Zhurma politike për protezat e invalidëve të UÇK-së – Hulumtimi i Infokus nxjerr të vërtetën, mbi 1.4 milionë euro për 102 persona
Autori: Samire Jaha
11:35 | 07 November 2026
Një debat i ashpër politik, akuza e kundër akuza u bënë rreth parave të ndara për protezat e invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo pasi Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Por hulumtimi i Gazetës Infokus nxjerr në pah shifra zyrtare që paraqesin një tjetër pasqyrë kundrejt debateve në publik.
Sipas të dhënave të siguruara nga Infokus 102 invalidë të luftës së UÇK-së dhe invalidë civilë të luftës rezultojnë përfitues të skemës së financimit të protezave, për të cilën janë shpenzuar mbi 1.4 milionë euro. Dhe si rrjedhojë nuk ka invalid që nuk ka marr mbështetjen institucionale.
Deputetje e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Buxhet, e ka cilësuar të papranueshme mos mbështetjen e amendamentit prej një milion euro shtesë, duke pretenduar se ka invalidë të luftës që detyrohen t’i sigurojnë vetë protezat.
Por Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka konfirmuar për Infokus se të gjithë aplikuesve që kanë përmbushur kushtet ligjore u janë mbuluar njëqind për qind të shpenzimeve për protezat e tyre.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Kosovës, Fadil Shurdhaj, ka deklaruar për Infokus se aktualisht nuk ka invalidë në pritje për proteza, përveç një rasti të refuzuar së fundmi, për të cilin pritet shqyrtimi i ankesës.
Çfarë tregojnë të dhënat zyrtare të Fondit?
Sipas të dhënave që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i ka konfirmuar për Infokus, deri më tani janë shpenzuar saktësisht 1 milion e 475 mijë e 637 euro për vendosjen, ndërrimin dhe mirëmbajtjen e protezave për invalidët e UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës.
Nga kjo shumë, 1 milion e 9 mijë e 575.51 euro janë shpenzuar për 57 invalidë të luftës së UÇK-së, ndërsa 466 mijë e 61.82 euro për 45 invalidë civilë të luftës. Në total, sipas Fondit, nga kjo skemë kanë përfituar 102 persona, shkruan Gazeta Infokus.
Fondi ka konfirmuar se të gjithë aplikuesve të këtyre kategorive që kanë plotësuar kushtet ligjore u janë mbuluar shpenzimet në masën njëqind për qind.
“Të gjithë aplikuesve të këtyre kategorive, të cilët kanë aplikuar dhe kanë përmbushur kushtet dhe procedurat sipas Udhëzimit Administrativ nr. 03/2023 dhe vendimeve përkatëse, u është siguruar mbështetje financiare në masën njëqind për qind, sipas përzgjedhjes së tyre për marrjen e shërbimeve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Fondit për Infokus.
Pretendimet e Ariana Musliu-Shoshi: Refuzimi i amendamentit është i papranueshëm, buxheti ekzistues nuk i mbulon të gjitha nevojat
Pavarësisht se Fondi i Sigurimit ka konfirmuar mbulimin e plotë financiar për aplikuesit që kanë përmbushur kushtet ligjore, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, vlerëson se financimi ekzistues nuk i përmbush të gjitha nevojat e invalidëve të luftës.
Në një përgjigje për Gazetën Infokus, Musliu-Shoshi, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Buxhet, e ka cilësuar të papranueshme mosmbështetjen e amendamentit nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Mosmbështetja e këtij amendamenti është e papranueshme. Po flasim për nevoja themelore të invalidëve të luftës, për lëvizjen, shëndetin dhe dinjitetin e tyre. Ata që sakrifikuan pjesë të trupit për lirinë e vendit nuk duhet të detyrohen të kërkojnë vetë zgjidhje për sigurimin e protezave. Përkujdesja ndaj tyre është detyrim i shtetit. Për arsyet konkrete të votës kundër duhet të përgjigjen përfaqësuesit e VV-së. Ajo që mund të them është se Komisioni propozues e kishte argumentuar qartë nevojën: buxhet të pamjaftueshëm dhe invalidë të luftës që detyrohen të sigurojnë individualisht protezat. Në vlerësimin tim, refuzimi tregon mungesë të vullnetit\ politik për t’i dhënë përparësi kësaj nevoje”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Sipas saj, fakti që ekziston një skemë e mbulimit financiar nuk nënkupton domosdoshmërisht se janë përmbushur të gjitha nevojat e invalidëve të luftës.
“Vetë arsyetimi i Komisionit dëshmon se financimi ekzistues nuk i mbulon të gjitha nevojat. Kur invalidët e luftës detyrohen të kërkojnë zgjidhje individuale për proteza, mbështetja shtetërore është e pamjaftueshme. Prandaj, e konsideroj të domosdoshëm miratimin e këtij financimi shtesë dhe sigurimin e një mbështetjeje të qëndrueshme. Proteza është nevojë e përditshme për një jetë dinjitoze dhe nuk mund të presë vullnetin politik të shumicës”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.
Shurdhaj për Infokus: Nuk ka invalidë në pritje për proteza, një milion eurot duheshin për trajtime të tjera
Ndryshe nga shqetësimet e ngritura në debatin politik, kryetari i Shoqatës së Invalidëve, Fadil Shurdhaj, ka deklaruar për Infokus se aktualisht nuk ka invalidë në pritje për proteza, përveç një rasti të refuzuar së fundmi. Sipas tij, të gjithë invalidët e luftës që kanë aplikuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe kanë pasur nevojë për proteza janë pajisur me to.
“Nuk ka ndonjë rast në pritje. Të gjithë ata që kanë pasur nevojë dhe që kanë aplikuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore janë pajisur me proteza dhe çdo gjë ka shkuar në rregull. E kemi vetëm një rast, i cili tani është raportuar ditën e premte, që i është refuzuar një invalidi, por ishte një gabim. Ai do të bëjë ankesë dhe ankesa e tij do të shqyrtohet e rregullohet brenda afatit të paraparë”, ka deklaruar ai për Infokus.
Kreu i Shoqatës së Invalidëve ka vlerësuar se kërkesa për ndarjen e një milion eurove shtesë duhej të orientohej drejt trajtimeve të shtrenjta shëndetësore që nuk mbulohen plotësisht nga skema ekzistuese.
“Kërkesa për ndarjen e atyre mjeteve është dashur të jetë ndryshe. Është dashur që ato mjete të shkojnë për invalidët e luftës që janë me sëmundje të rënda dhe që trajtimet nuk kryhen në Qendrën Klinike Universitare, por jashtë klinikës. Do të thotë, ka raste që invalidit i janë dashur deri në 70-80 mijë euro, 40 mijë euro, që Fondi nuk e mbulon atë pjesën krejt.”, ka deklaruar Shurdhaj.
Ai ka shpjeguar se, ndonëse Fondi mund të mbulojë njëqind për qind të shumës së përcaktuar sipas udhëzimit administrativ, kjo shumë jo gjithmonë është e mjaftueshme për të mbuluar koston reale të trajtimit.
“Për proteza po, ndërsa për shërime e trajtime jashtë klinikave nuk mjaftojnë për të gjithë. Kemi raste që Fondi ua siguron 100%, por 100% nga ai udhëzimi administrativ që është bërë më herët dhe i nevojiten edhe 20 mijë e 30 mijë euro. Kemi pasur edhe shumë invalidë të luftës që kanë kërkuar përmes Facebook-ut dhe përmes formave të ndryshme mjete financiare dhe është dashur edhe vetë të marrin kredi e të hyjnë në borxhe. Domethënë, ky një milion është i domosdoshëm për gjëra të tjera, jo për proteza.”, ka theksuar ai.
Shurdhaj ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes shtetërore për rehabilitimin fizik dhe trajtimet në banja ku sipas tij, kjo përkujdesje nuk është realizuar që nga viti 2019.
“Ky milion është dashur të shkojë aty, që me ia ndarë 100% sa i kushton invalidit. Edhe për banja, rehabilitim fizik, që është i rregulluar me ligj, po shihet që invalidët e luftës kanë të drejtë një herë në vit të shkojnë nëpër banja, por prej vitit 2019 ne kemi mbetur realisht pa këtë përkujdesje shtetërore. Këto mjete që janë ndarë kanë shkuar edhe për pushime dhe rehabilitime në bregdetin shqiptar, por me ardhjen e kësaj Qeverie ne nuk kemi pasur më asnjëherë pushime, banja dhe të gjitha i kanë ndaluar. Ne kemi bërë kërkesa, por nuk kemi hasur në mirëkuptim dhe nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, ka përfunduar Shurdhaj për Gazetën Infokus.
QKUK: Rreth tre muaj pritje për t’u pajisur me protezë
Përkundër debatit politik dhe kundërshtimeve për mos ndarjen e një milion eurove shtesë për protezat e invalidëve të luftës, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dhënë për Gazetën Infokus detaje konkrete lidhur me procedurat, numrin e kërkesave dhe kohën e paraparë për pajisjen me proteza.
Sipas QKUK-së, koha optimale e paraparë nga momenti i aplikimit deri në pajisjen me protezë është rreth 94 ditë, afërsisht tre muaj.
“Koha optimale e paraparë nga momenti i aplikimit deri në pajisjen e përfituesit me protezë është përafërsisht 94 ditë, përkatësisht rreth tre muaj”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ky afat, sipas institucionit, mund të ndryshojë varësisht nga plotësimi i dokumentacionit, shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës, si dhe procedurat e furnizimit.
Sipas evidencave të institucionit, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 103 kërkesa periodike, si dhe 27 përsëritje të vërtetimeve. Në vitin 2025 janë regjistruar 21 kërkesa, ndërsa gjatë vitit 2026, deri në periudhën e raportimit, 22 kërkesa.
Megjithatë, institucioni nuk ka specifikuar sa prej tyre kanë qenë për vendosje të protezave të reja, sa për ndërrim dhe sa për mirëmbajtje.
Invalidët e UÇK-së mbulohen 100%, veteranët 70%
Nga QKUK kanë bërë të ditur për Infokus se invalidëve të luftës së UÇK-së dhe invalidëve civilë të luftës u mbulohen 100% të shpenzimeve për proteza, ndërsa veteranëve të luftës u mbulohen 70%.
“Shpenzimet për proteza për invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalidët civilë të luftës mbulohen në masën 100%, ndërsa për veteranët e luftës mbulohen në masën 70% të shpenzimeve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për Infokus.
Megjithatë, QKUK ka theksuar se përfitimi realizohet në përputhje me kriteret, kushtet dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Ndryshe me 21 tetor Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve, pasi pesë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan./Gazeta Infokus/

T� tjera
-
Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera e tyre 154 mijë dollarë
Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontro...
-
Prattipati takon komandantin e KFOR-it: Të ruhet një ambient i sigurt për të gjithë komunitetet në Kosovë
E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosov...
-
Si do të funksiokojë çështja e konfiskimit të patentëshoferit pas vendimit të Gjykatës Supreme, Policia e Kosovës jep sqarime
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili ...
-
Podujevë: Qentë sulmojnë fëmijën, gruaja e dyshuar si pronare e tyre sulmon policinë
Në Podujevë, gjatë ditës së djeshme raportohet se një fëmijë 12-vjeçar është ...
-
Autobusi godet për vdekje një grua te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, arrestohet shoferi
Një grua ka humbur jetën pasi është goditur nga një autobus të premten, më 6 ...
-
10 raste të dhu*nës në familje brenda 24 orëve
10 raste të dhunës në familje janë regjistruar në raportin e fundit 24-orësh ...
-
Këto vende mbesin pa rrymë sot për shkak të punimeve
KEDS ka treguar zonat që sot mbesin pa rrymë për shkak të “punimeve të domosd...
-
Protestë gjithëkombëtare për Arlinda Zekajn, kërkohet shkarkimi i ministrave
Sot në Prishtinë do të mbahet protestë gjithëkombëtare me kërkesën për drejtë...
-
Gjendet pa shenja jete një shtetas austriak në një banesë në Prishtinë
Në rrugën Isa Boletini në Prishtinë, mbrëmë rreth orës 19:00, Policia e Kosov...
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet mot kryesisht me diell, me përjashtim për në orët e m...
-
Xhavit Haliti: Po të liroheshin Thaçi dhe të tjerët me protesta, do të mblidheshin një milion njerëz në rrugë
Ish-deputeti i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka komentuar vendimet e veçanta të Ko...
-
Kurti: Dokumentimi i krimeve të luf*tës i domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar raportin e punës së Instituti...































