Fokus

Përfshirja e policisë në plagosjen e serbit, a pritet të ketë tensionim të situatës në veri?

Autori: Elvira Haxhiu 19:03 | 12 April 2023

Policia e Kosovës të hënën është përfshirë në një plagosje që ka ndodhur në orët e vona në Zveçan, ku mbeti i plagosur një person i komunitetit serb, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, ky rast e ka kompleksuar edhe më shumë situatën e sigurisë në veriun e Kosovës, por edhe në gjithë territorin e vendit.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, Elezi ka thënë se një rast i tillë mund të shfrytëzohet nga Serbia për organizimin e aktiviteteve që bien ndesh me kushtetutën e Kosovës.

-Advertisement-

“Ky rast do të mund të shfrytëzohet nga qeveria e Serbisë dhe presidenti serb Vuçiq si pretekst për organizimin e aktiviteteve në fushën e sigurisë nga ana e Beogradit, aktivitete të cilat bien ndesh e rendin e ligjet e Republikës së Kosovës, dhe kështu mund të kemi ballafaqim të Policisë së Kosovës struktura paralele të sigurisë, e të cilat do të mbështetën nga Beogradi dhe Moska zyrtare”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se ky rast mund të ndikojë edhe në zgjedhjet që do të zhvillohen në katër komunat veriore.

“Ky rast më së paku i është dashur Kosovës pikërisht në këtë kohë, kur Kosova po organizon zgjedhje të lira në veri të Mitrovicës, si dhe në anën tjetër vendimi i Listës Serbe për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje, subjekt i cili deri më tani ka udhëhequr me komunat në veriun e  Mitrovicës”, ka deklaruar Elezi për Infokus.

Sipas tij ky rast më së shumti do t’i shërbejë Beogradit.

Kujtojmë se lidhur me rastin e plagosjes së serbit në Zveçan janë arrestuar katër zyrtarë policorë të cilët fillimisht janë suspenduar nga detyra.

E ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla të martën ka thënë se qytetari serb nuk i është bindur sinjalit të zyrtarit policor.

“Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkaq, lidhur me rastin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Hovenier ka shprehur shqetësimet e SHBA-së gjersa ka thënë se duhen zhvilluar hetime të plota.

“SHBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”./Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera