Fokus

Ramë Likaj nuk mërzitet për gjendjen katastrofale në arsim

Autori: Doresa Geci 16:27 | 07 October 2020

“Katastrofë”, është vlerësuar gjendja në sistemin arsimor në Kosovë nga Komisioni Evropian një ditë më parë.

Por, kjo duket se nuk i ka bërë fare përshtypje udhëheqësve të institucioneve vendëse, të cilat tash e sa vite marrin kritika të ngjashme në raportet vendëse e ndërkombëtare.

Ministria e Arsimit, e cila do të duhet të merrte me shqetësim të gjeturat e raportit të fundit të Komisionit Evropian ka zgjedhur të heshtë, shkruan Gazeta Infokus.
Ndërkaq, sipas njohësit e çështjeve të arsimit, vlerësojnë gjendjen më të rënduar se që është paraqitur në raport.

-Advertisement-

Numri i ulët fëmijëve që shkojnë në ciklin parashkollor, sidomos në zonat rurale, e deri të numri i madh i të diplomuarve të pa punë, për të cilët bizneset janë shprehur se nuk janë të përgatitur profesionalisht, janë disa nga gjetjet e Komisionit Evropian.

“Gjendja në arsimin e Kosovës, është më e rëndë se sa ajo që thuhet në raport. Ky konstatim është korrekt dhe diplomatik, andaj nuk është përdorur një gjuhë më e ashpër. Nga viti 2014, arsimi i Kosovës është duke degraduar tej mase në të gjitha aspektet”, thotë njohësi i kësaj fushe, Halim Hyseni për Gazetën Infokus.

Ndërsa drejtori i Institut Ed-Guard, Rinor Qehaj i sheh shqetësuese të gjeturat e raporti të Komisionit Evropian.

Sipas tij për dallim nga viti i kaluar sivjet në Kosovë nuk është shënuar asnjë progres në fushën e arsimit.

“Të gjeturat mbi arsimin në Kosovë të Raportit Komisionit Evropian të vitit 2020 janë shqetësuese. Për dallim nga viti 2019, kur në Raport shënohej një progres i kufizuar në arsim, këtë vit Komisioni Evropian konkludon se nuk ka pasur asnjë progres në këtë fushë. Po ashtu, Raporti i Progresit vë në pah se përkundër performances së dobët të sistemit arsimor, Qeveria e Kosovës nuk ka jetësuar asnjë reformë në arsim”, ka thënë Qehaja për Gazetën Infokus.

Qehaja thotë se arsyeje e gjendjes se tillë në këtë fushë është për shkak të mos respektimit të rekomandimeve të dhëna në vitin e kaluar në fushën e arsimit.
Ai po ashtu thotë që Ministria e Arsimit duhet të rris buxhetin për arsim.

“Institucionet e Kosovës duhet të adresojnë rekomandimet e Komisionit Evropian si pikënisje për përmirësim të cilësisë në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Rritja e buxhetit për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës. Një koordinim gjithë institucional për zbatim të reformave të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse në arsim është domosdoshmëri”, është deklaruar ai.

Edhe Dukagjin Pupovci, njëri nga njohësit dhe kritikët e gjendjes së krijuar në sistemin arsimor në vend, vlerëson se gjendja në arsim nuk është përmirësuar për arsye se nuk ka pasur përpjekje serioze në këtë drejtim.

“Raporti i fundit i progresit ka dalë në fund të majit 2019, pak muaj para se Kosova të hynte në ciklin e zgjedhjeve, kështu që nuk është punuar pothuaj se asgjë deri në shkurtin e këtij viti. Pastaj, erdhi Qeveria Kurti me një program mjaft të konsoliduar për arsimin, por shumë shpejtë u përball me pandeminë, e më vonë edhe u shkarkua”, thotë Pupovci.
Sipas tij prioritet i Qeverisë aktuale është menaxhimi i pandemisë, negociatat me Serbinë dhe efektet që mund t’i shkaktojnë veprimet e gjykatës speciale, ndërkohë që shumica parlamentare është jostabile.

“Në kushte të tilla, ka pak gjasa se mund të bëhet ndonjë hap radikal drejt përmirësimit të gjendjes në arsim. Mund të bëhen plane e të rishikohen plane, por ato do të mund të zbatohen vetëm kur të kemi një qeverisje stabile dhe kur pandemia të mos jetë faktori kryesor që i dikton zhvillimet në arsim, siç është gjendja tani”, thotë ai.
E njohësi i arsimit, Halim Hyseni fajtor për gjendjen e keq i fajëson ministrat e deri tanishëm si dhe ministrin e tanishëm Ram Likaj.

“Me udhëheqjet e deritashme dhe të tashme si dhe me veprimet e klasës politike jo vetëm të tashme por edhe të kaluara të cilat kanë qenë në pushtet nuk ka dalje nga kriza, sepse këtyre u mungon vizioni dhe vullneti për zgjidhjen e problemeve jo vetëm arsimore, por edhe problemeve te tjera, sepse zgjidhja e tyre atakon interasat e tyre personale”, ka thënë Hyseni për Infokus.

Gazeta Infokus ka kërkuar nga Ministria e Arsimit përgjigje lidhur me gjetjet e Komisionit Evropian, mirëpo MASHTI nuk ka kthyer asnjë përgjigje./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera