Fokus

A po e rrezikon të ardhmen e Kosovës, qasja e Kurtit në dialogun Kosovë – Serbi?

Autori: Gazeta inFokus 13:32 | 22 August 2022

Të enjten në Bruksel u mbajt takimi i tretë me radhë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, me ndërmjetësimin jo vetëm të përfaqësuesve të BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi zgjati më shumë se katër orë derisa për këtë takim presidenti serb deklaroi se ishte një ndër ditët më të vështira për të dhe për Serbinë, duke shtuar se Kurti nuk pranoi asnjë sipas tij “zgjidhje” që pala serbe i ofronte.

Derisa edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell pas takimit në një konfeencë për media tha se nuk u arrit ndonjë marrëveshje dhe se dialogu do të vazhdojë në ditët në vijim.

-Advertisement-

Po ashtu ai theksoi se nëse do të ketë tensionim të situatës ndërmjet dy shteteve do të jetë përgjegjësi e Serbisë dhe e Kosovës pa përjashtime.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur marrëveshje në takimin e  sotshëm, por nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë që diskutimet të rifillojnë në ditët në vijim, ka kohë deri me 1 shtator, nuk ka marrëveshje ditën e sotme, do të vazhdojmë kërkimin për zgjidhje, ky diskutim do të vazhdojë”, ka deklaruar Borrell.

Kryeministri Kurti edhe para zgjedhjeve por disa herë edhe pasi u bë kryeministër deklaroi se dialogu nuk është prioritet i qeverisë së tij.

E sa i përket qasjes së kryeministrit Kurti në dialog edhe pas takimit të tretë në Bruksel ka pasur reagime të shumta si negative ashtu edhe pozitive.

Analisti, Agron Hoti, duke qenë se pjesë e këtyre bisedimeve ishte edhe Përfaqësuesi i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabiel Escobar ka thënë se qeveria e Kosovës duhet të tregohet bashkëpunuese me SHBA-të sa i përket dialogut. E ardhmja e Kosovës mund të jetë në rrezik nëse nuk e sheh dialogun me Serbinë në këtë aspekt!

Sepse sipas Hotit, nëse kjo nuk ndodhë atëherë ky do të ishte sinjali më i keq i mundshëm sa i përket takimeve të radhës.

“Nëse pala kosovare nuk tregohet bashkëpunuese sidomos me SHBA, atëherë kjo do të ishte sinjali më i keq për takimet e ardhshme. SHBA ka qenë garanti kryesor i çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës, prandaj edhe tash e tutje do të jetë edhe kur e thotë që asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë „shtet mbi shtet“, ka thënë Hoti për Infokus.

Ndërsa sipas tij ka shumë gjasa që qeveria e Kosovës të pranojë edhe Asociacionin e Komunave Serbe, kjo sepse nëse nuk e bën një gjë të tillë në sytë e partnerëve Kosova do të duket si palë refuzuese e dialogut.

“Nëse pala kosovare ka zbatuar marrëveshjen me energji me Serbinë, e cila edhe i hapi derën për ta vizituar Sekretarin Blinken, atëherë kjo të jep të kuptosh që pala kosovare do të lëvizë në drejtim të themelimit të asociacionit sipas kushtetutës së Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova në sytë e partnerëve transatlantikë do të dalë si refuzuese e dialogut, si palë dekonstruktive dhe që nuk iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare të nënshkruara nga vetë ajo. Uroj që kjo mos të ndodhë”, ka deklaruar Hoti.

Mirëpo sipas analistit, Gazmir Raci, qasja e kryeministrit Kurti në dialogun Kosovë – Serbi ka qenë e ditur edhe nga qytetarët të cilët sipas tij e votuan Kurtin edhe për këtë arsye.

E madje Raci në një dekleratë për Gazetën Infokus ka thënë se edhe ndërkombëtarët duke parë programin e Kurtit kanë qenë të vetëdijshëm që kjo do të jetë qasja e tij në dialog.

“Kjo është qasja që ai e ka premtu, një qasje të re në dialog, ndryshe nga qasja që ka qenë deri tani dhe për këtë arsye ne tash nuk mundemi me konstatu që po e minon ose po shkakton probleme për faktin se edhe faktori ndërkombëtar po edhe qytetarët e Kosovës e kanë pas të qartë që ky do të ketë një qasje të re në dialog dhe se qasja e re qe një vit e diçka po zbatohet”, ka thënë Raci.

Ai thekson se qeveria ka bërë punë të mira sa i përket dialogut, deri më tani ato që edhe i ka premtuar elektoratit dhe se qasja e tij duhet të respektohet edhe nga ndërkombëtarët duke qenë se është votuar nga qytetarët kosovarë.

“Kjo qeverisje dhe kryeministri Kurti nuk ka leju që mu mbajt referendumi as zgjedhjet në Serbi edhe e ka zbatua çështjen e targave ashtu qysh jemi marrë vesh në Bruksel. Nuk ka ndonjë hapësirë që mund ta rrezikojë procesin për faktin që faktori ndërkombëtar me ardhjen e Kurtit në qeverisje e ka kuptu edhe me programin qeverisës që ai ka një qasje tjetër që e ka prezentu dhe tash duhet me respektu për shkak se është votu prej një shumice të konsideruar te qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Raci.

Pas këtij takimi nga qeveria e Kosovës dolën me një deklaratë për media, ku treguan vetëm sipërfaqësisht se çfarë ndodhi e çfarë u diskutuat në këtë takim.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, deklaruan nga zyra e kryeministrit.

Ndryshe, takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, por pa arritur ndonjë marrëveshje apo rezultat konkret./Gazeta Infokus/

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera