Fokus

Këto janë shifrat alarmante – vendimi i Armend Mujës që rriti importin e qumështit dhe po shkatërron prodhuesit e përpunuesit vendorë

Autori: Gazeta inFokus 16:01 | 18 November 2026

Importi i qumështit dhe produkteve të tij në Kosovë ka shënuar rritje masive gjatë muajve të fundit e si pasojë po shkakton probleme të mëdha për fermerët dhe përpunuesit e qumështit vendorë.

Vetëm për pesë muaj, nga qershori deri në tetor, në Kosovë janë importuar mbi 25 milionë kilogramë qumësht dhe produkte të qumështit, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, importi është rritur për më shumë se 3.2 milionë kilogramë.

Kjo rritje ka ndodhur pikërisht pas vendimit të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, i cili më 10 maj kishte njoftuar pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e përpunimit të qumështit vendor, duke e prezantuar këtë si masë për mbrojtjen e fermerëve e prodhuesve vendorë por edhe konsumatorëve.

-Advertisement-

Hulumtimi i Gazetës Infokus, i bazuar në të dhënat doganore sipas viteve, muajve dhe kodeve tarifore, tregon se gjatë periudhës qershor–tetor 2026, Kosova ka importuar 25,542,559 kilogramë qumësht dhe produkte të qumështit, në vlerë prej 39,686,093 eurosh.

Në periudhën e njëjtë të vitit 2025, importi kishte qenë 22,299,541 kilogramë, në vlerë prej 37,833,186 eurosh, shkruan Gazeta Infokus.

Kjo do të thotë se vetëm gjatë pesë muajve të analizuar, në tregun kosovar kanë hyrë 3,243,018 kilogramë më shumë qumësht dhe produkte të tij, ndërsa vlera e importeve është rritur për 1,852,907 euro.

Rritja e vazhdueshme e importeve ka shkaktuar probleme të mëdha për fermerët dhe përpunuesit kosovarë, si dhe për rezultatet konkrete të masave të ndërmarra nga vet Ministria e Bujqësisë.

Të dhënat tregojnë se importi në sasi është rritur në secilin prej pesë muajve të analizuar.

Vendimi i Armend Mujës që rriti importin e qumështit dhe produkteve te qumështit

Sipas të dhënave doganore, gjatë periudhës janar–prill 2025, Kosova kishte importuar gjithsej 17,618,746 kilogramë qumësht dhe produkte të qumështit, në vlerë prej 28,822,777 eurosh.

Ndërkaq, gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, importi kishte rënë në 17,017,647 kilogramë, në vlerë prej 25,340,237 eurosh.

Kjo paraqet rënie prej 601.099 kilogramësh dhe 3,482,540 eurosh.

Në janar 2026, Kosova importoi 3,833,757  kilogramë qumësht dhe produkte të tij, në vlerë prej 5.006.070  eurosh. Në janar 2025, importi kishte qenë 4,138,399 kilogramë, në vlerë prej 6,209,675 eurosh.

Në shkurt 2026, importi arriti në 4,738,861 kilogramë, në vlerë prej 7,119,469 eurosh, krahasuar me 4,347,230 kilogramë dhe 7,518,746 euro gjatë shkurtit 2025.

Gjatë marsit 2026, Kosova importoi 4,957,325 kilogramë, në vlerë prej 7,847,999 eurosh. Në mars 2025, importi kishte qenë 5,181,851 kilogramë, në vlerë prej 8,545,556 eurosh.

Në prill 2026, muajin e fundit të plotë para vendimit të ministrit Muja, importi ishte 3,487,704 kilogramë, në vlerë prej 5,366,699 eurosh. Në prill 2025, ishin importuar 3,951,266 kilogramë, në vlerë prej 6,548,800 eurosh.

Kështu, në tre nga katër muajt e parë të vitit 2026, importi ishte më i ulët në sasi krahasuar me muajt përkatës të vitit 2025.

Maji, muaji i vendimit – importi rritet në 5,083,695 kilogramë

Më 10 maj 2026, ministri Armend Muja njoftoi vendimin për pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e përpunimit të qumështit.

Gjatë gjithë majit 2026, Kosova importoi 5,083,695 kilogramë, në vlerë prej 7,908,862 eurosh.

Në maj 2025, importi kishte qenë 3,918,341 kilogramë, në vlerë prej 6,871,346 eurosh.

Kjo paraqet rritje prej 1,165,354 kilogramësh dhe 1,037,516 eurosh.

Pas vendimit, importi u rrit në secilin muaj nga qershori deri në tetor

Gazeta Infokus ka analizuar veçmas periudhën qershor–tetor, që përfshin pesë muajt e plotë pas shpalljes së vendimit.

Qershori – rritje si në sasi, ashtu edhe në vlerë

Në qershor 2025, Kosova kishte importuar 4,246,395 kilogramë qumësht dhe produkte të tij, në vlerë prej 6,657,817 eurosh.

Ndërkaq, në qershor 2026, importi arriti në 4,997,152 kilogramë, në vlerë prej 8,355,779 eurosh.

Kjo paraqet rritje prej 750,757 kilogramësh dhe 1,697,962 eurosh.

Korriku – rritja më e madhe e importit në sasi

Në korrik 2025, importi ishte 4,434,416 kilogramë, në vlerë prej 8,117,304 eurosh.

Në korrik 2026, importi arriti në 5,690,392 kilogramë, në vlerë prej 8,619,373 eurosh.

Kjo paraqet rritje prej 1,255,976 kilogramësh dhe 502,069 eurosh.

Gushti – sasia rritet, por vlera bie

Në gusht 2025, Kosova kishte importuar 5,111,709 kilogramë, në vlerë prej 8,786,212 eurosh.

Në gusht 2026, importi arriti në 5,675,058 kilogramë, në vlerë prej 8,314,937 eurosh.

Kjo do të thotë se janë importuar 563,349 kilogramë më shumë, ndërsa vlera e importeve ka qenë 471,275 euro më e ulët.

Shtatori – importi rritet në kilogramë, bie në euro

Në shtator 2025, importi ishte 3,835,860 kilogramë, në vlerë prej 7,266,782 eurosh.

Në shtator 2026, sasia arriti në 3,982,796 kilogramë, ndërsa vlera ishte 6,165,995 euro.

Kjo paraqet rritje prej 146,936 kilogramësh, por rënie të vlerës për 1,100,787 euro.

Tetori – rritje e konsiderueshme e importit

Në tetor 2025, Kosova kishte importuar 4,671,161 kilogramë qumësht dhe produkte të tij, në vlerë prej 7,005,071 eurosh.

Në tetor 2026, importi arriti në 5,197,161 kilogramë, me vlerë prej 8,230,009  eurosh.

Kjo paraqet rritje prej 526.000 kilogramësh dhe 1.224.938 eurosh.

Përveç krahasimit me vitin paraprak, Gazeta Infokus ka analizuar edhe lëvizjen e importit të qumështit dhe produkteve të tij nga njëri muaj në tjetrin gjatë vitit 2026.

Të dhënat doganore tregojnë se importi ka pasur luhatje të konsiderueshme, me rritje në disa muaj dhe rënie në të tjerët.

Në maj 2026, Kosova importoi 5,083,695 kilogramë qumësht dhe produkte të tij, ndërsa në qershor sasia ra në 4,997,152 kilogramë, apo 86,543 kilogramë më pak.

Në korrik, importi shënoi rritje të ndjeshme, duke arritur në 5,690,392 kilogramë, që përbën 693,240 kilogramë më shumë krahasuar me qershorin.

Ndërkaq, në gusht importi pësoi një rënie të lehtë, duke arritur në 5,675,058 kilogramë, apo 15,334 kilogramë më pak sesa në korrik.

Rënia më e madhe mujore u regjistrua në shtator, kur importi zbriti në 3,982,796 kilogramë, që përbën 1,692,262 kilogramë më pak krahasuar me gushtin.

Megjithatë, në tetor importi u rrit sërish ndjeshëm, duke arritur në 5,197,161 kilogramë, apo 1,214,365 kilogramë më shumë sesa në shtator.

Çfarë vendosi ministri Armend Muja më 10 maj?

Më 10 maj 2026, pas protestave të fermerëve të qumështit, ministri Armend Muja njoftoi pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në prodhimin e produkteve të qumështit, deri në krijimin e sistemit përkatës të autorizimit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Vendimi u prezantua si masë për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, të cilët kishin ngritur shqetësime për konkurrencën nga produktet e prodhuara me përbërës zëvendësues më të lirë.

Muja kishte deklaruar se sektori po përballej me dy probleme kryesore: zëvendësimin e qumështit të freskët me qumësht pluhur dhe zëvendësimin e yndyrave shtazore me yndyra bimore, përfshirë vajin e palmës.

Ministri kishte paralajmëruar se operatorët që dëshironin t’i përdornin këta përbërës do të duhej të pajiseshin me autorizime të veçanta.

Më herët, më 28 prill, Ministria kishte paralajmëruar kontrolle laboratorike, mbikëqyrje të produkteve të importuara dhe masa për kategorizimin dhe etiketimin e tyre./Gazeta Infokus/

Bletaria Haxhia – Tradita familjare dhe përkushtimi ndaj bletarisë sjellin mjaltë natyral e cilësor në tryezat tuaja
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy