Fokus

Ku janë vaksinat Armend?

Autori: H. Smajli 17:01 | 22 February 2021

Është fundi i shkurtit, koha kur punonjësit shëndetësor e qytetarët e moshës mbi 65 vjeç në Kosovë do t’i kishin marrë vaksinat anti-Covid, po të ndodhte ashtu siç pati premtuar ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj.

Por, as tani kur i tërë rajoni ka filluar vaksinimin, Kosova nuk e dinë datën se kur do të vinë vaksinat e para.

Të dhënat zyrtare demantojnë deklarimet e ministrit Zemaj se janë siguruar mbi 1 milionë vaksina të cilat do të nisin të shpërndahen tek qytetarët në mesin e muajit shkurt.

-Advertisement-

“360 000 vaksina anti COVID-19 për fillim do të merren falas nga mekanizimi COVAX. Sasi të tjera, sipas nevojës do të blihen nga ky mekanizëm apo edhe prodhuesit drejtpërdrejtë. Vaksinat e para pritet te arrijnë ne mes te muajit shkurt, por ka gjasa qe sasi te caktuara të arrijnë edhe më herët, të siguruara përmes rrugëve të tjera”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Gazetën Infokus me 4 janar të vitit 2021.

Por të hënën i njëjti institucion ka ndryshuar deklarimin.

Sipas zyrtarëve të ministrisë së udhëhequr nga Zemaj, OBSH ka miratuar vaksinën AstraZeneca/SKBio dhe SIIL për përdorim emergjent kundër Covid-19. Kjo vaksinë për vendet përfituese, ku bënë pjese edhe Kosova (20%) është siguruar nga mekanizmi COVAX dhe dozat e para ne Kosove dorëzohen përmes UNICEF-it.

“UNICEF ka bërë të ditur se këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX do të marrin informata nga COVAX në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës. Pra, MSh pret që këtë jave ta mësojë datën e arritjes së dozave të para dhe të filloje procesi i vaksinimit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MSh-së.

Madje, ndryshe nga sic ishte premtuar se fillimisht do të vaksinoheshin qytetarët e moshës mbi 65 vjeç, ministria ka ndryshuar planin.

Tani thonë se do të vaksionohen të parët personat në moshën mbi 80 vjeç.

Por, as kjo duket se nuk është e sigurt.  Pasi nuk ka një datë të sakt se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë dhe sa do të jetë sasia.

Të henën në mbledhjen e Komitetit për Menaxhimin e situatës me COVID-19, Zemaj e përmendi vetëm sipërfaqësisht temën e vaksinave duke mos dhënë asnjë detaj për kohën se kur do të sigurohen.

Vaksinat e premtuara

Për këtë qështje, premtimet e Ministrisë së Shëndetësisë ishin nga më ta ndryshmet.

Fillimisht u premtuan 360 mijë vaksina, ndërsa një ditë më pas, i pari i Ministrisë së Shëndetësisë tha se janë siguruar edhe 500 mijë vaksina të tjera nga Pfizer.

“Siç e kemi bërë të ditur dje, në kuadër të angazhimeve konkrete të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, kemi marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 000 dozave të kësaj vaksine. Këtë konfirmim e kemi marrë ditën e djeshme pas një seri takimesh dhe negociatash me këtë kompani, vaksina e së cilës është e para që është aprovuar për përdorim, në kuadër të përpjekjeve globale për mbrojtje kundër COVID-19”, kishte thënë Zemaj.

Mirëpo ky premtim për këtë lloj vaksine nuk zgjati shumë, pasi më 8 janar vetë kompania nga e cila Zemaj pretendonte se do të merrte vaksinat e demantoi atë.

Përfaqësues të Pfizer konfirmuan se janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje në lidhje me vaksinën.

“Kemi pas bisedime me Qeverinë. Për t’u arritur marrëveshja ajo duhet të nënshkruhet. Përderisa ende nuk është nënshkruar nga të dy palët, ne nuk mund ta komentojmë atë”, ka deklaruar Urska Lakner, menaxhere e kompanisë për rajonin e Adriatikut.

Ndërkaq, në anën tjetër numri i të infektuarve me Covid-19 vazhdon të rritet në vend.

Deri më tani në Kosovë nga virusi COVID-19 kanë humbur jetën 1 mijë e 572 persona. Ndërsa numri total i të infektuarve nga marsi në nivel vendi është 66 mijë e 380 raste./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera