Fokus

A e kryen amerikanët fizibilitetin për Ujmanin pa bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës?

Autori: Gazeta inFokus 09:39 | 25 June 2021

Departamenti amerikan për Energji e ka kryer obligimin e vetë sa i përket përmbushjes së një pike të Marrëveshjes së  4 shtatorit 2020, të nënshkruar në Uashington nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Tashmë ky departament ua ka dorëzuar  Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, ashtu siç edhe ishte përcaktuar me dokumentin e firmosur në Shtëpinë e Bardhë. Por puna që ka bërë ky departament nuk ishte paraparë të bëhej pa bashkëpunuar me palët- Kosovën dhe Serbinë, shkruan Gazeta Infokus.

Në planin e veprimit të Qeverisë së Kosovës, kur ajo ende drejtohej nga Hoti, përkitazi me zbatimin e marrëveshjeve të Uashingtonit  thuhej se: “Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, do të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-ve duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit”.

Zyra e Kryeministrit ka zgjedhur të hesht në lidhje me raportin e amerikanëve. Gazeta Infokus ka bërë përpjekje për të marrë ndonjë qëndrim nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu dhe nga kryetari i Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, por asnjëri nuk u është përgjigjur interesimit të gazetës. Mirëpo çështja e (mos)krijimi i grupit punues për fizibilitetin e Ujmanit nuk ka kaluar krejtësisht pa reagimin e deputetëve.

-Advertisement-

Ferat Shala nga radhët e PDK-së, që aktualisht është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, muaj më herët pati paralajmëruar se deri në fund të vitit 2020, nuk ishte parë asnjë iniciativë për formimin e grupit punues dhe as ndonjë propozim për përbërjen e tij.

“Opinioni publik dhe Kuvendi i Kosovës, duhet të dijë se: Deri ku ka shkuar iniciativa për formimin e këtij grupi punues. Kush e ka mandatin ta udhëheqë këtë grup? Kush janë anëtarët e grupit? Cila është përgatitja e tyre profesionale? Kush i ka nominuar ata? Kur pritet të filloj studimi i fizibilitetit? Cilat janë obligimet e Kosovës në kuadër të këtij procesi?”, pati shkruar Shala.

Mirëpo, Qeveria që kishte dhënë këto zotime u rrëzua me 22 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa me 14 shkurt të këtij viti, zgjedhjet e parakohshme e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese me mbi 50 % të votave. Më në krye Albin Kurtin, pushteti i tashëm në Kosovë ka vazhduar të mbajë qëndrim refuzues ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonin, si në kohën kur LVV-ja ishte opozitë, shkruan Gazeta Infokus.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Marrëveshja e arritur në Uashington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend. “Si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie, e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet. Më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, pati thënë Kryeziu.

Ndërkohë, njëri nga ish- anëtarët e delegacionit të Kosovës në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit, Selim Selimi ka deklaruar për Gazetën Infokus se çdo shtet serioz i zbaton marrëveshjet e veta ndërkombëtare, duke shtuar se deklarimet për kontestimin e legalitetit dhe legjitimitetit të kësaj marrëveshje janë të dëmshme.

“Ne kemi obligim t’i zbatojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare si shtet. Çdo shtet serioz i zbaton marrëveshjet e veta ndërkombëtare. Kjo marrëveshje e arritur në Shtëpinë e Bardhë, nën menaxhimin dhe lidershipin e SHBA-ve dhe ne na bënë më të mbrojtur për shkak se SHBA-të i kemi aleatë tradicional që nga para lufta, gjatë luftës dhe pas saj dhe se kur ata janë garantues të një marrëveshje të tillë, ne na e bënë shumë më të lehtë. Ajo marrëveshje është më shumë pozitive për ne se sa për Serbinë”, ka thënë Selimi. Ndërsa vetë nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje, Avdullah Hoti e ka paralajmëruar Qeverinë Kurti se nuk do ta ketë të gjatë qeverisjen në rast se nuk e zbaton atë marrëveshje.

Në raportin e Departamentit amerikan të Energjisë, propozohet që “Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera