Fokus

Flet Ahmet Daku, ja pse nuk shkoi në gjykim për “Veteranët e rrejshëm”

Autori: Sylejman Sylejmani 15:18 | 14 March 2019

Ahmet Daku e Xhavit Jashari kanë qenë dy të akuzuarit e rastit të Veteranëve, të cilët kanë munguar në seancën e mbajtur për ta të enjten.

Si shkak i mungesës së tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të lëshohet urdhër-arrest për të dy anëtarët e komisionit për verifikimin e veteranëve, shkruan Gazeta inFokus.

Megjithatë, Daku në një prononcim për Gazetën inFokus ka treguar se si shkak i shëndetit nuk ka arritur të shkojë sot në seancë.

-Advertisement-

“Vetëm për shkak të shëndetin. Tash jam duke marrë infuzion. Dje më ka rrokë paradite jam shku në punë dhe më ka rrokë një infeksion. Jam ardhë në spital dhe jam duke marrë infuzion, shkaku i shëndetin”, ka deklaruar Daku.

Ai ka theksuar se ka tentuar ta njoftojë Gjykatën, por ata nuk ia kanë hapur telefonin.

“Jam mundu me i njoftu sot por nuk e kanë hap Gjykata atje telefonin, nuk kam pas mundësi. Vetëm një koleg timin e kam njoftu që ta njoftojë Gjykatën që unë nuk mundem me ardhë për shkak se jam sëmutë, me shëndet të dobët”, tha ai.

Përkundër mungesës së sotme, Daku ka deklaruar se do t’i përgjigjet Gjykatës dhe se këtë gjë e ka bërë gjithmonë.

Megjithatë, ai ka thënë se ndihet plotësisht i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

“Unë kam qenë i autorizuar, nuk kam qenë komandant. Unë jam i pafajshëm. Unë vetëm kam qenë si një lloj administratori. Akoma nuk e dimë cilësinë që kemi qenë ne, si anëtar të komisionit. Si anëtar i komisionit përgjegjës nuk kam mujtë me ja nënshkru pa ja nënshkru dikush prej komandantëve të njësive. Kështu që unë jam i deleguar, nuk kam qenë komandant as i një zone as i ndonjë brigade, vetëm kam qenë i deleguar”, ka deklaruar ai.

Daku gjithashtu ka thënë se komisioni nuk ka qenë shtetëror, por vullnetar dhe i cili e ka kryer punën aq sa ka ditur, si dhe ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata që ata të cilët kanë përfituar jashtëligjshëm, të shkojnë aty ku e kanë vendin.

Në seancën e mbajtur të enjten, 10 anëtarët e komisionit janë deklaruar të pafajshëm.

Në këtë seancë, prokurori special, Enver Krasniqi ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët që dyshohet se përfituan jashtëligjshëm, deri sa të përfundojë procesi gjyqësor. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera