Lajme

Shtatë muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë, pranoi se iu ofroi 50 euro ryshfet policëve

Autori: Gazeta inFokus 16:02 | 30 September 2022

I akuzuari Agron Kurhaski është dënuar me 7 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë, pasi e ka pranuar fajësinë se në korrik të këtij viti iu kishte ofruar 50 euro ryshfet policëve, pasi që këta të fundit e kishin njoftuar se do t’i konfiskohet patentë shoferi gjatë një pike kontrolli.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Ndërsa, i akuzuari gjobën është i obliguar që ta paguaj në afat prej 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

-Advertisement-

Sipas gjykatësit, në rast se i njëjti nuk dëshiron apo nuk mundet ta paguajë gjobën, e njëjta do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duka ia llogaritur 20 euro një ditë burg.

Gjykata ka konfiskuar edhe kartëmonedhën prej 50 euro.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Agron Kurhaski, më 26 korrik 2022, rreth orës 01:40, në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, ka ofruar dhuratë në mënyrë që personat zyrtarë, të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që derisa ishte duke e drejtuar veturën e tij të tipit “Golf VII”, ndalet gjatë një pike kontrolli nga zyrtarët policorë, ku të njëjtit i shqiptojnë gjobë për tejkalim të shpejtësisë dhe në momentin kur zyrtari policor Dibran Morina, ia dorëzon tiketën kundërvajtëse së bashku me librezën e qarkullimit por jo edhe patentë shoferin, për të cilin njoftohet se do t’i konfiskohet, i akuzuari i revoltuar e hudh nga dritarja e veturës kartëmonedhën prej 50 euro duke iu thënë: “Merrni, hani një darkë”, dhe pasi polici Morina i jep urdhër të që vazhdojë me veturë nga aty, i akuzuari i drejtohet me fjalët “Merrni paret, ju q**** robtë, unë kam luftuar për këtë vend, ku kam m’i marrë unë m’i pagu 300 euro”, më pas i njëjti arrestohet nga Policia.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera