Fokus

Kryetarët e komunave injorojnë integrimin në Evropë

Autori: Sylejman Sylejmani 15:42 | 16 October 2018

Zijadin Thaçi udhëheq zyrën për integrime evropiane në komunën e Kamenicës, por ai asnjëherë nuk është takuar me kryetarin e komunës, Qëndron Kastrati për të folur rreth punëve të tij.

Thaçi në një prononcim për Gazetën inFokus thotë se nga fillimi i mandatit e deri tash kryetari ka pasur të tjera agjenda.

“Është herët me e vlerësu për kryetarin. Fatkeqësisht deri më tani jo nuk jam takuar, por duhet t’i referohem agjendave të ngjeshura të tij ose faktikisht ndoshta nuk po mundet akoma të arrijë tek qasja se çfarë rëndësie kanë proceset e integrimeve evropiane”, thotë Thaçi.

-Advertisement-

E shqetësim të njëjtë si të Thaçit kanë edhe shumë zyrtarë të tjerë të integrimeve evropiane nëpër komunat e Kosovës.

Ata u bënë bashkë në një konferencë të organizuar nga instituti GAP, ku shumica prej tyre treguan se janë të anashkaluar në komunat ku punojnë, nuk ftohen në mbledhje e kanë pak kontakte me kryetarët.

Rozafa Ukimeraj – Çuni, sekretare e përgjithshme në ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal deklaroi se ka raste kur kryetarët e komunave mendojnë se zyrtarët e integrimeve evropiane shkojnë vetëm nëpër trajnime, e nuk kryejnë punë tjetër.

“Kam pasur raste kur kryetarët e komunave nëpër organizimet që i kemi mbajtë na kanë thënë se kam menduar që zyrtarët e integrimeve evropiane shkojnë vetëm nëpër trajnime e nuk bëjnë asgjë, por ja që tash po e shoh që paskan edhe punë të tjera”, theksoi ajo.

Sekretarja e MAPL-së tha se do t’i marrin seriozisht të dalat e këtij raporti.

Me 40 minuta vonesë, pjesë e kësaj konference u bë edhe kryetarja e komisionit parlamentar për integrime evropiane, Blerta  Deliu – Kodra.

Edhe pse erdhi vonë, ajo gjithashtu e lëshoi takimin menjëherë pasi përfundoi fjalimin e saj.

“Janë një mori ligjesh që duhet t’i miratojmë në Kuvend. Situata që është në Kuvend po na e pamundëson që të punojmë në këtë drejtim. Ne si anëtarë të komisionit për integrime evropiane pavarësisht ndarjeve në Kuvend, kemi qenë bashkë në komision. Institucionet duhet të bëjnë më shumë”, ka theksuar ajo.

E ndër të gjeturat kryesore të këtij raporti të publikuar nga instituti GAP është se niveli qendror nuk po e çmon sa duhet kontributin që po e japin komunat në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Bekim Salihu nga ky institut theksoi se komunat kanë krijuar në strukturë të laramanishme kur bëhet fjalë për integrimet evropiane.

“Edhe përkundër ekzistencës së një rregulloreje nacionale e nxjerrë nga Zyra e Kryeministrit, që mëton të rregullojë strukturën dhe kompetencat e komunave në fushën e integrimeve evropiane, gjendja në terren është e ndryshme. Në shumicën e komunave ka zyre për integrime evropiane, ndërsa të tjerat kanë vetëm zyrtar për integrime evropiane dhe nuk është themeluar një zyre e veçantë. Në dy komuna Pejë dhe Mitrovicë është themeluar Drejtoria për Integrime Evropiane, që e bën krejt të ndryshëm strukturën e komunave sa i përket procesit lokal të integrimeve evropiane”, theksoi ai.

Salihu gjithashtu shtoi se në vitin 2017 komunat e Kosovës nuk kanë fituar asnjë cent nga fondi 60 milionësh i IPA-së.

E nga ky fond në përgjithësi nuk ka fituar as shteti, pasi janë shfrytëzuar vetëm 30 milionë euro të tij. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera