Fokus

Prokuroria jep detaje për skandalin e mishit në Pejë

Autori: Anita Krasniqi 14:42 | 18 January 2019

Policia e Kosovës ishte njoftuar se në një  fermë po përgatitej mish nga një kafshë e ngordhur për t’iu servuar qyetetarëve.

Me këtë rast Policia ka  arrestuar tre persona të dyshuar për veprën” Vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”,shkruan gazeta inFokus.

Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar kallëzimin penal ndaj të dyshuarve të S.Sh.,  R.Sh. dhe M.B.

-Advertisement-

Këtë e ka bërë të ditur për inFokus zyrtari për informim në Prokurorinë e Pejës,Shkodran Nikçi.

” Policia e Kosovës ka pranuar kallëzimin penal kundër të S.Sh.,  R.Sh. dhe M.B., pasi kemi analizuar këtë kallëzim penal, me dt. 17.01.2019 kemi marrë aktvendim për fillim e hetimeve kundër tre të lartcekurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit duke vepruar si bashkëkryerës kishin për të kryer vepër penale “Vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, ka thënë ai.

Nikçi theksoi se ndaj të dyshuarit S.SH është parashtruar kërkesa për caktimin e paraburgimit.

” Prokuroria Themelore në Pejë, kundër të pandehurit S.Sh. bazuar në faktin se i njëjti është recidivist i këtyre veprave penale ka parashtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit për shkak se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë institut procedural. I pandehuri S.Sh., me qëllim të shitjes vë në qarkullim mbi 1,000kg mish të dëmshëm ushqimor për të cilat e dinte që janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve” ka thënë ai për inFokus.

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për gazetën inFokus ka thënë se sasia e mishit është gjetur në kushte të tmerrshme higjenike.

“Në dy objekte të vogla,  në oborrin e shtëpisë është hasur në kafshën e copëtuar, si dhe në disa pajisje ftohëse të vjetruara (me korrozion). Aty është gjetur edhe  një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte jo të mira higjienike. Në kontroll organoleptik konstatohej se produkti kishte erë kundërmuese dhe pamja fizike ishte jo në rregull” ka thënë Thaçi./Gazeta inFokus/

Lexo edhe: Detaje për skandalin e mishit në Pejë (Foto)

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera