Fokus

Ministria e Besim Beqajt financoi edhe një rrobaqepëse

Autori: Doresa Geci 15:35 | 10 July 2019

Besim Beqajt nuk ia panë hajrin vetëm frizerkat e Fushë Kosovës. Në këtë qytet,  Ministria e Inovacionit e drejtuar nga ai, deri para pak ditësh, ka vlerësuar si inovative dhe ka përkrahur edhe një rrobaqepëse.

Gazeta inFokus ka gjetur se Ariana Bogojevci me motrën e saj kanë përfituar 9 mijë euro për atelienë “Tria”, në projektin për prezantimin e kulturës së veshjes tradicionale.

“E reja qe kemi ofruar në për të fituar grantin është kanë me prezantuar kulturën e veshjes tradicionale tonë  me punë me shkolla me uniforma të shkollave dhe me uniforma të  veshjeve të brendshme”, ka thënë Bugojevci për gazetën inFokus.

-Advertisement-

Pronarja e këtij biznesi shpjegon se 10 për qind të shumës së projektit është dashur ta mbulojnë vetë, pasi kështu kishin paraparë.

Edhe pse sipas Arianës ky biznes është i regjistruar në emër të saj dhe të motrës së saj Zana Bogojevcit, Gazeta inFokus nuk ka arritur të gjejë asnjë biznes të regjistruar me këtë emër në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

Megjithatë, ngjashëm sikur salloni i Ondulimit “Hira”, në Fushë Kosovë, edhe “Tria” mbanë në dritare logon e Ministrisë Inovacionit si përkrahëse për zhvillimin e biznesit, shkruan Gazeta inFokus.

Ministria e Inovacionit ka më shumë se dy javë që nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me ndarjen e mjeteve për përkrahjen e bizneseve nga fondi për inovacion.

Ditë më parë Gazeta inFokus pati raportuar se financimi i një salloni për rregullimin e flokëve e fytyrës do të mbahet mend si një ndër inovacionet e Besim Beqajt sa ishte ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës.

Sipas raportit të auditorit, me subvencionet janë bërë shkeljet më të mëdha në këtë ministri.

Nga mbi 4 milionë euro sa kishte në dispozicion ministria e re, e cila në vitin 2017 u krijua me idenë që Kosova të jetë në hap me kohën me zhvillimet e inovacionit nëpër botë dhe ta përdorë atë për krijimin e vendeve të reja të punës, një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave, auditori i përgjithshëm ka gjetur se kanë shkuar për biznese aspak inovative.

Skeptik për qëllimin e kësaj Ministrie ishte treguar edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

“Mendova që ministria e Inovacionit u formua për punësime, por gabova” ishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në  ceremoninë e Inaugurimit të “Qendrës së Inovacionit dhe Nërmarrësisë në UP” vitin e kaluar.

Por dyshimet e Haradinajt për themelin e kësaj Ministrie po dalin të jene të vërteta.

Gazeta inFokus më herët ka raportuar se në këtë ministri, janë rehatuar partiakë e familjarë të politikanëve kryesisht të Partisë Demokratike të Kosovës. /Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera