Deputeti Nezir Kraki akuzon bankat për “plaçkitje të qytetarëve”, thotë se TEB ia ka bllokuar llogarinë prej tri javësh
Autori: Gazeta inFokus
15:23 | 09 November 2026
Pas rasteve të fundit që kanë ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit të bankave në Kosovë, përfshirë dyshimet për qasje të paautorizuar në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, një tjetër zyrtar publik ka dalë me akuza ndaj sektorit bankar.
Këtë herë është deputeti Nezir Kraki, i cili ka denoncuar publikisht Bankën TEB, duke pretenduar se prej tri javësh i janë bllokuar kartela dhe llogaria bankare, ndonëse i ka përditësuar të dhënat e kërkuara nga banka.
Përmes një reagimi në Facebook, Kraki ka treguar se është paraqitur personalisht në degën e TEB-it në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku thotë se e ka përfunduar procedurën e përditësimit të të dhënave.
“Banka TEB qe 3 javë ma ka blloku kartën dhe llogarinë sepse duhej përditësim i të dhënave. Në fakt, para 3 javëve kam shku fizikisht në bankë në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë dhe i kemi përditësu të dhënat”, ka shkruar ai.
Sipas deputetit, pavarësisht kësaj, llogaria ka vazhduar të mbetet e bllokuar, ndërsa as vizita e dytë në bankë nuk ka sjellë zgjidhje.
“Te premten e kaluar kam shku prapë dhe kam pyet pse nuk është kry ai proces dhe ende situata nuk ka ndryshu”, ka deklaruar Kraki.
Por ankesa e tij për shërbimin e TEB-it është shndërruar në një kritikë shumë më të gjerë ndaj sektorit bankar në Kosovë.
Deputeti ka thënë se rasti personal është vetëm një shembull i asaj që ai e konsideron mungesë profesionalizmi në ofrimin e shërbimeve, ndërsa ka përdorur akuza të ashpra për mënyrën se si bankat i trajtojnë qytetarët.
“Pa dashur ta përgjithësoj çështjen, dhe pa e lidhë aspak me përditësimin e të dhënave, mendoj që sektori bankar në Kosovë ka funksionim gati mafioz si vjedhës masiv i qytetarëve”, ka shkruar Kraki.
Ai ka kritikuar veçanërisht normat e interesit për kreditë, duke pretenduar se qytetarët e Kosovës përballen me kamata dukshëm më të larta sesa në shumë vende evropiane.
“Kamatat që janë në fuqi këtu janë më shumë kartel i plaçkitjes sesa opsione për zgjidhje të halleve e nevojave të familjeve kosovare”, ka deklaruar ai.
Kraki ka marrë si shembull Francën, ku sipas tij, normat e interesit për kreditë e patundshmërive janë dukshëm më të ulëta se në Kosovë.
“Nëse në Francë dhe në gati gjithë Evropën kamata nuk e kalon 3,5% në kreditë e patundshmërisë (në kohë krize sepse normalisht janë 1,5-2%), si është e mundur që në Kosovë të jetë 6-8%?”, ka pyetur deputeti.
Ai ka paralajmëruar se nuk do ta lërë këtë çështje vetëm në nivelin e një reagimi publik, por do ta trajtojë edhe institucionalisht.
“Me këtë temë do merrem edhe zyrtarisht dhe politikisht sepse ka ardhë momenti që të ndalen plaçkitjet me letra”, ka përfunduar Kraki.
Nga rasti i Përparim Ramës te ankesa e Krakit, bankat sërish në qendër të vëmendjes
Reagimi i deputetit vjen pas raportimeve për një tjetër rast në sektorin bankar, ku kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte ngritur shqetësime për qasjen e dyshuar të paautorizuar në llogarinë dhe transaksionet e tij bankare.
Gazeta Infokus kishte raportuar se nga kabineti i Ramës ishte konfirmuar pretendimi se një ish-punonjës i Raiffeisen Bank ishte qasur pa autorizim në të dhënat e tij bankare.
Në përgjigjen për Infokusin, Raiffeisen kishte konfirmuar pranimin dhe trajtimin e ankesës, duke bërë të ditur se kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kishte njoftuar institucionet kompetente.
Ndërkohë, sipas raportimeve mediatike, ish-punonjësi i Raiffeisen, Albion Ferati, emri i të cilit është përmendur në lidhje me këtë rast, tashmë është i punësuar në Bankën TEB, në pozitën e drejtuesit të kontabilitetit.
Ndonëse bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, njëra që lidhet me sigurinë e të dhënave bankare dhe tjetra me ofrimin e shërbimeve ndaj klientëve, të dyja kanë ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë dhe transparencën e institucioneve bankare në Kosovë./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Gucati: Jemi rrahur e gjakosur, ende kemi njerëz në spital, PDK të japë përgjigje për Ligjin për Specialen
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar përgjigje nga Partia Demokrat...
-
Vr*sja e Arlinda Zekajt, raporti i përbashkët dhe gjetjet nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme
Euronews Albania ka zbardhur detaje nga raporti i përbashkët i përpiluar nga ...
-
Kurti në qendrën e teknologjisë dhe inovacionit në Paris, vizitës i bën jehonë edhe Vetëvendosje
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar qendrën e teknologjisë dhe inovacionit n...
-
Policia kryen bastisje në Vushtrri, ndalohet një person
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer bastisje në dy lokacione në Vushtrr...
-
Ky është zyrtari i Ministrisë së Ekonomisë që dyshohet se kërcënoi me revole djalin e Donika Kadaj-Bujupit
Zyrtari i Ministrisë së Ekonomisë, Sami Shaqiri, dyshohet se ka kërcënuar me ...
-
Lladrovci ironizon kandidatët e vetëofruar për kryetar të PDK-së: Ju lus deri në qiell, mos u sakrifikoni
Ramiz Lladrovci ka reaguar ndaj numrit të madh të pretenduesve për të marrë d...
-
Rasti i Arlinda Zekajt, raportet e MD-së dhe MPB-së i dërgohen Komisionit Parlamentar, mbledhja mbyllet për media
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lid...
-
LDK-ja i reagon Shiroka-Pulës për largimin e fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj presidentes Shiroka-Pula, ...
-
Siguria dhe bashkëpunimi policor, Prattipati në takim me Sveçlën
E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvi...
-
“Po e shfaq mos dijen” – Tensione në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt, Rrahmani i PDK-së akuzon për pengim të hetimeve
Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt është ...
-
Komisioni për Legjislacion miraton katër marrëveshje me Suedinë e Belgjikën, opozita kërkon llogari nga Gërvalla
Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar katër projektlig...
-
Bankat bëhen më të kujdesshme me financimin e inteligjencës artificiale pas rënies së tregjeve
Disa banka dhe investitorë po bëhen më të kujdesshëm ndaj financimit të proje...





























