Lajme

Kurti u përgjigjet atyre që e refuzuan për takim: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku

Autori: Gazeta inFokus 21:49 | 11 May 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i interesuar që të takohet me të gjithë liderët e partive opozitare në Kosovë. I hapur ai ka thënë se ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për televizionin lokal të Prizrenit Tv Besa.

Ndryshe, vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, që pritet të mbahet ditën e hënë.

-Advertisement-

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka theksuar  Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar të vonuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim për agjendë legjislative.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

Derisa edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka thënë jo ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për takimin e së hënës.

Haradinaj në letrën dërguar Kurtit ka thënë se tema e takimit agjenda legjislative bie në në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.

“Kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Z. Besnik Tahiri, i cili e udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do te gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare por zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet mes tjerash në letrën e Haradinajt.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera