Fokus

Çfarë do të studiojnë sivjet më shumë kosovarët?

Autori: Doresa Geci 10:25 | 28 September 2020

Kosovarët duket se nuk duan të bëhen ekonomistë e jurist si më parë. Më shumë tani preferojnë të bëhen mjekë, filozofë e matematicientë.

Kështu duket trendi këtë vit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë institucion, do të pranohen 518 studentë më pak në vitin akademikë 2020/2021, në bazë të konkursit të hapur për pranimin e 6 mijë e 638 të rijnë.

-Advertisement-

Fakultetet që mbanin rekordin e studentëve, shihet se tani do të ofrojnë më pak vende të lira për të studiuar, shkruan Gazeta Infokus.

Më së shumti ulje të numrit të studentëve do të ketë në Fakultetin Ekonomik, në të cilin këtë vit do të mund të regjistrohen vetëm 1250 studentë, apo 650 studentë më pak se sa një vit më parë.

Ndryshim tjetër, në konkursin e këtij viti shihet se nuk do të ketë studime me korrespodencë.

Por, pavarësisht kësaj, në fakultetin e Mjekësisë këtë vit do të ketë më shumë studentë, shkruan Gazeta Infokus.

Mjekësia ka hapur 420 vende të lira, derisa në vitin e kaluar kishte shpallur konkurs për 370.

Këto ndryshime sipas, Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendit, kanë ardhur me vendimi të Agjencisë Kosovare për Akreditim.

“Këtë vit nuk ka fare studime me korrespondencë në vitin e parë, kjo pasi që Agjencia Kosovare për Akreditim  ka kërkuar që të bëhet akreditim i veçantë për këtë kategori të studentëve, prandaj kjo ka bërë që të zvogëlohet dukshëm numri i studentëve për vitin akademik 2020/21”, ka thënë Kelmendi për Gazetën Infokus.

Në Agjencinë Kosovare për Akreditim kanë thënë për Gazetën Infokus, se ndryshimet kanë ndodhur pas vlerësimi që është bërë nga kjo Agjenci.

Megjithatë, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e zvogëlimit të numrit të studentëve në disa fakultete e rritjes në disa të tjera.

Shkelzim Gërxhaliu nga ky institucion shpjegon se  çdo program studimi i nënshtrohet procedurave të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtar të kontraktuar nga AKA. Ky vlerësim bëhet mbi bazën e standardeve të cilat duhet të përmbushen, në mënyrë që një institucion apo një program studimi të marrë rekomandim pozitiv për akreditim.

“Secili program i vlerësuar pozitivisht për akreditim ka edhe një kuotë se sa student mund të pranoj për regjistrim brenda një viti akademik. Ky kriter përcaktohet mbi bazën e 1. Numrit të stafit akademik të dedikuar për program, 2. Hapësirave dhe klasat të cilat përdoren për realizimin e programit, 3. Pajisjet, laboratorët dhe mjetet e tjera të realizimit. Prandaj secili vlerësim përfundon me një raport të vlerësimit për të cilin KShC merr një vendim dhe atë vendim ua dorëzon Institucioneve te Arsimit te Larte”, ka thënë Gërxhaliu.

Derisa sipas njohësit të fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci, institucionet në vend duhet sa më parë që  konkurset të përputhin edhe me nevojat e tregut.

Ai thotë se është koha e fundit që universitetet publike dhe Ministria të përkujdesen që regjistrimet e reja të jenë më afër kërkesave të tregut të punës, pasi tanimë është krijuar tepricë e të diplomuarve në disa fusha si drejtësia e ekonomia, shkruan Gazeta Infokus.

“Duhet të kemi parasysh se Kosova ka pesë fakultete juridike dhe pesë fakultete ekonomike publike, plus privatët, prandaj edhe me zvogëlim të numrit të regjistrimeve të reja, do të kemi më shumë studentë se që mund të punësohen. Do të kalojnë shumë vite derisa oferta për studime të harmonizohet me kërkesat e tregut të punës, pasi kërkesat e tregut t punës edhe nuk janë mirë të definuar”, ka deklaruar Pupovci. /Gazeta Infokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera