Lajme

Si tentoi gjykatësi Kryeziu ta joshte praktikanten 22-vjeçare për djalin e tij me blerje çantash

Autori: Gazeta inFokus 21:30 | 11 May 2024

Një 22-vjeçare derisa po zhvillonte praktikën në Gjykatën Themelore në Gjilan, u përballë me ngacmime nga një gjykatës. Identiteti i praktikantes është i njohur për redaksinë, por nuk do të bëhet publik me qëllim të mbrojtjes së saj.

Kjo praktikante ishte caktuar që praktikën ta kryente tek gjykatësi i Departamentit të Krimeve të Rënda, Veli Kryeziu në korrik të vitit 2022.

Nga ky gjykatës ajo priste të përfitonte dijen e nevojshme që i duhej për zhvillimin profesional.

-Advertisement-

Por, në vend të dijës, ajo u përballë me ngacmime.

Gjykatësi Veliu insistonte që praktikantja të takohej me djalin e tij për ta konsideruar një lidhje mes tyre.

Për këtë qëllim, ai kishte komunikuar edhe me shkrim për mesazheve në rrjete sociale.

Në komunikimet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, vërehet se për këtë qëllim, gjykatësi Kryeziu tentonte ta joshte praktikanten, madje duke i dërguar fotografi të çantave dhe duke i premtuar blerjen e tyre si dhuratë.

“Gjyqtari Veli Kryeizu: Shife cila ngjyr të përlqen e tregom sa më shpejt

Më trego se ashtu ashtu une e mari njërën po tregoje ngjyrën se për ty është lkurë e pastërt

Praktikantja: Jo po gabon asnjonen

Gjyqtari Veli Kryeziu: O trego të lutem

Praktikantja: Jo valla. Spom pëlqejn.

Gjyqtari Veli Kryeziu: O trego të lutem

Praktikantja: Jo valla. Spom pëlqejn.

Gjyqtari Veli Kryziu: MA shpejt

Praktikantja: Ja ja jo flm shum

Gjyqtari Veli Kryeziu: Se e mari njeren. Po tregoje ngjyren. E kom vendusur.

Praktikantja: Jo valla faleminderit shumë asnjonen.

Gjyqtari Veli Kryeziu: Po fol. Ma shpejt cilen ngjyr. Fol.

Praktikantja: Jo valla asnjonen se shum posit te kete pome qet.

Gjyqtari Veli Kryeziu: O trego leje poziten. Se e kom vendosur kot e ki po ngjyren trego

Praktikantja: Asnjonen. Se pranoj. Ncuk. Faleminderit.

Gjyqtari Veli Kryeizu: Trego ngjyren ma shoejt e tana mos e mer.

Praktikantja: Jo valla asnjonen ma se as ne gjykat ma svo mos me shti me lon”.

Ngacmimi i gjykatësit, praktikantja paralajmëroi ndërprerjen e praktikës

Në vazhdën e refuzimeve, praktikantja e kishte paralajmëruar gjykatësin Kryeziu se nuk do të shkonte më në gjykatë për vazhdimin e praktikës.

Megjithatë, ky fakt nuk po përbënte shqetësim për Kryeziun.

“Gjyqtari Veli Kryeziu:….Nuk I bij pishman kurr në jetë e mos u ngushto pash jetën po tregom. Ose po e mar qata ngjyr drap jo e kuqja. Klm. Shihemi me kismet të hënën.

Praktikantja: Svi hiq ma.

Gjyqtari Veli Kryziu: Ok mos hajde. Hahahah. Të takoj në qytet hahaha. Pse bën kështu e ngushtohesh pa kurnifar arsye. Klm. Të kom than se je e veqant. E me heret kom then e flm Zotin qe do te jesh nje princesh ne familjen tone. Klm”.

Tentimi i bindjes përmes joshjes u refuzua nga praktikantja.

Megjithatë, gjykatësi Kryeziu nuk u ndalë me kaq, duke gjetur forma të tjera për të tentuar bindjen e saj.

Ditë më vonë ai do t’i shkruante sërish, kësaj radhe duke insistuar që praktikantja të takohej me djalin e tij si dhe ai t’i takonte familjarët e saj.

“Gjyqtari Veli Kryeziu: ..A të biusedoj me Agjën dhe babain tënd, në lidhjen me ty dhe djalin tim, për legalize bisedën më trego se pa përlqimin tënd nuk bisedoj. Më trego të lutem qka të pyta.

Praktikantja: Jo gjyqtar faleminderit, nuk jom e interesume.

Gjyqtari Veli Kryeziu: Po. Dil e bisedo. Edhe po pate mundësi eja nesër për lëndën në ora 10 e mbajm gjykimin për feron. Besoj se pa arsye je prekun, Ti e din se te kom respektu dhe te respektoj me shum se te ishe vajza ime pasha te madhin Zot. Po ti bisedo me djalin e une bisedoj me prindin dhe mixhen. Edhe me paske blloku ne viber. Flm.

Praktikantja: Gjyqtar edhe un per ty kom shumë respekt edhe e di qe ti ke pas mua, faleminderit po su kon arsye qe jom prek un thjesht e kom me project me kalu tash tjeter kun te naj gjyqtar tjeter respekt e met mira nese ke mundesi tash mos me shenu e suksese”.

Praktikantja kërkoi të shkonte te një tjetër gjykatës, Kryeziu e akuzoi se e turpëroi

Në tentim për t’i parandaluar situatat e tjera, praktikantja 22-vjeçare ishte detyruar që t’i drejtohej me kërkesë administratës për ndryshim të gjykatësit për kryerjen e praktikës.

Ky veprim i saj nuk u mirëprit nga gjykatësi Kryeziu, i cili e akuzoi atë se e ka turpëruar.

Gjithë këto situata po ndodhnin në institucionin dhe me zyrtarin shtetëror  të betuar për vendosjen e drejtësisë.

“Gjyqtari Veli Kryeziu: Mos me shkru a ste kuptova, po te thash dil bisedo me Aliun se te thirr aj e tjerat lej anash, e di se je prek per qantet por besoj se me ke keqkuptuar, andaj sidoqoft nuk te shkruaj se besoj as qe e kom keqperdor ne asnje menyre, por me ke turpruar para administrratores se ajo me tha [ti] spo don te [une] a din si komentohet, me ke bere me fjale [ti] dije, tu kisha lut dil bisedo me Aliun”.

Lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar intervistë nga gjykatësi Veli Kryeziu, por ai nuk është përgjigjur në asnjë kërkesë. Të intervistohet nuk ka pranuar as viktima e këtij ngacmimi.

KGjK kishte vërtetuar shkeljen disiplinore të gjykatësit Kryeziu, ia kishte ulur pagën për 6 muaj

Për shkak të këtij ngacmimi, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjykatësit Veli Kryeziu, për të cilën Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vërtetuar shkeljet dhe i ka shqiptuar masë disiplinore gjykatësit Kryeziu, me zbritje page prej 30 % për 6 muaj.

Kjo procedurë disiplinore u ngritë pas më shumë se 1 viti që kur ngacmimi kishte ndodhur.

Por, deri tek dërgimi dhe vendosja e këtij rasti në procedurë disiplinore ka pasur sfida të ndryshme, deri te akuzat se po tentohej të amnistohej gjykatësi Veli Kryeziu.

“Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar rrjedhën e procedimit të këtij rasti ndaj gjykatësit Kryeziu.

Ish-administratorja e Gjykatës në Gjilan pretendon se rasti i Kryeziut u tentua të mbyllej

Praktikantja e ngacmuar nga gjykatësi Veli Kryeziu me datën 13 tetor 2022 kishte paraqitur deklaratën e saj.

Në këtë deklaratë, praktikantja thekson se që nga data 1 korrik 2022, ishte e vendosur tek gjyqtari Veli Kryeziu për ta ndjekur praktikën.

Sipas saj, Kryeziu vazhdimisht kishte sjellje më se të respektueshme ndaj saj.

Por, në bazë të vrojtimit të praktikantes, Kryeziu kishte qëllime më shumë se kolegiale ndaj saj, pasi gjatë gjithë kohës shprehte dëshira që ajo të fliste dhe të dilte me djalin e tij.

Praktikantja ka thënë se Kryeziu nuk kishte marrë përgjigje pozitive nga ajo, por se Veliu nuk ndalej me sjellje të tjera si ftesa për dreka, ushqim etj, të cilat praktikantja ka deklaruar se i ka cilësuar si të panevojshme.

Deklarata përshkruan edhe mesazhet në lidhje me ofertën e gjykatësit Kryeziu për t’i blerë asaj çanta dhe kërkesa që praktikantja të vazhdonte të qëndronte në zyrën e tij.

Ajo thotë se për shkak të këtyre veprimeve ndihej e turpëruar, kishte ndjerë frikë dhe ishte në gjendje psikike mjaft të rënduar.

Këtë deklaratë, praktikantja ia kishte dorëzuar ish-administratores Florina Jerliu. Kjo e fundit e kishte përcjellë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu.

“Unë e kam caktu të një gjyqtar Veli Kryeziu, me fal, mas një muaji e njëjta praktikante vjen në zyrën teme edhe ankohet që nuk po nihet e sigurt me qëndru në atë zyre te gjyqtari Veli Kryeziu. Unë i them që cila është arsyeja që ti nuk po don me qëndru, mi ofron fotografitë, që i ka dërgu Veli Kryeziu, tri çanta edhe i thotë cilën çantë po don me ta ble, kjo i thotë praktikantja nuk du me m’ble se s’kom nevojë. Ai i thotë ti je princesha e shpijës tonë, ti je ma shumë se vajza jem.

Kur e pash unë, që me njëfarë mënyre unë nuk jam kompetent për gjyqtar e kam marrë praktikanten edhe vet kemi shku të kryetari. Praktikantja i ka shpjegu në mënyrë tërthorazi kryetarit se s’ka mujt me u shpreh për shkak që u kanë i gjinisë mashkullore. Ndërkohë praktikantja u dal jashtë, unë i kam tregu se çka ka ndodhë me praktikanten edhe me Veli Kryeziun. I njëjti, thotë ndërroje, edhe unë tham po e qoj te një femër këtë praktikanten për arsye se ajo nuk po ndihet e sigurte dhe me njëfarë mënyre ajo e ka dhanë deklaratën me shkrim, thotë; ka pas instikte që unë nuk kam mujt me kuptu që ai është tu mendu ndryshe për mu”, ka thënë Jerliu.

Në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, Jerliu tregon versionin e saj pse e kërkoi deklaratën nga praktikantja.

“Edhe e kam kërku unë deklaratën për shkak që ajo praktikantja mi ka dërgu mu mesazhet në Ëhatsapp, komunikimin me gjyqtarin Veli Kryeziu. Edhe unë e kam pas për obligim ligjor, për shkak se administratori është kompetent për praktikante. E kam kërku deklaratën, ia kam dorëzu kryetarit të gjykatës, kryetari i gjykatës më thotë a e ke numrin e telefonit të njëjtës praktikante, unë i tham po ‘ia jap numrin e telefonit edhe më vonë praktikantja ka ardhë te zyra e jep dhe më ka tregu që gjyqtari, kryetari Venhar Saliu ka kërku nga e njëjta me tërhekë deklaratën”.

Tre ditë pas deklaratës së bërë nga praktikantja, më 14 tetor 2022, kryetari i gjykatës e trajtoi atë.

Salihu thotë se gjatë intervistimit, praktikantja i kishte thënë se deklaratën e kishte dhënë nën presion të ish-administratores.

“ëë, pa pikë dyshimi, bindja ime ka qenë në atë kohë, është edhe tani, kurse prova tjera nuk i kam pas, e kam ftu praktikanten në fjalë asnjë komunikim se kam pasu me të paraprakisht, kam kërkuar nga zyrtarja ligjore në zyrën time që është, e kem siguruar numrin, ka ardh, i kemi treguar arsyen pse, është mbajtur procesverbali, na ka njoftu se këtë deklaratë e ka dhënë me presion të administratores”.

Audio-incizimi: Praktikantja pretendonte se kryetari i gjykatës i kërkoi ta tërhiqte deklaratën për ngacmimin nga gjykatësi

Në një audio-incizim të bërë nga ish-administratorja Jerliu, praktikantja i asaj se kryetari Salihu e kishte detyruar atë që ta tërhiqte deklaratën.

Ky audio-incizim, sipas dëshmive të deponuara nga Jerliu në Prokurori, është i datës 13 janar 2023.

Pra, rreth tre muaj pasi ishte bërë deklarata.

Kjo është përmbajtja e deklaratës së praktikantes: “Ja nisi, po nuk po di as qysh me ta pershkru, tha pse e ke be deklaraten pas nje muaji, eshte dasht ate dite, tha tash une duhet me ndermarr hapa tjere, thash keshtu me thane e bona, tash ti po me thua me terhjek a po e terhjek, thash ani po e terhjeki po pasi po e shoh se paskam bo gabim qe e kam be veq le te mbyllet puna, ai kendej thojke mos te behen sendet e mëdha, a këndej pas shpine paska be. Edhe kqyre Velia ka shku i ka then kusherinave te mia për këtë rast ka thënë e kanë suspenduar Administratoren per shkak te saj, ato mendoje se une ku me dit ska kam be une ketu e u suspendua ajo.Po, mua më ka thene ne telefon, kam qenë ne shtepi dhe me tha hajde te gjykata, erdha edhe hypa nalt u desht me ardh ke edhe Rilindi aty edhe u desht me terhjek, tha paske bere gabim, une i thashe ka paskam bere gabim, tha te ka shti me zor, i thash me ka shti me e be edhe une e bera ashtu qysh me ke thene, une e bera, tash nuk po e di, nuk kam absolut faj asnjë send, a po e din veç ka me ka marr ashtu. Edhe atë dite i thash as s’me ke mbrojt, as kurgjo. As që nuk me ke vet më a je mire. A gysh po ndihesh kurgjo hig, apet secili ne ndergjegijen e vet”.

Kryetari i Gjykatës në Gjilan pretendon se u shantazhua nga ish-administratorja

Por, akuzat i mohon kryetari i gjykatës Venhar Salihu.

Ai thotë se ky rast është përdorur nga ish-administratorja Jerliu që ta shantazhojë atë, në kohën kishte për të bërë vlerësimin e përformancës së Jerliut.

“Nëse ndalemi i analizojmë datat dhe i shikojmë në cilën fazë është marrë kjo deklaratë, është data 13, 10, 2022, pse po e lidhi datën 13.02, për shkak se zonja Jerliu e ka ditë saktë që brenda atyre disa ditëve dy, tri, pesë, që unë do të japë një vlerësim për të njëjtën për punën e saj si administratore, dhe nëse e thojmë datën, dhe e marrim datën e zyrtarit tjetër, të Shkodran IT-së, d.m.th janë pothuajse një ditë e kanë dallim, d.m.th., me 14 të njëjtit muaj tetor 2022, tash më 15 tetor të vitit 2022, unë kam pranuar një kërkesë nga Këshilli përkatësisht nga Komisioni për me dhënë vlerësimin sa i përket punës së administratores, edhe një ditë përpara, s’jom i sigurt një ose dy, ka ardh pa takim formal në zyrën time ish-administratorja edhe në tentim të kuptimit për frikësim apo në kuptim të hajgarës më thotë “kryetar shiko se çfarë po shkruan se unë kam foto dhe video për ty”, dhe vendim tim të punës e kam ruajt duke shkruar, unë ëë mënyrën si e tha, ia ktheva okay publikoje se s’ka lidhje, nuk e kisha asnjë dyshim, asnjë dilemë se çka, qysh, tek, prezent me mu në atë kohë ka qenë edhe nënkryetari i gjykatës Selmon .., ku mund ta vërtetoj këtë fakt”.

Sipas Salihut, praktikantja kishte presion të vazhdueshëm nga ish-administratorja që ta paraqesë deklaratën.

Salihu: jo, nuk është e vërtetë kjo, unë e di shumë saktë edhe qartë vajin të cilin e ka derdhë këtu dhe plus kësaj, në telefonin e saj më ka treguar, ka pasur dikur rreth 12-13 thirrje, ka pas sms të shkruara, nuk më kujtohet në viber apo whatsapp “Xxxx çka u bo me deklaratën, çka u bo, kur po ma bjen, bjerma qat deklaratë, d.m.th., të shkruara nga vetë administratorja.

Për shkak të këtyre dyshimeve, kryetari Salihu thotë se vendosi që rastin ta trajtojë vet, duke e ftuar praktikanten.

Për audio-incizimin ku praktikantja thotë se është detyruar ta tërhiqte deklaratën, Salihu thotë se praktikantja është kushtëzuar nga ish-administratorja.

“Jo, në bazë të deklaratës së administratores po, por jo edhe nga provat të cilat i kemi të siguruara, ku edhe ia kam dorëzuar të njëjtat, ku vërtetohet që ajo është pranuar, sigurisht ka apliku për YIHR, a cila organizatë ke, si monitoruese, edhe aty nga data 5 shtator, të vitit 2022, ku e-mailin e kemi pranuar me datën 2 shtator 2022, vlen të ceket edhe një çështje tjetër ëëë në vitin 2023 kemi hapur konkursin për, për ëëë praktikant dhe kanë konkuruar diku 24 veta, dhe administratorja insiston për ta rihapur konkursin, okay nuk ia prishi, e rihapë konkursin nuk, s’është që më ka praktik, çka ndodhë aty, praktikan e prakti praktikante në rihapje, dhe mbas një jave bëhet incizimi i praktikanten të cilin e keni edhe ju vetë d.m.th., data nëse s’gaboj ka qenë 23 mars 2023, kurse ata kanë filluar punën diku me 13, 15 mars mbas një jave”.

Salihu thotë se ish-administratorja Jerliu përsëri raportoi se kishte ndodhur një ngacmim i ri nga gjyqtari Kryeziu ndaj praktikantes, kësaj radhe më 7 prill 2023, rreth gjashtë muaj pas raportimit të parë.

Edhe në këtë rast, Salihu thotë se nuk gjeti prova.

“Çka ndodhë, kjo prapë në fillim të prillit praktikantja në fjalë, administratorja më shkruan në e-mail që ëë gjyqtari në fjalë ka shkuar në zyrën përmbarimore ku i ka bërë problem praktikanten në fjalë, e kemi praktik e kemi intervistuar praktikanten, çka ka thënë nuk ka thënë asnjë fjalë se ka thënë se cili është ngacmimi, cila është çështja edhe këtë çështje e kam mbyllë, por në momentin që kam pranuar, komunikimet atëherë kam filluar procedurën disiplinore ndaj gjyqtarit në fjalë”.

Ky rast do të trajtohej për herë të tretë nga gjyqtari Salihu, këtë radhë më 25 shtator 2023.

Në kërkesën për fillimin e hetimeve disiplinore të kryetarit Salihu ndaj gjyqtarit Kryeziu thuhet se kërkesa për fillimin e hetimeve disiplinore parashtrohet për shkak se për dallim nga rastet më parë, tani Kryetari Salihu ka pranuar komunikimet që janë realizuar nga gjyqtari Veliu dhe praktikantja.

Pas grumbullimit te provave, përkatësisht komunikimit ne mes te gjyqtarit Veli Kryeziu dhe praktikantes, ku këto komunikime kanë munguar në dy rastet e lartcekura, por këto janë bashkëngjitur me parashtresën e datës 25.09.2023 nga Prokuroria Themelore në Prizren, atëherë nga këto prova konsiderojmë se mund të ketë bazë për fillimin e hetimeve disiplinore.

Bazuar ne nenin 12.2 lidhur me nenin 9.1, nën pika 1.1 te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, autoriteti kompetent kërkon nga Këshilli fillimin e hetimeve kundër gjyqtarit Veli Kryeziu dhe të vlerësohet se komunikimi në mes të gjykatësi dhe praktikantes së lartcekur a është në kundërshtim me nenin 5 pika 2, nën pika 2.15 te LPDGJP dhe nenit 4 të Kodit të Etikës për Gjyqtarë dhe nëse komunikimi i lartcekur ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore si më lart, atëherë i propozojmë që ndaj të njëjtit gjyqtar të shqiptohet ndonjë masë e paraparë në nenin 7.1 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në aktvendim thuhej se gjyqtari Veli Kryeziu kishte konsideruar se përmbajtja e deklaratës fillestare të praktikantes ishte shkruar nga ish-administratorja Jerliu, por se nuk e di qëllimin se pse.

Lidhur me trajtimin e këtij rasti, në KGjK thonë se në “rastin konkret Këshilli Gjyqësor ka vendosur dhe tani vendimi është në fazën e të drejtës për ankesë në Gjykatën Supreme dhe deri më tani, nga Gjykata Supreme nuk kemi pranuar ndonjë njoftim se ndaj të nijetit vendim është ushtruar ankesë.”

Ndërkohë, burimet të “Betimit për Drejtësi” bëjnë të ditur se gjykatësit Veli Kryeziu i është shqiptuar masë disiplinore ulje page 30% për 6 muaj.

Ky rast është trajtuar edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Ish-administratorja e Gjykatës Themelore në Gjilan, Florina Jerliu, ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, z. Venhar Salihu.

Kallëzimi penal është ngritur për një sërë veprash penale si kanosje, ngacmim, ngacmim seksual, marrje e deklaratës me anë të shtrëngimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar etj.

Ky pretendim i ngritur ne rrafshin penal, është hudhur poshtë nga PSRK.

Lidhur me të gjitha pretendimet e ish-Administratores Jerliu “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar rreth gjashtë muaj, ku gjetjet e këtij hulumtimi do të transmetohen në emisionet e ardhshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera