Fokus

A e dini se të rinjtë kosovarë po aftësohen për ngasjen e trenave!?

Autori: Xhejlane Kaçiu 10:10 | 17 December 2018

Nëse nuk e keni ditur në Kosovë ekziston një shkollë ku të rinjtë aftësohen për drejtimin e trenave.

Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Shtjefën Gjeqovi” në planprogramin e saj ka të përfshirë edhe drejtimin Drejtues i Trenave.

Për çdo vit ky drejtim pranon mbi 20 nxënës, shkruan Gazeta inFokus.
Shpëtimi është nxënës në klasën e 12 të kësaj shkolle i cili ka zgjedhur të jetë Drejtues treni edhe pse i vetëdijshëm që në Kosovë ka pak kërkesa për një punë të tillë.

-Advertisement-

“Besoj se dikur do të ketë shumë kërkesa edhe në Kosovë për drejtues të trenave, se edhe nëpër vende të tjera krejt transporti bëhet përmes hekurudhave, trenave. Pse me kry fakultet kur pas shkollës së mesme jam i gatshëm për punë”, thotë 17 vjeçari.

Por, kjo nuk është arsyeja e vetme pse ai ka zgjedhur këtë profesion i cili nuk është shumë i përhapur tek ne.

“Ne kemi mundësi edhe të punësohemi jashtë vendit. Diploma vlen edhe për shtetet e perëndimit. Nëse me jepet mundësia unë me këtë diplomë kam mundësi të punoj jashtë Kosovës, pasi këtu nuk janë krejt hekurudhat në funksion. As praktikën nuk kemi mundësi ta bëjmë në hekurudha” tha ai.

E për problemin e praktikës e shqetësuar është edhe profesoresha e praktikës profesionale në këtë shkollë, Leme Sopa.

“Ne punojmë që t’i përgatisim nxënësit për vendet e punës, por praktika të cilën duhet ta bëjmë në hekurudha tash e disa vite nuk është e mundur të bëhet as në Infrakos as në Trainkos”, thotë Sopa.

Megjithatë ky problem nuk i ndalon ata që të interesohen më shumë dhe të mësojnë në lidhje me profesionin e tyre.

“Unë kam dal vullnetarisht me nxënësit në hekurudhë, aty ky bëhet ndërrimi i drejtimit të trenave derisa treni është në lëvizje dhe kemi praktiku aq sa kemi mundur veprimet që duhet të ndiqen” tregoi profesoresha e praktikës profesionale.

Edhe pse pjesa praktike nuk është e mundur të bëhet, nxënësit e kësaj shkolle në bazë të planprogramit duhet të jenë në gjendje që pas përfundimit të shkollës së mesme të dinë gjithçka në lidhje me hekurudhën, drejtimin e trenave, kontabilitetin, marketingun, organizimin dhe pjesën juridike që ka të bëj me transport hekurudhor. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera