Fokus

Alarmante: Rrugët e Kosovës të mbushura me vetura të pa sigurta

Autori: H. Smajli 10:38 | 24 May 2021

A mund ta besoni se në rrugët e Kosovës mund të qarkullojnë automjete të pa regjistruara që nga viti 2001?

Gazeta Infokus ka gjetur se hiq më pak se 208 mijë automjete janë të pa regjistruara në Kosovë. Ndërsa 131 prej tyre nuk janë lajmëruar në qendrën e regjistrimit tash e 21 vite.

Sipas të dhënave të siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm vitin e kaluar 39 mijë e 670 automjeteve u ka skaduar regjistrimi dhe nuk e kanë vazhduar fare atë.

“Numri i  Automjeteve që kanë qenë të regjistruara e që nuk i kanë vazhduar regjistrimet dhe në sistemin e regjistrimit të automjeteve figurojnë të pa vazhduara, është: 208.010 automjete.

Shifrat dallojnë sipas viteve, duke filluar nga viti 2001”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndërkaq, shihet se cdo vit numri i qytetarëve që vendosin të vozisin pa regjistrim apo heqin dorë nga veturat e tyre është në rritje.

Të gjitha këto automjete të pa vazhduara, janë pa të drejtë qarkullimi.

Megjithatë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë informacione nëse të njëjtat vazhdojnë të qarkullojnë rrugëve të Kosovës.

“Mirëpo duhet pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i tyre mund të jenë të shkatërruara apo edhe të jenë jashtë përdorimit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Ky numër i madh i veturave të paregjistruara jo vetëm që i shkakton humbje buxhetit të shtetit dhe kompanive të sigurimeve, por ndikon negativisht edhe për kartonin e gjelbër, pjesë e të cilit nuk është ende Kosova.

 

Pse qytetarët nuk po i regjistrojnë veturat?

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, në një intervistë për Gazetën inFokus, thotë se një ndër arsyet kryesore përse qytetarët nuk po i regjistrojnë veturat e tyre janë kushtëzimet që i’u bëhen shoferëve nga shteti për të regjistruar ato.

“Për me regjistru një veturë duhesh fillimisht me i pagu gjobat përderisa dihet se gjobat munden me u përmbaru pa pasur nevojë me hy në ligj të automjeteve. Pra nën një, pagesa e gjobave për me regjistru veturën.  Nën dy, pritjet e gjata para komunave për të nxjerrë një taksë komunale, një vërtetim që ti nuk ke borxhe tatimore. Qytetari nuk e ka problem të paguajë një taksë 10 euro por kur shkon të bëjë këtë pagesë, aty i thuhet më fal ke me pagu edhe një tatim në pronë”, tregon Mazreku.

Ky institucion ka bërë edhe ankesë te Avokati i Popullit që të largohet nga ligji për regjistrimin e veturave neni i cili u mundëson komunave këto lloj kushtëzimesh.

“Në 8 muajt e fundit sipas informatave që i kemi janë përshkallëzuar kushtëzimet duke u kërkuar pagesën e taksave tjera që janë nën kompetencën e komunave. Nëse marrin si shembull rast konkret e kemi mbeturinat, që tash është kompetencë e komunës. Për me thënë që kjo është e kundërligjshme hapa të tjerë se çfarë kemi bërë ne, unë si drejtor i Byrosë kam bërë ankesë të avokati i popullit ku kam kërkuar që ministria e Financave duhet të shfuqizojë një ligj, ka qenë fillimisht një udhëzim  me të cilin ministria i lejon komunat me bë kushtëzime të tilla për me regjistru veturën. Kemi kërku që ligji për regjistrimin e veturave me u heq neni 43 nëse nuk gaboj, ku është kusht pagesa e gjobave, e natyrisht që të gjitha këto kushtëzime ndikojnë në rritjen e numrit të veturave të paregjistruara”, ka deklaruar Mazreku.

Krejt këto po e rëndojnë buxhetin e qytetarëve, të cilët nuk po mund ta përballojnë kryerjen e obligimeve, pikërisht për shkak të kushtëzimeve.

“Po e zëmë që nëse unë kam të hyra mujore 300 deri 350 euro ama kam gjoba me i pagu 400 euro unë e la pa regjistru e pasiguru veturën për shkak se nuk kam me i pagu të gjitha ato taksa për regjistrimin e veturës”, thotë ai.

Si ndikon numri i madh i veturave të paregjistruara që Kosova të mos jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër   

Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.

Në mënyrë që edhe vendi ynë të bëhet pjesë për kartonin e gjelbër duhet që numri i veturave të paregjistruara të jetë nën 5 për qind.

E në Kosovë momentalisht, kjo shifër është mbi 30 për qind, shkruan Gazeta inFokus.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve ka thënë për Gazetën inFokus se kjo ndikon drejtpërdrejtë në negociatat e Kosovës me shtetet e tjera për kartonin e gjelbër sepse pyetja e parë që parashtrohet është për numrin e veturave të paregjistruara.

“Çfarë kemi bërë ne shtesë kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që me i largu veturat e paregjistruara, për shkak se nuk është në rregull një veturë që është regjistruar në vitin 2001 ende të figurojë në regjistër.  Ne kemi kërkuar që referencë me qenë vetëm dy vitet e fundit  sepse ky numër neve na penalizon edhe me u mundu me një shtet tjetër me bëre zgjidhje për kartonin e gjelbër”, ka deklaruar Mazreku.

Çfarë është kartoni i gjelbër?

Kartoni i gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga  mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Ndërsa çdo person që hyn me veturë në Kosovë nga një shtet tjetër është i obliguar të paguajë sigurimin për të hyrë në vendim në varësi të kohës se sa do të qëndrojë.

Dëmet dhe ndikimi në buxhetin e shtetit   

5 deri në 7 milionë euro në vit janë dëmet që Byroja Kosovare e Sigurimeve duhet të paguajë për shkak të veturave të paregjistruara.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën inFokus drejtori i kësaj Byroje, Sami Mazreku.

“Ne fillimisht nuk i marrim këto mjete, por dëmet që i paguajmë ne janë diku 6 deri në 7 milion euro dëme vjetore të këtyre kategorive e që ky buxhet është direkt financim nga kompanitë e sigurimeve, që i bie që një kompani e cila operon në Kosovë, edhe nëse s’kanë fitim nga të hyrat që ata i marrin duhet me na pagu neve. Pastaj ne me ligj kemi të drejtë me i rimbursu mbrapa. Por njëkohësisht edhe shteti humb njëjte për shkak se nëse numri i veturave të paregjistruara është 200, dhe shteti paguan 107 euro për secilën”, ka thënë ai.

Ndërsa në bazë të mesatares prej 107 euro që paguhet në Qendrën e Regjistrimit, me 200 mijë e 10 veturat e paregjistruara, që janë në qarkullim, shteti humb më shumë se 21 milionë euro.

Çfarë po bëhet për zgjidhjen e këtij problemi?   

Një zgjidhje e cila po pritet që të sjellë rezultat është ajo e blerjes së pajisjeve të cila e detektojnë më me lehtësi një veturë e cila është e paregjistruar.

“Ne jemi duke prit takim me ministrin e ri, kemi shpreh gatishmëri që me i ble disa paisje bashkë me policinë e Kosovës që neve na ndihmojnë me i detektu ma lehtë veturat të cilat janë të paregjistruara.  Mirëpo kemi kërkuar që njëherë me e nënshkruar një marrëveshje me MPB-në, ku prioritet është Prishtina e pastaj me e pa se qysh po ndikon ky pilot projekt me investu edhe MPB-ja edhe policia edhe Ministria e Financave që me e ulë këtë numër”, ka thënë drejtori i Byrosë, Mazreku.

E sa i përket kartonit të gjelbër ai ka thënë se kjo është obligim për shtetin.

“Fundi i fundit ne e kemi obligim edhe ndaj bashkatdhetarëve edhe ndaj vetes që me bë zgjidhje për kartonin e gjelbër. mirëpo nuk mund të bëhet vetëm nga Byroja e Sigurimeve, duhet që të gjithë akterët gjithëpërfshirës ta bëjnë punën e vet”, përfundon ai./Gazeta inFokus/

Të tjera