Fokus

Çfarë pritet nga takimi për Asociacionin në Ambasadën Amerikane?

Autori: Samire Jaha 10:41 | 31 January 2023

Tashmë ka nisur takimi në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me liderë zyrtarë të qeverisë e Presidencës, partitë opozitare e shoqërinë civile ku pritet të diskutohet për Asociacionin e Komunave më shumicë Serbe, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas analistit, Gazmir Raci, në këtë takim pritet të ketë qartësime në lidhje me atë se si e shohin të ftuarit në këtë takim asociacionin dhe në çfarë forme duhet të formohet, duke lënë të nënkuptohet që nuk ka zgjidhje tjetër, përveç pranimit të kësaj marrëveshje.

Ai në një prononcim për Gazetën Infokus po ashtu deklaroi se themelimi i Asociacionit jashtë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, rrezikon Kosovën si një shtet multietnik.

-Advertisement-

“Pres një përafrim dhe qartësim të qëndrimeve të pjesëmarrësve në këtë tryezë, sepse ka shumë diskutime në opinion që janë pro janë kundër, janë pro janë kundër është momenti i duhur ku të gjithë të ftuarit me u deklarua a janë për themelimin e Asociacionit dhe si janë për në çfarë forme duhet të themelohet a duhet të shkohet sipas asaj se çfarë thotë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese apo në bazë të kërkesave çfarë thotë Serbia edhe këtu palët duhet me u qartësu për çfarë formati të Asociacionit janë. Sot nuk është dita kur themelohet ose jo Asociacioni , pasi që pranimin duhet me e bë institucionet e Kosovës, është mirë që sot që të gjitha partitë politike me tregu unitet karshi aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese sepse vetëm në atë formë e ruajmë funksionalitetin e shtetit përndryshe nëse shkohet me themelua asociacionin jashtë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese atëherë rrezikojmë shtetin multietnik të Kosovës”, ka deklaruar Raci për Infokus.

Ndryshe ai tha se problemin historik të Kosovës do të e përfundonte vetëm një njohje formale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Njohja formale e zgjidhë problemin historik në mes të Kosovës dhe Serbisë pa njohje nuk ka zgjidhje të vërtetë të problemit marrëveshja duhet me përmbajtë njohjen tash a do të ketë njohje formale, duhet me u pa çka thotë dokumenti franko-gjerman që ne ende nuk kemi draftin zyrtar ne po spekulojmë në disa drafte që po qarkullojnë në media, me rëndësi është që Serbia me e njoft Kosovës nëse dëshiron ta zgjidhin problemin përfundimisht”, u shpreh Raci për Infokus.

Derisa takimi ka disa minuta që ka filluar, dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Pak para takimit Ambasada Amerikane ka publikuar disa fotografi të vendit ku do të mbahet takimi.

Kujtojmë që në këtë takim nuk ka qenë i ftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ndërkaq nga institucionet e vendit janë duke marrë pjesë, ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla, nga presidenca, Shefi i stafit, Blerim Vela dhe Këshilltari i Jashtëm, Bekim Sejdiu.

Ndërkaq, në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues të partive politike, zyrtarë qeveritarë, ambasadorë e pjesëtarë të shoqërisë civile./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera