Fokus

PDK “uzurpon” Ministrinë e Inovacionit

Autori: Sylejman Sylejmani 16:27 | 11 June 2019

Ministria më e re në Kosovë, ajo e Inovacionit ka vazhduar avazin e rehatimit të familjarëve të njerëzve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Gazeta inFokus nga burime të saj brenda ministrisë ka mësuar se në dikasterin qeveritar që udhëhiqet nga Besim Beqaj (PDK), janë punësuar disa persona të cilët ishin kandidat të partisë së Kadri Veselit.

Një prej rasteve është ai i Laura Perjuci – Zherkës, e cila në vitin 2014 kishte dështuar që të zgjedhej si deputete e Kuvendit të Kosovës.

-Advertisement-

Perjuci – Zherka që asokohe kandidonte si pjesë e Partisë Demorkatike të Kosovës, kishte marrë rreth 1500 vota, duke dështuar në atë garë.

Megjithatë, tash ajo është rehatuar në ministrinë e bashkëpartiakut Beqaj, si Drejtoreshë e Inovacionit.

Në një përgjigje për Gazetën inFokus, ministria ka thënë se Perjuci – Zherka i është nënshtruar procedurave të konkursit të jashtëm dhe më 15 shkurt 2019 ka nënshkruar aktemërimin.

Besim Beqaj rehaton edhe një të afërme të Sami Lushtakut

Një tjetër person i afërt me politikën e që është emëruar si zyrtare për Buxhet dhe Financa në ministrinë e Inovacionit, është edhe Valentina Lushtaku.

Siç merr vesh Gazeta inFokus nga burime brenda ministrisë, Lushtaku është e afërt e kryetarit të PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku, si dhe e afërme e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, Hajriz Koci.

Megjithatë, sipas ministrisë së Inovacionit kjo afërsi e Valentina Lushtakut me politikën nuk ka ndikuar që ajo të zgjidhet në pozitën e zyrtares për Buxhet dhe Financa.

“Valentina Lushtaku  më 21 maj e ka nënshkruar akt emërimin për pozitën Zyrtare për Buxhet dhe Financa 1, duke iu nënshkruar të gjitha procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil. Ndërkaq, koeficienti i pagës së Valentina Lushtakut është 6”, thuhet në përgjigjen e dërguar për Gazetën inFokus nga zyra për informim në ministrinë e inovacionit.

Momentalisht rroga e Lushtakut llogaritet të jetë 363 euro.

Gazeta inFokus ka nisur publikimin e disa shkrimeve ku si temë kryesore janë emërimet, avancimet e punësimet në ministrinë e Inovacionit të udhëhequr nga Besim Beqa. /Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera