 20 October 2020

Kompania “Bushgegu89” në pronësi të Milaim Bejtës është shpërblyer nga Komuna e Xhafer Tahirit me një tender në shumë prej mbi 152 mijë eurove.

Tenderi për furnizim me dru për ngrohje të shkollave fillore e të mesme të komunës së Vushtrrisë duket se do të përfundoj në duart të prokurorisë së shtetit pasi qe janë zbuluar një numër i madh i shkeljeve ligjore e dallavereve gjatë procesit të tenderimit.

Komuna e Vushtrrisë i dha tender kompanisë të dënuar për falsifikim dokumentesh. Përveç kësaj zgjodhi kompaninë për 30 mijë euro me çmim më të lartë se sa oferta tjetër më e favorshme, duke tejkaluar edhe çmimin e parashikuar për këtë proces të tenderimit. Këto “dallavere” tash rrezikojnë të gjitha shkollat e komunës së Vushtrrisë të mbesin pa ngrohje.

-Advertisement-

Kjo kompani u shpall fitues përkundër faktit qe kishte ofertën me çmimin me të lartë sesa operatori tjetër ekonomik, ishte mbi vlerën e parashikuar të kontratës dhe me renda kompania po del të jetë e dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për falsifikim të dokumenteve, shkruan Gazeta Infokus.

Këto shkelje ligjore të komunës së udhëhequr nga Xhafer Tahiri i LDK-së i ka nxjerrë në pah kompaninë “AOME sh.pk”.

Kjo kompani pretendon se i është bërë padrejtësi në këtë proces të tenderimit dhe e ka dërguar rastin në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) me pretendimet se vetë OSHP dhe komuna e Vushtrrisë bëri një serë shkeljesh ligjore gjatë procesit dhe shpalli fitues kompaninë “Bushgegu89”.

Fitues u shpall kompania me çmim mbi 31 mijë euro me të lartë se oferta e “AOME”

Një ndër shkeljet ligjore, sipas dokumenteve qe i ka siguruar Gazeta Infokus, kompania “AOME sh.pk” e ka përmendur dënimin e kompanisë “Bushgegu89” për falsifikim të dokumenteve.

Pronari i kësaj kompanie, Milaim Bejta në vitin 2017 u dënua nga Gjykata Themelor në Gjakovë për falsifikim të dokumenteve.

Këtë aktgjykim, gjyqtarja Iliriana Hoti e kishte shqiptuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari Bejta, të bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 korrik 2017.
Sipas prokurorisë, Milaim Bejta, akuzohej se në qershor 2012, në Gjakovë, me qëllim të shfrytëzimit si origjinal ndryshon dokumentin origjinal-vërtetimin e lëshuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës në emër të ndërmarrjes N.T.P “Bushgegu89”, me seli në Prishtinë.

Kjo me qëllim të konkurrimit në një tender për furnizimin me dru për nevoja të Komunës së Gjakovës, të cilin vërtetim e shfrytëzon si origjinal, duke lidhur kontratë me komunën e Gjakovës.

Me çka ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, nga neni 332 të Kodit të përkohshëm të Kosovës, shkruan në dokumentet e rastit në fjalë.

Mirëpo pronari i këtij operatori ekonomik, Miaim Bejta në një prononcim për Gazetën infokus, e ka mohuar se është i dënuar për falsifikim për dokumente.

“Jo një gjë e tillë është shpifje. Përzgjedhja e kompanisë sonë nuk është ne kundërshtime me ligjin. Ne i kemi pas të gjitha dokumentacionet në rregull për ta fituar këtë tender”, ka thënë Bejta për Infokus.

Por nuk është kjo shkelja e vetme ligjore në këtë proces. Komuna e Vushtrrisë sipas përfaqësuesit të kompanisë “AOME” shkeli ligjin edhe duke e shpallur fitues kompaninë e cila kishte çmimin për 31 mijë euro me të lartë se oferta e tyre.

Menaxheri i kompanisë “AOME”, Pajtim Makolli ka bërë të ditur se kompani e tyre ka qenë fituese e këtij tenderi me vendimin e parë nga komuna e Vushtrrisë por pas ankesës në OSHP fitues e komuna e shpalli operatorin ekonomik “Bushgegu89”.

“Ky operator ekonomik është i dënuar me vendim të Gjykatës Themelore, edhe në bazë të kritereve nuk kanë pasur të drejtë ligjore as të marrin pjesë fare në tender sepse është e paraparë qe 10 vite pas dënimit për falsifikim nuk mund të marr pjesë në procese tenderimi”, ka thënë për Gazetën Infokus menaxheri i kompanisë, Pajtim Makolli.
Ai ka sqaruar se në tenderin e shpallur në 22 maj të vitit 2020, për furnizim të druve për ngrohje, në garë për këtë tender ishin katër kompani të ndryshme. Në mesin e tyre ishte “Aome” sh.pk dhe kompania e Milaim Bejtës, “Bushgegu89”.

Kompania “AOME” fillimisht ishte shpallur fituese duke qenë oferta me çmimin me të lirë. Kjo kompani në bazë të njoftimit për dhënie të kontratës me 04.08.2020 kishte marrë këtë tender me çmim prej 121 mijë e 120 euro.

Por pas ankesës së “Bushgegut89”, në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik e kishte anuluar vendimi i Komunës së Vushtrrisë duke i dhënë të drejtë kompanisë ankuese pavarësisht çmimit më të lartë e problemeve tjera me ligjin.

Çmimi që kishte ofruar “Bushgegu89”, ishte 152, 914 euro, për rreth 15 mijë euro më i lartë se ai që kishte planifikuar të shpenzonte komuna e Xhafer Tahirit e 31 mijë euro me i lartë sesa oferta e kompanisë “AOME”. Në njoftimin për kontratë të datës 22 maj 2020, Komuna e Vushtrrisë kishte planifikuar të shpenzojë për këtë tender 137 mijë e 774 euro.

Komuna e ‘delegon’ përgjegjësinë në OSHP

Gazeta Infokus ka kontaktuar me zyrtarët e komunës së Vushtrrisë. Ata kanë thënë së vendimi për të përzgjedhur kompaninë “Bushgegu89” si fituese të këtij tenderi e kanë marr bazuar në vendimin e OSHP-së.

Drejtori i Drejtorisë së Prokurimit Publik, në Komunën e Vushtrrisë, Amir Ramadani, i ka thënë Infokus-it se operatori Ekonomik ankues, fillimisht ka qenë i rekomanduar për dhënie të kontratës, por sipas ankesës në OSHP, të një OE tjetër po ashtu pjesëmarrës në ketë aktivitet te prokurimit lënda në fjalë është trajtuar nga OSHP dhe bazuar në vendimin e OSHP komisioni i ri vlerësimit i AK-së ka rekomanduar për dhënie te kontratës OE të përgjegjshëm.

Gazeta Infokus ka siguruar ankesën e kompanisë “AOME” e cila rendit edhe shkeljet që ka bërë Komuna e Vushtrrisë.

Shkollat pa ngrohje

Pas ankesës së kompanisë “AOME”, në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, e gjithë kjo procedurë e tenderimit ka mbetur në pezulluar. Kjo pasi që OSHP ka marrë vendim që tenderi të anulohet, shkruan Gazeta Infokus.

OSHP ka pranuar ankesën e “AOME” si dhe ka anuluar vendimin e Komunës së Vushtrisë që kompania e Milaim Bejtës të marrë tenderin për furnizim të shkollave me dru.

Se tenderi është bllokuar e ka konfirmuar për Gazetën Infokus edhe Drejtori i Drejtorisë së Prokurimit Publik në Komunë e Vushtrrisë, Amir Ramadani.

“Tani, lënda në fjale është duke u trajtuar përsëri nga OSHP sepse një operator ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore dhe pas njoftimit për dhënie te kontratës nga AK, ai ka paraqitur ankesë pran organit kompetent OSHP dhe ne si AK kemi pasur bashkëpunim të plot me OSHP dhe tani jemi në pritje të vendimit të tyre i cili vendim do të respektohet në plotni nga ana jone”, ka thënë ai.

Derisa vazhdojnë ankesat e dallaveret me këtë tender nxënësit e shkollave fillore e të mesme në Vushtrri rrezikojnë të vazhdojnë mësimin pa ngrohje.

Por shefi i komunës së Vushtrrisë tani shpresat i ka që kjo lëndë të trajtohet me urgjencë duke pas parasysh se jemi në prag të zezonës së dimrit.

“Ne si AK presim që kjo lende të trajtohet me urgjencë duke pas parasysh se jemi në prag të sezonit dimëror dhe lënda drunore është e domosdoshme për të funksionuar shkollat dhe institucionet tjera të cilat ngrohen me lenden drunorë të paraparë për furnizim me ketë aktivitet”, ka thënë ai për Infokus. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera