Fokus

Faktet e Infokus-it fituan përballë spekulimeve të Hysen Durmishit

Autori: Gazeta inFokus 14:49 | 22 July 2021

Faktet janë kokëforta! Thuhet se përball tyre heshtin edhe zotat. Këtë teori u përpoq të thyej zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, por në fund edhe ai u dorëzua- dështoi. Vetëm një javë më parë, ai provoi t’i demantonte faktet që i ofroi Gazeta Infokus, lidhur me vendimin e kundërligjshëm për dhënien e tenderit për tiketa ngjitëse në makina, tiketa këto që do të kushtonin 4.99 euro kujtdo që do ta regjistronte veturën pas 1 shtatorit.

Infokus kishte gjetur dëshmi se si ky tender ishte nënshkruar në kundërshtim me opinionin e Zyrës Ligjore të Ministrisë. E gjithë kjo ishte bërë me dijeninë e plotë të ministrit Liburn Aliu, kabinetit të tij dhe zëvendësministrit, Durmishi.  Saktësisht, me datën 25.05.2021, Zyra Ligjore e Ministrisë së Infrastrukturës, i ishte drejtuar nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtorit të operatorit ekonomik, “Auto Kontroll Kosova Sh.P.K”, Sedat Troshupa, me ç’rast e kishte njoftuar lidhur me procesin e tenderit për ofrimin e shërbimit “Tiketa Ngjitëse”.

Në atë përgjigje, Zyra Ligjore e kishte njoftuar operatorin ekonomik dhe njëkohësisht edhe ministrin Aliu, zëvendësministrin, Durmishi, kabinetin e ministrit dhe Departamentin e Automjeteve se ky proces ishte anuluar me vendim të Sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie me datë 04.10.2019. Infokus e argumentoi këtë duke sjellë edhe numrin e protokollit që mbante vendimi, e që ishte 01.11756. Dokumenti sqaronte  edhe detaje tjera se si Zyra ligjore i ishte përgjigjur në kërkesë drejtorit të kompanisë “Auto Kontroll Kosova Sh.P.K”, pasi paraprakisht kishte pasur takime dhe kërkesa nga vetë ministri Aliu.

-Advertisement-

Në vendim thuhej qartë se janë anuluar të gjitha veprimet që rrjedhin për vlerësimin e ofertave të tiketës se rregullsisë teknike të mjeteve me veprim motorik. Me këtë rast, Departamenti i automjeteve ishte obliguar për zbatimin e këtij vendim.

Për të kontraktuar një kompani për këtë shërbim, Ministria e Infrastrukturës, do duhej të fillonte procedurat e prokurimit nga fillimi, duke bërë shpallje publike dhe përzgjedhje të operatorit ekonomik sipas kritereve ashtu siç edhe kërkohet me procedurat e Ligjit të prokurimit publik. Një gjë e tillë është e sanksionuar me ligj edhe për shkak të validitetit të dokumenteve në dosjen e tenderit. Pra për çdo procedurë tenderuese kërkohen dokumente që kanë validitet të caktuar. Rrjedhimisht, nuk mund të vazhdohet me një proces i cili është zhvilluar rreth tri vite me parë dhe i cili ka qenë i anuluar me vendim të plotfuqishëm.

Arsyetimi i paqëndrueshëm i Durmishit

Zëvendësministri Durmishi e pati arsyetuar nënshkrimin e vendimit duke u thirrur se kanë qenë para aktit të kryer, pasi procesi kishte filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj.

“Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021”, pati deklaruar Durmishi.

Nga ky qëndrim, ai nuk u lëkund as ku u vu përball kryeredaktorit të Gazetës Infokus, Zekirja Shabani, në një debat në Kanal 10.

Shabani  pati thënë publikisht se ajo çfarë po thoshte Durmishi nuk ishte e vërtetë.

“Hysen Durmishi nuk po e thotë të vërtetën për “taksen” 5 euro kur po thotë se nuk patëm qare pa e nënshkruar. Infokusi ka zbuluar se i tërë procesi ka qenë i anuluar kur ka ardhur në pushtet Durmishi me shokë. Madje për këtë punë ka qenë i njoftuar prej Zyrës Ligjore, siç edhe shihet në dokumente. Pyetja është: Çfarë zori pate për ta nënshkruar?”, i qe drejtuar Shabani, Durmishit.

Pezullimi i vendimit dhe kërkesat për dorëheqje të Durmishit

Tek sot Durmishi i pa gjërat ndryshe. U dorëzua dhe e pezulloj tenderin. Arsyetimi që e dha qe se ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.

“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”, tha ai.

Por kjo tërheqje nuk po e amniston nga kritikat e opozitës dhe analistëve. Të dyja palët po i kërkojnë dorëheqjen.

“DORËHEQJA/SHKARKIMI NUK MJAFTON!”, ka shkruar Shkëlzen Gashi, ish- këshilltari i Albin Kurtit.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që ta hetojë të gjithë procesin në mënyrë që të mos kalojë në heshtje kjo çështje”, bëri thirrje në anën tjetër, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Një ditë më herët, kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, në një intervistë për Gazetën Infokus, ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i shfrytëzoi të gjitha mjetet juridike që taksa prej 5 euro të mos fillonte së zbatuari nga 1 shtatori.

“Duke qenë se nuk ka bazë ligjore për nxjerrjen e këtij vendimi dhe vendosjen e kësaj tikete, ky vendim i Ministrisë është vendim antiligjor. Arsyeshmëria që është dhënë nuk qëndron sepse tiketa nuk ndihmon asgjë sa i përket çështjes së përmirësimit të sigurisë në komunikacion. Janë faktorë të tjerë ata që e ndihmojnë sigurinë në komunikacion dhe identifikimin e automjeteve të paregjistruara. Vendimi po ashtu bie ndesh me ligjin sepse krijon monopol, dhe si i tillë çmimi i kësaj tikete është tepër i lartë dhe rëndon gjendjen e ekonomisë familjare. Prandaj, mendojmë se këtij vendimi i vije era korrupsion”, ka deklaruar Shala.

Kundër kësaj takse qe deklaruar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Bile, ky i fundit i pati ftuar qytetarët që të protestojnë kundër zbatimit të një vendimi të tillë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Efekti mediatik i Infokusit në anulim e pezullim tenderësh

Së fundmi, aktivistët e PSD-së, zhvilluan një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, duke vendosur pano me figurën e Durmishit ne ‘bankënotën’ 5 eurshe. Për koincidence, pak para nisjes së aksionit, u bë publike pezullimi i tenderit.

Vendimin përfundimtar për këtë tender, siç ka paralajmëruar Durimishi, do të merret “pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë”.

Pezullimi i këtij tenderi, vjen pak kohë pas anulimit të një tenderi në Ministrinë e Bujqësisë. Pas shkrimit të Gazetës Infokus, se në këtë ministri ishin planifikuar 80 mijë euro për pije, ministri Faton Peci, e anuloi tenderit, pavarësisht se një këshilltare e tij, kishte pretenduar se gazeta po dezinformonte. Infokus, megjithatë e arriti efektin e vet mediatik./Gazeta Infokus/

Skandal: Liburn Aliu shpërfilli zyrën ligjore, këto janë faktet se si kundërligjshëm u dha tenderi për ”tiketat ngjitëse”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera