Fokus

Armend Zemaj nuk ka arritur ende marrëveshje për vaksinat anti-Covid me kompaninë Pfizer

Autori: H. Smajli 13:42 | 25 February 2021

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka siguruar vaksinën antiCOVID-19, përderisa shtetet fqinje tashmë kanë filluar edhe vaksinimin. 

Premtimet për 1,8 milionë vaksina u venitën e nuk u përmendën më as nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe as nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

E as edhe tash në fund të muajit shkurt, Kosova nuk e dinë datën se kur do të vinë vaksinat e para.

-Advertisement-

Gazeta inFokus raportoi javën e kaluar se, ministria e Zemajt nga premtimi që doza e parë e vaksinave do të vijë në mes të shkurtit, ndryshuan deklarimin.

500 mijë vaksina qeveria Hoti kishte thënë se do të vinin nga Pfizer & BioNTech, për të cilat ende nuk janë afër arritjes së një marrëveshjeje.

Në një përgjigje për Gazetën inFokus, nga kompania Pfizer dhe BioNTech kanë thënë se janë vetëm në bisedime me Qeverinë e Kosovës por që ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

“Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, ka deklaruar Urša Lakner, menaxhere e kompanisë për rajonin e Adriatikut.

Lakner ka thënë se Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik.

Gazeta inFokus ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë se deri ku kanë arritur me këtë marrëveshje për të cilën në muajin janar thanë se kishte përfunduar por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Zyrtarisht, formalisht, pas bisedave të grupit të Ministrisë së Shëndetësisë që negocion sigurimin e vaksinave në emër të Qeverisë, dje janë konkretizuar bisedat me Pfizer për 535 mijë vaksina. Janë konkretizuar bisedat me Austrinë për 600 mijë vaksina dhe me Covaxin janë kryer më herët për 720 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin siç e dini është miratuar janë ndarë 40 milionë euro vetëm për vaksina dhe jemi të përgatitur për këtë proces. Ne presim që vaksinat e para do të arrijnë në muajin shkurt”, ka deklaruar kryeministri, Avdullah Hoti në fillim të janarit.

E në një përgjigje tjetër për vaksinat, zyra për informim e kësaj ministrie kishte thënë për Gazetën inFokus se këtë javë pritet të mësohet data e arritjes së vaksinave nga COVAX duke mos përmendur fare premtimin për vaksinat që do të vinin nga PFIZER.

“UNICEF ka bërë të ditur se këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX do të marrin informata nga COVAX në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës. Pra, MSh pret që këtë jave ta mësojë datën e arritjes së dozave të para dhe të filloje procesi i vaksinimit”, thuhej në përgjigjen zyrtare të MSh-së.

Kujtojmë se deri më tani në Kosovë nga virusi COVID-19 e kanë humbur jetën 1 mijë e 852 persona.

Numri total i të infektuarve në vend ka arritur shifrën 67 mijë 469 persona, ndërsa janë shëruar 58 mijë e 919 qytetarë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera