Fokus

Miliarderët Lazim Destani e Saimir Mane “takohen” në stacionin e autobusëve në Prishtinë

Autori: Sylejman Sylejmani 16:09 | 11 October 2018

Dy miliarderët më të mëdhenj shqiptarë, Lazim Destani nga Maqedonia e Saimir Mane nga Shqipëria ia kanë mësyrë Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Por, asnjëri nuk e kanë ndërmend të udhëtojnë me autobusë.

Gazeta inFokus, mëson se Destani e Mane tashmë kanë shprehur interesim për ta zhvendosur komplet stacionin nga lagja Kalabria në kryeqytet, për të ndërtuar qendrën më të madhe tregtare në rajon.

Në hapësirën prej 15.2 hektarësh Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, është në pritje të ofertave për investim që nga nëntori i 2016-ës, kur kishte organizuar një konferencë me investitorë.

-Advertisement-

Megjithatë, planifikimet fillestare ishin pak më ndryshe nga propozimet e miliarderëve.

Komuna planifikonte që stacioni të ndërlidh në një lokacion trafikun urban dhe atë ndërurban, ku numri i udhëtarëve parashihej të arrinte në 20 milionë brenda vitit.

Sipas këtij projekti të prezantuar nga Komuna, në tokën e cila është në pronësi të saj dhe stacionit të autobusëve, do të ndërtohej edhe një qendër tregtare.

Sipërfaqja për ndërtim të kësaj qendre në parcelën 15.2 hektarësh, është paraparë të jetë 50 mijë deri në 60 mijë m².

Miranda Mullafazliu, nga zyra për media në Komunën e Prishtinës, thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë projekt konkret nga asnjë investitorë potencial.

“Ky është projekti prej komunës së Prishtinës që është propozu të bëhet. Pritet me e shiku se a ka oferta. Njëherë jo, nuk ka diçka”, thotë ajo për Gazetën inFokus.

Sipas asaj që është prezantuar, investimet kapitale për këtë projekt kapin shifrat 80-90 milionë euro.

Financues do të jetë vetëm sektori privat, përderisa dhënia e tokës do të bëhet për një shfrytëzim afatgjatë, më tepër se 15 vjet.

Këtu është paraparë të bëhet edhe ndërtimi i stacionit të autobusëve, si dhe ndërtimi i garazhit për servisim e mirëmbajtje.

Megjithatë, siç mëson Gazeta inFokus, miliarderi nga Shqipëria Saimir Mane në projektin e tij ka paraparë që komplet hapësira prej 15 hektarësh të kthehet në qendër komerciale. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera