Fokus

Nga marshi për Astrit Deharin paralajmërohet marsh tjetër, kërkohet hetim edhe për vdekjen e shokut të burgut

Autori: Halil Berisha 19:11 | 28 October 2019

Grupi organizativ “Unë jam Astriti!”, mbajti një marsh në rrugën “Regjep Luci”, në afërsi të kinemasë “ABC”, për kujtimin e Astrit Deharit, ku u dhezën qirinj, u vendosën lule e kartolina me mesazhe për familjen e tij, këtë të hënë me 28 tetor.

E nga aty, u bë thirrje për një marsh tjetër, tash me 5 nëntor, shkruan gazeta inFokus.

Ky marsh do të mbahet në ora 12:00 me moton “Një Popull për Drejtësi!”, derisa për të është hapur edhe një lajmërim në Facebook.

-Advertisement-

E në lajmërim janë shkruar edhe tre kërkesa që do të u drejtohen institucioneve të Kosovës.

“1. Caktimi i grupit të ri hetimor kredibil si dhe bartja e rastit nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;

 

2. Shkarkimi dhe hetimi i të gjithë personave përgjegjës në gjithë zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore; dhe

 

3. Fillimi i menjëhershëm i një hetimi të ri kredibil, transparent, të pavarur dhe profesional mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, si dhe hetimin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit kryesor të rastit, shokut të tij të dhomës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Naser Makolli”, thuhet në lajmërim.

 

Arsye për këtë marsh është siç thuhet drejtësia e munguar e cila është kthyer në padrejtësi për familjen Dehari e të gjithë shoqërinë, shkruan gazeta inFokus.

 

“Me 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pasqaruara deri më sot ka vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Kanë kaluar 3 vjet të drejtësisë së munguar që është kthyer në padrejtësi për familjen Dehari dhe gjithë shoqërinë tonë”.

 

Kjo erdhi edhe pas publikimit të ekspertizës zvicerane për vdekjen e Astrit Deharit ku thuhet se të implikuar mund të jenë edhe persona të tretë.

 

“Publikimi i të gjeturave të raportit të ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Qendra Universitare Romande për Mjekësi Ligjore në Lozanë (CURML) të Zvicrës i ka dhënë të drejtë kërkesës së familjes Dehari për hetim të ri mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së dhunshme së Astrit Deharit. Raporti shprehimisht rrëzon hipotezën e ngritur për vetëvrasje nga Prokurori i rastit dhe bën thirrje për hetim të ri duke përfshirë hetimin e mundësisë së përfshirjes së personave të tjerë në vrasjen e tij”, thuhet në lajmërim.

 

“Ne, organizatat dhe personat e poshtë nënshkruar, kërkojmë ndriçimin e plotë dhe sa më të shpejtë të rrethanave të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit. Kjo duhet të bëhet nga hetues dhe prokuror kredibil, të pavarur dhe profesional. Udhërrëfyes i këtij hetimi të ri duhet të jenë të gjeturat e ekspertëve nga Instituti i Lozanës. Objekt i hetimit dhe llogaridhënies duhet të jenë personat përgjegjës në gjithë zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore”.

“Sot si vajza, djem, motra dhe vëllezër, prindër e familjar, si qytetarë shprehim revoltën tonë për dështimin e institucioneve të Kosovës që të mbrojnë jetën e Astrit Deharit gjatë paraburgimit dhe mungesën e hetimit adekuat për të sqaruar drejt dhe plotësisht rrethanat e vdekjes së tij”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera