Fokus

Tenderi milionësh, prokuroria hesht për skandalin me tiketa ngjitëse

Autori: Gazeta inFokus 17:19 | 26 July 2021

Dhënia në mënyrë të kundërligjshme e tenderit dymilionësh për “tiketa ngjitëse” nuk ua ka prishur terezinë organeve të drejtësisë në Kosovë.

Që nga java e kaluar, Gazeta Infokus, është duke pritur përgjigje nga Prokuroria Speciale, nëse janë iniciuar hetimet rreth këtij rasti, por ende nuk ka marrë asnjë shpjegim.

Pas pezullimit të tenderit, ka qenë vetë Durmishi ai që e ka pranuar se kishte gjetur dokumente kontradiktore.

-Advertisement-

“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”, ka thënë tekstualisht ai.

Reagimet, megjithatë kanë qenë të shumta dhe jo pak prej tyre kanë kërkuar hetime për rastin duke u bazuar pikërisht në deklaratat kontradiktore dhe në dokumentet e publikuara, ku u ngritën shumë dyshime për keqpërdorime të mundshme.

Para se pezullonte tenderin, Durmishi qe përpjekur t’i demantonte faktet që i pati ofruar Gazeta Infokus, lidhur me vendimin e kundërligjshëm për dhënien e tenderit për tiketa ngjitëse në makina, tiketa këto që do t’i kushtonin 4.99 euro kujtdo që do ta regjistronte veturën pas 1 shtatorit.

Infokus kishte gjetur dëshmi se si ky tender ishte nënshkruar në kundërshtim me opinionin e Zyrës Ligjore të Ministrisë. E gjithë kjo ishte bërë me dijeninë e plotë të ministrit Liburn Aliu, kabinetit të tij dhe zëvendësministrit, Durmishi.

Në vendim thuhej qartë se janë anuluar të gjitha veprimet që rrjedhin për vlerësimin e ofertave të tiketës se rregullsisë teknike të mjeteve me veprim motorik. Me këtë rast, Departamenti i automjeteve ishte obliguar për zbatimin e këtij vendimi.

Për të kontraktuar një kompani për këtë shërbim, Ministria e Infrastrukturës, do duhej të fillonte procedurat e prokurimit nga fillimi, duke bërë shpallje publike dhe përzgjedhje të operatorit ekonomik sipas kritereve ashtu siç edhe kërkohet me procedurat e Ligjit të prokurimit publik. Një gjë e tillë është e sanksionuar me ligj edhe për shkak të validitetit të dokumenteve në dosjen e tenderit. Pra për çdo procedurë tenderuese kërkohen dokumente që kanë validitet të caktuar. Rrjedhimisht, nuk mund të vazhdohet me një proces i cili është zhvilluar rreth tri vite me parë dhe i cili ka qenë i anuluar me vendim të plotfuqishëm.

Zëvendësministri Durmishi e pati arsyetuar nënshkrimin e vendimit duke u thirrur se kanë qenë para aktit të kryer, pasi procesi kishte filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj.

Ndonëse tash, tenderi është pezulluar, kërkesat për dorëheqjen e tij dhe inicimin e rastit të organet e drejtësisë nuk kanë pushuar. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera