Ekonomi

Luksi i pushtetit të Kurtit: Për 9 muaj, mbi 32 milionë euro shpenzime për derivate, telefona e udhëtime

Autori: Gazeta inFokus 15:21 | 05 November 2026

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti premtonte ulje të shpenzimeve të luksit, për telefona, makina dhe udhëtime zyrtare. Faktet nën pushtetin e tij flasin të kundërtën. Nga viti në vit, në pushtetin e Kurtit, këto shpenzime luksi po rriten me miliona euro.

Shifrat e nëntëmujorit të këtij viti (2026) tregojnë se institucionet kanë shpenzuar hiç më pak se 32 milionë e 40 mijë euro për vetëm tri kategori, telefona e shpenzime postare, derivate dhe udhëtime. Madje shifrat pësuan rritje prej 4 milionë e 580 mijë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak (2025).

Shpenzimet për telefoninë mobile, internetin dhe postën janë rritur për afro 80 për qind.

-Advertisement-

Për derivate janë paguar mbi 17 milionë euro.

Udhëtimet, megjithëse kanë shënuar ulje, kanë marrë afro 8 milionë euro të tjera nga buxheti, shkruan Gazeta Infokus.

Në prezantimin e 100-ditëshit të qeverisjes së parë, më 2020, Kurti paralajmëronte se nga heqja e privilegjeve dhe ulja e shpenzimeve për telefona, makina, udhëtime zyrtare, dreka e darka do të kurseheshin mbi 300 mijë euro në vit. Por vit pas viti po dëshmohet e kundërta.

Tabelat e nëntëmujorit të shpenzimeve pasqyrojnë shpenzimet e institucioneve të përfshira në raportin buxhetor, jo vetëm të kabinetit të Kurtit. Por për Qeverinë, që e kishte promovuar kursimin si dallim nga pushtetet e mëparshme.

Mbi 3 milionë euro shtesë për telefon, internet dhe postë

Rritja më e madhe mes këtyre tri kategorive është te komunikimi.

Për telefoninë mobile, internetin dhe shërbimet postare, gjatë nëntëmujorit të vitit 2026 janë paguar 6 milionë e 910 mijë euro. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto shpenzime ishin 3 milionë e 840 mijë euro.

Thjesht, për çdo 100 euro të shpenzuara një vit më parë, institucionet këtë vit kanë paguar rreth 180 euro.

Tabela i paraqet së bashku telefoninë, internetin dhe postën. Ajo nuk tregon se cili prej këtyre shërbimeve e ka shkaktuar rritjen dhe cilat institucione kanë shpenzuar më shumë.

Përgjegjësia për ta bërë të qartë këtë faturë u takon institucioneve që e kanë krijuar dhe atyre që e mbikëqyrin shpenzimin e buxhetit.

Rritje ka shënuar edhe fatura për derivate dhe lëndë djegëse.

Nga 14 milionë e 970 mijë euro në nëntëmujorin e vitit 2025, ajo ka arritur në 17 milionë e 160 mijë euro në vitin 2026. Janë 2 milionë e 190 mijë euro më shumë, apo rreth 15 për qind rritje.

Udhëtimet bien, fatura e përbashkët rritet

Te udhëtimet, të dhënat tregojnë ulje. Shpenzimet kanë zbritur nga 8 milionë e 650 mijë euro në 7 milionë e 970 mijë euro. Buxheti ka paguar 680 mijë euro më pak, ose afro 8 për qind më pak se një vit më parë.

Megjithatë, ky kursim është tejkaluar ndjeshëm nga rritja te komunikimi dhe derivatet. Vetëm këto dy kategori kanë kushtuar 5 milionë e 260 mijë euro më shumë.

Kështu, edhe pas uljes së udhëtimeve, për të tri kategoritë janë shpenzuar 4 milionë e 580 mijë euro shtesë.

Afro 18 milionë euro më shumë për mallra dhe shërbime

Sipas raportit të shpenzimeve të nëntëmujorit të parë, rritja shtrihet në disa prej shpenzimeve për mallra dhe shërbime.

Në total, kjo kategori ka marrë 327 milionë e 250 mijë euro gjatë nëntëmujorit të vitit 2026. Një vit më parë, shuma ishte 309 milionë e 300 mijë euro, shkruan Gazeta Infokus.

Diferenca arrin në 17 milionë e 950 mijë euro, ose rreth 6 për qind. Pjesën më të madhe të shtesës e përbëjnë pagesat për shërbime, të cilat janë rritur për 11 milionë e 590 mijë euro, duke arritur në 104 milionë e 430 mijë euro.

Brenda tyre, vetëm shërbimet logjistike dhe këshilluese kanë kushtuar 94 milionë e 860 mijë euro. Janë 10 milionë e 150 mijë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më shumë para edhe për qira, mirëmbajtje dhe sigurime

Edhe qiratë e objekteve publike kanë marrë më shumë para. Nga 10 milionë e 80 mijë euro më 2025, ato kanë arritur në 11 milionë e 850 mijë euro këtë vit. Shtesa është 1 milion e 770 mijë euro, ose afro 18 për qind.

Për mirëmbajtjen e objekteve, rrugëve, automjeteve dhe pasurive të tjera janë paguar 50 milionë e 900 mijë euro, apo 1 milion e 990 mijë euro më shumë.

Regjistrimi dhe sigurimi i automjeteve e ndërtesave kanë kushtuar 6 milionë e 20 mijë euro, nga 4 milionë e 570 mijë euro një vit më parë. Rritja është 1 milion e 450 mijë euro, ose rreth 32 për qind.

Ndërsa blerjet e tjera për mallra dhe shërbime kanë arritur në 89 milionë e 310 mijë euro, me një shtesë prej 3 milionë e 20 mijë eurosh.

Për një pushtet që kursimin e parasë publike e kishte pjesë të mesazhit të tij politik, llogaridhënia kërkon më shumë sesa publikimin e totalit. Rritja e shpenzimeve duhet të shoqërohet me shpjegim se çfarë është blerë më shumë, pse ka kushtuar më shtrenjtë dhe çfarë shërbimi më të mirë ka marrë qytetari në këmbim. /Gazeta Infokus/

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy