Fokus

Qytetarët dërgojnë dëshmi në Ministrinë e Drejtësisë për të paditur Serbinë për gjenocid

Autori: H. Smajli 14:19 | 12 July 2021

Qytetarët tashmë kanë filluar që t’i përgjigjen thirrjes së Ministres  së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për të dërguar dëshmitë që i posedojnë për krimet nga lufta e fundit në vend.

Këtë për Gazetën inFokus e kanë konfirmuar nga kabineti i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Shefi i Kabinetit të Haxhiut, Genc Nimoni, ka thënë se edhe pse duke qenë se sapo ka filluar kjo nisëm qytetarët tashmë kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunimin me këtë ministri për mbledhjen e dëshmive.

-Advertisement-

Madje sipas tij kanë filluar të pranojnë dëshmitë e materialet e para, shkruan Gazeta inFokus.

“Sa i përket thirrjes për qytetarët për të sjell dëshmitë për krimet nga lufta e fundit, na lejoni të ju informojmë se kjo është një nismë që sapo është lanësuar. Edhe pse ende jemi në një fazë të hershme, ne mund të konfirmojmë se Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar të pranojë materialet dhe dëshmitë e para”, ka deklaruar Nimoni për Gazetën Infokus.

Po ashtu Nimoni ka bërë të ditur se puna për Koncept Dokumentin për themelimin e mekanizmit për krimet e kryera në Kosovë do të përfundojë në fund të shtatorit.

“Ministria e Drejtësisë ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për themelimin e mekanizmit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne jemi në proces të hartimit të këtij Koncept Dokumenti i cili do të finalizohet në fund të muajit shtator, me ç‘rast ky finalizim, do t’i hapë rrugë themelimit të mekanizmit”, ka thënë shefi i kabinetit të MD-së.

E gjithë kjo me qëllim të ushtrimit të padisë për gjenocid kundër Serbisë, një premtim elektoral të cilin më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e vuri edhe në planin e qeverisë për mandatin katër vjeçar.

“Do të përgatisim padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Do të jemi të aftë për mbrojtje te integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe do të bëjmë mbikëqyrje demokratike dhe civile të FSK-së”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë ku ishte shpalosur plan-programi.

Mirëpo kjo pikë e të parit të qeverisë u vë në dyshim nga shumë njohës të fushës së drejtësisë e të drejtës ndërkombëtare, sipas të cilëve Kosova nuk mund të padisë Serbinë për gjenocid.

E megjithatë ministrat e Kurtit e kanë vazhduar punën për mbledhjen e dëshmive dhe krijimin e Koncept Dokumentit që më vonë do të sjellë themelimin e mekanizimit për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera